Atanda: Kur të përballemi me Skënderbeun, diferenca do jetë ngushtuar

redaktor

Sodiq Atanda është pa dyshim blerja më e rëndësishme e Partizanit gjatë merkatos së janarit. Futbollisti nigerian i cili mbërriti te të kuqtë pasi i përfundoi kontrata më Apoloninë, e fitoi menjëherë vendin e titullarit në qendër të mbrojtjes, ku mposhti madje konkurrencën e një lojtari me shumë eksperiencë si Ditmar Bicaj.

23-vjeçari në konferencën për shtyp para takimit me Tërbunin, u shpreh se për të nënshkrimi me të kuqtë ishte një ndryshim i madh në karriere: “Sigurisht që e prisja të luaja titullar, sepse këtë rol kam patur gjithmonë, kudo kam luajtur.

Ky është futbolli, nëse të jepet shansi, duhet ta shfrytëzosh. Zgjodha të luaja në këtë skuadër sepse është e mirëorganizuar. Që kur isha te Apolonia e kisha qëllim për të ardhur këtu. Nëse nuk do të largohesha nga Shqipëria, do të luaja vetëm për Partizanin”.

Për Atandën, Partizani në fakt është vetëm një fazë kalimtare në karrierë ne tij. “Nga Partizani apo nga Shqipëria do të largohem vetëm për një klub më të madh në Europë. Sigurisht që e kam këtë objektiv, vetë fanella e Partizanit ma jep këtë mundësi. Nëse spikas këtu, do të kem të tjera mundësi në karrierën time”, thekson mbrojtësi.

I sigurt për fitoren në “Ismail Xhemali” të Pukës, Atanda beson se hendeku që ekziston në renditje me Skënderbeun e vendin të parë, është i rikuperueshëm. “Diferenca më Skënderbeun nuk është shumë e madhe. Para se të kemi ndeshjen direkte me ta, le të shohim se çfarë do të ndodhë me Tërbunin. Unë nuk kam dyshim që ne do të fitojmë. Unë jam i sigurtë që kur të përplasemi me Skënderbeun, diferenca do të ngushtohet edhe më shumë”, shprehet 23-vjeçari.

Pas transfertës me Tërbunin, vjen derbi me Tiranën, një emocion i veçantë që pret ta provojë edhe Atanda që thotë: “Dita e derbit është një ditë e madhe për kryeqytetin. E kam ndjekur Tiranën dhe them se është një skuadër e fortë, por ne jemi Partizani, kemi bërë më mirë deri tani dhe do të fitojmë”.

Share This Article
1 Comment
  • Si mbrojtes,mesa kam pare eshte i mire dhe i qete. Por moshes qe deklaron per 23,duhet me patjeter ti shtoni edhe 5 vjet te tjera.
    E kane zakon ata andej,keshtu vine ne europe.
    Me vite mangut!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *