Në vend të një urimi për ditëlindjen
Nga Ndoc LOGU
Këngët e popullit shqiptar, të çdo kohe, që ju kanë kushtuar ngjarjeve dhe njerëzve të mëdhenj deri në gjenialitet, burrave dhe grave të kësaj toke, që quhet Atdhe i yni e që u bënë pishtar dhe progresist, krah të hekurt të shpatës, të penës e pushkës, të këngës e punës dhe, që ata, personazhet e këngëve, rendën nëpër kohë, duke përcjellë si maratonë për breza mesazhe kushtrimi për të ruajtur vlerat tona, dhe mbajtur lart flamurin e krenarisë kombëtare, i kanë shërbyer popullit tonë nga një brez tek tjetri si histori, për të ditur kush kemi qenë, si tregim, se ku jemi dhe si kushtrim, se ç’duhet të bëjmë për lirinë, sovranitetin dhe progresin shoqëror.
Tërë elementët e mësipërm i kanë në mënyrë të shkëlqyer deri në përsosmëri këngët e Ilir Shaqirit. I tërë repertori i këngëtarit artist Ilir Shaqiri, mund të grupohet në “Këngët e dhimbjes, këngët e krenarisë, këngët e kushtrimit dhe këngët e shpresës”. I quaj kështu, këngët e dhimbjes, sepse mjaft krijime të këtij poeti e këngëtari i kushtohen dhimbjes dhe heroizmit, heronjve e heroinave të popullit tonë. I quaj këngë krenarie, sepse rrallëkush nga krijuesit shqiptar, në tekstet dhe këngët e veta, ka arritur, ndryshe nga të tjerët, të na ngrenë vlerat e historisë sonë në ato koncerte madhështore për ngjarjet, heronjtë e heroinat e çdo kohe, të paktën që nga kohët më të lavdishme të Gj. K. Skënderbeut. I quaj edhe këngët e kushtrimit sepse, pothuajse çdo këngë e këtij këngëtari, pavarësisht se ku po i grupoj unë pa u përqendruar, kanë në përmbajtje tharmin e mesazhit për të kuptuar rrethanat historike të situatës ku ndodhej Kosova. I quaj edhe këngë të shpresës sepse Ilir Shaqiri, duke u mbështetur në tre vlerat e mësipërme: historinë e lavdishme që është edhe krenaria më e madhe, na ka krijuar edhe grupin tjetër të këngëve që unë i quajta këngët e shpresës. Që të katërta këto grupe këngësh kanë si lajtmotiv “Për ty atdhe”,
“Për ty popull të dish se kush je”, “Për ju të gjallë ta dini si luftuan të parët”, “ Për ju rini ta dini se si duhet të luftoni për lirinë e Kosovës”. Pra këngët e Ilir Shaqirit janë histori vlerash e lufte të ngritura në artin poetik të këngës. Janë kushtrime për luftëra të reja pa të cilat nuk do të vinte liria. Dhe që të dyja na mbushin me besimin që na mungonte për atë që erdhi: liria dhe sovraniteti i Kosovës. Dhe që të vinte liria dhe sovraniteti dhe të gëzohen ato, gjëja më e rëndësishme, për një popull, është dhe mbetet gjithmonë rritja e vetëdijes kombëtare deri në atë lartësi vetëmohimi e sakrifikimi gjithçka në emër të arritjes së tyre.
Unë jam njeri nga ata që kam patur fatin të kem tri dhurata, a kujtime, shumë të rëndësishme nga ky këngëtar, poet, shkrimtar e artist: romanin “ Lemza e dheut” , poemën “Adem Jashari” dhe albumin e titulluar “Heroizëm dhe dashuri”, me 100 këngët e përzgjedhura nga 621 që ka në repertor. Kuptohet se ai çdo gjë, edhe këngët e çdo krijim kanë një punë, një kohë arritje dhe një kosto jo të vogël për krijuesin. Por çmimi i vlerave atdhetare, është e jashtëzakonshme, e madhe. Vlerat atdhetare nuk kanë çmim. Nuk kanë çmim sepse janë aspekte, copa, pjesë nga trupi, jeta dhe vlerat e shpirtit të popullit. Sapo u nisa nga Prishtina për në Tiranë, filluam të dëgjojmë mrekullitë poetike, muzikore dhe zërin melodioz të Ilir Shaqirit, në ato këngë, që ngrihesh e ulesh si në valët e detit, apo mjegulla dhe retë në varg malet e Bjeshkëve të Namuna në kohë shtrëngate.
Edhe këngët e Ilir Shaqirit i ngjajnë një deti të trazuar, i ngjajnë edhe reve me stuhi dhe rrufeve. Por edhe vullkaneve e tërmeteve kur toka e Kosovës lëvizte dhimbjet e veta e të shpirtit të popullit, kur thërriste bijtë e vet për t’i dalë zot. Është shumë mahnitëse por edhe emocionuese deri në përlotje, kur kalon mespërmes tokës së përgjakur të Kosovës, duke dëgjuar këngët dhe përfytyruar ngjarjet, heroizmat, zërat e trimave e heronjve si në legjenda ku “Çdo grusht dhé i kësaj toke është e mbrujtur me gjak”, – siç thoshte Fishta, duke filluar nga beteja e Fushë-Kosovës në vitin 1389 e deri tek epopeja e UÇK-ës 20 vjet më parë. Nuk ka ngjarje a pikë kulmore, nuk ka betejë a hero, në këtë hark kohor prej 610 vitesh që nga Millosh Nikoll Kopiliqi e deri tek Adem Jashari, që të mos jenë në penën dhe zërin e Ilir Shaqirit, ku si për koincidencë që të tre janë nga Drenica. “Dhe kjo ndodhte, beteja e Fushë-Kosovës, kur tërë Ballkani dhe Europa ishin qetësuar, Drenica, nuk nënshtrohej nga pushtuesit turq”.
Çdo këngë e Ilir Shaqirit është si një pemë historike me veti ku secila ka referencat dhe peshën dramatike të “ëndrrës” shekullore për liri. Në këngët e Ilir Shaqirit janë gjithmonë heronjtë që kanë luftuar brenda një harku kohor të caktuar në të gjallë të tyre. Por heronjtë e Drenicës, të Kosovës e mbarë kombit shqiptar, janë të pranishëm edhe në betejat e luftërave të brezave pasardhës, edhe pse të vdekur. Ata frymëzojnë, mobilizojnë dhe udhëheqin me shembullin e vet. Është meritë e jashtëzakonshme e Ilir Shaqirit, që tërë këngët e tij kanë si motiv idealet e mësipërme dhe synimin: ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare kudo ku ndodhen, në mënyrë që Kosova të mos rend nëpër netët e gjata të pushtimit, që të mos mbesë më me pranga në duar e shpirt, që të fitojë edhe ajo hisen e diellit që i takon, lirinë. Në këngët e Ilir Shaqirit, në ato poezi e këngë buçet jo vetëm zëri i luftëtarëve të lirisë, por edhe virgëllima e sakicës së Ahmet Delisë dhe e djalit të tij Murselit, por edhe zëri i kushtrimit “O,o,o prite- prite Azem Galicën, por edhe jehona e luftës Tahir Mehës, por edhe kënga dhe fjala e fundit e tij “Oj Shqipni mos thuaj marava.”.E më pas, Tahiri “U ngjit në kupë të qiellit/ grusht plot atdhe/, te merkësa e varrit/, tre burra i bojnë be”. Dhe pikërisht këta tre burra që betoheshin mbi varrin e Tahir Mehës, ishin: Shaban Jashari me dy djemtë: Hamzën dhe Ademin. Po këta tre burra 17 vjet më vonë, do të përballeshin e përsëritnin të njëjtën epope për pesë ditë e netë dhe do të jepnin jetën me të njëjtën këngë si ajo e Tahir Mejës “Oj Shqipni mos thuaj marava”. Që këtej e kanë burimin edhe vargjet e poetit kur shkruante: “Aq sa yje mbi qiell u panë,/ Mbi Kosovë aq trima ranë…”
Por në këngët e Ilir Shaqirit, vërtetë ata ranë, por ngrihen prapë nga varret për t’ju bashkuar armatës UÇK -ës, që akoma nuk iu kishte tharë gjaku mbi tokën e Kosovës. Këngët e Ilir Shaqirit kanë kaluar edhe ato në shtigje lufte, ashtu si ato të LANÇ dhe ajo e UÇK-ës. Për shumë vite Iliri u detyrua për të mbajtur pasaportë shqiptare me identitet të ndryshuar, nga se, për pushtetin pushtues serb të Kosovës, edhe këngët dhe këngëtari Ilir Shaqiri ishin të rrezikshme, edhe pse ai, këndonte vetëm këngët e popullit të tij. Pushtuesi mizorë 100 vjeçar serb nuk i donte të lirë as të gjallë, as këngët, as këngëtarët, as popullin shqiptar.
Asnjë këngëtar shqiptar si Ilir Shaqiri, nuk e ka arritur nivelin artistik të interpretimit të këngëve popullore, patriotike kaq lart, në kohën e duhur dhe në rrethanat e territorit shumë të rrezikshëm serb. Kjo vinte nga fakti se këngët e Ilir Shaqirit nuk ishin si: Karafilat që ka Shkodra”, “O zambak i Prizrenit”, apo si ato “Serenatat korçare”. Koha kërkonte këngë lufte e lirie, këngët e gjakut të popullit. Duheshin këngët e trimave dhe heronjve që gjaku, sakrificat dhe amanetet e tyre të mos harrohen por të bëheshin realitet lirie. Pothuajse tërë këngët e Ilir Shaqirit, që nga vitet 80-të të shekullit kaluar, derisa mbaroi lufta e UÇK-ës, ishin të lidhura dhe ju kushtoheshin tërë periudhave të luftës së popullit tonë për liri e pavarësi, ku personazhe ishin atdhetarët dhe heronjtë e këtyre luftërave. Para fillimit, gjatë luftës UÇK-ës dhe pas saj, këngët e tij, arritën lartësitë e padëgjuara deri atëherë nga fakti i rritjes shpejtë i luftës për lirinë e Kosovës dhe për dëshmorët dhe heronjtë më të rinj të kësaj lufte. Përmasat e mëdha që kishte marrë lufta e UÇK-ës, e kishte entuziazmuar dhe mobilizuar këngëtarin. Ai kishte filluar ta ndjente flladin e lirisë dhe Iliri filloi të këndonte edhe këngët e shpresës, se liria ishte në rrugë të mbarë, dhe pushtuesi s’mund ta ndalte më. Por edhe dhimbja për rënien e djemve dhe vajzave të UÇK, Ilir Shaqirit, iu kishte bërë gurë në shpirt. Ju kishte bërë një gurë i madh e i rëndë dhe filloi t’i kthejë në këngë këto dhimbje.
Siç dihet pas viteve 70-të të shekullit kaluar, si rezultat i shkollimit dhe i fitimit të diturisë, vetëdija e popullit Kosovës, veçanërisht tek brezi i ri, u rrit shumë. Ushtaraku i lartë i UÇK-së, Kolonel Dilaver Goxhaj, në një nga librat e tij ka shkruar se “82 për qind e luftëtarëve të UÇK-së ishin me arsim të mesëm dhe të lartë“, ç’ka tregon për shkallën e lartë të vetëdijes atdhetare të njerëzve të arsimuar. Por, në këtë luftë, pati edhe studiues e intelektual të spikatur, ku jo pak prej tyre dhanë edhe jetën. Në këtë rritje ndjenje atdhetarie pati efektet e veta edhe kënga popullore atdhetare për ngjarjet, datat, personalitetet e luftës dhe historisë sonë. Por në përmasa akoma më të mëdha rritej edhe shtypja serbe mbi popullin. Krahas politikës, qeverisë, institucioneve e mediave serbe, u aktivizuan edhe pseodokrijuesit. Më kujtohet mesazhi mostër i një poeti serb, po mostër që rrallë se e gjen edhe një të dytë në mbarë botën e qytetëruar. Poezia e çuditshme e poetit serb që kërkonte të zhdukte tërë një komb tjetër, në tokën e vet, përfundonte kështu:
… Edhe në ethet e vdekjes,
Derisa zemra të punojë,
Do të kërkojmë,
Që edhe në atë botë,
Këta njerëz,
Të mos jenë fqinjët tanë…
Kjo është melodia e këngës së korbave serbe, ashtu si e osmanëve në Fushë-Kosovë më 1389. Po kjo këngë vijoj të ushqehej në tërë brezat e popullit serb nga pseudokrijuesit serb për 100 vjet rresht. Po këtë përsëriti Millosheviçi mbas 600 vjetësh në Gazi-Mestan më 1989. Në ndryshim nga “poeti” më mirë do t’i shkonte kanibali psedopoet serb, që nuk kishte pësuar asgjë të keqe nga populli shqiptar i Kosovës: gjyshi i Ilir Shaqirit lindi, jetoi dhe e mbylli jetën nën shtypjen serbe. Po kështu edhe babai përjetoi dhe pa me sy tërë mizoritë serbe mbi popullin e Drenicës dhe mbarë Kosovën. Edhe vetë Iliri lindi, u rrit dhe u formua nën shtypjen mizore të pushtuesve serb. Për 100 vjet rresht, serbët pushtues, e kishin larë disa herë me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës, duke vrarë, burgosur dhe dëbuar disa qindmijësha shqiptar çdo vit nga trojet e veta. Por poeti këngëtar Ilir Shaqiri, edhe pse tre a katër breza i shtypur, i shfrytëzuar dhe i vrarë nga pushtuesi, poezi si kjo e serbit që kujtuam me lart, që kërkonte zhdukjen e shqiptarëve, as nuk i shkruajti as nuk i këndoi kurrë. Kjo nuk do të thotë frikë a nënshtrim. Kjo ishte tolerance e admirueshme, është dëshirë për paqe e mirëkuptim midis të vetëve dhe të tjerëve. Kjo tregon edhe fisnikërinë e një populli të tërë, por edhe të vetë këngëtarit. Ilir Shaqiri, në poezitë dhe këngët e veta nuk kërkonte që popullin serb ta zhdukte nga trojet e veta, siç kërkonin serbët për shqiptarët. Ilir Shaqiri kërkonte vetëm lirinë në trojet e veta, pa pushtues kushdoqoftë ai.
Këngët e Ilir Shaqirit ishin, janë dhe do të mbeten historia e popullit të vet në vargje, në poezi e poezia kthehej në këngë melodioze me zërin brilant të këngëtarit poet. Në këto poezi e këngë dhe me zërin e bukur të Ilir Shaqirit, shpalosej sikur t’i kishe parasysh personazhet dhe historia janë tragjike shekullore dhe heronjtë tanë që ranë, por nuk vdiqën. Ata na udhëheqin përsëri me shembullin e vetëmohimit, në betejat për lirinë e Kosovës dhe progresin shoqëror të popullit. Shtatë vjet më parë, më 2012, u përkujtua 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe Ilir Shaqiri kishte një kontribut jo të vogël dhe i bërë një dhuratë popullit në këtë jubile. Ai zgjodhi 100 këngët me të bukura të një bukurie përallore nga 621 gjithsej që ka fondi i tij, dhe në një album, i vuri në qarkullim për mbarë shqiptarët. Asnjë penë a krijues, përfshi edhe historianët, në atë 100 vjetor, në tërë hapësirat shqiptare, nuk na dhanë një vepër më të bukur, më të plotë, me më efekte të drejtpërdrejta se sa albumi me këngë i këngëtarit poet Ilir Shaqiri. Në këtë album, që unë kisha fatin ta kem me dedikim personal, ka këngë që të mrekullojnë. Është shumë interesant edhe tematika e tyre. Psh : Këngët si “Zëri i atdheut”, “Zëri im, shpirti im, gjaku im Shqipëria”, “ E bukura Arbëri”, “Shqipëria”, “Atdheu”, “Porosi brezash”, “Atdheu do jetë“ etj., janë si parathënia e një libri me drama e tragjedi që e përgatitin lexuesin, në rastin konkret dëgjuesin, për të përballuar të tjera drama akoma më tragjike. Dhe të tilla janë këngët : “Tivari n’gjamë“, “Balada e Ibrit”, “Vajtimi mbi varrin e vëllait”, “Hesht Iliri flet atdheu”, “Nën loke të qofsha falë“, “Besa e minatorit”, “Natë e zezë pesëqind vjet”, “Më thuaj o bir”, dhe shumë të tjera nëpër të cilat kalojnë personazhe dhe dramat e tyre të jetës dhe luftës, ku njëkohësisht janë edhe drama të jetës të vetë popullit shqiptar. Në vijim janë këngët për heronjtë dhe personalitetet, për gjeneralët popullor, që kanë udhëhequr betejat e përgjakshme në dekada të ndryshme për lirinë e Kosovës si: Azem Galica, Zef Kosharen, Tahir Meha, Ali Ajetin, Xhevdet Demnekun, balada për Brahim Ketën, Indrit Carën (ushtar Kavajën), e deri tek heroi Adem Jashari i pa as dëgjuar në asnjë kohë në Ballkan as në Europë, ndoshta edhe mbi E. Çe Guevarën, i papërsëritshëm që mahniti botën me luftën dhe aktin e vetëflijimit e shumë të tjerë. Në tërë këngët e Ilir Shaqirit ka diçka madhështore. Çdo tekst e më pas e tërë kënga është ndërtuar për një ngjarje reale dhe personazhe konkrete, jetësor, që me rolin që kanë luajtur. Janë bërë pjesë të historisë së lavdishme të Kosovës. Në këngët e Ilir Shaqirit për heronjtë, shohim të jenë realizuar mrekullisht synimet: në tekstin si një dramaturg ka skalitur portretin e heroit, ndërsa shpirtin e heroit këngës e bën si të gjallë me interpretimin me ndjenjë të fuqishme atdhetarie. Më pas, në sytë dhe shpirtin e dëgjuesit të këngës, përsëritet ajo që kanë thënë gjithmonë poetët: “Kush i del Kosovës zot/, Me këngë përcillet jo me lot”. Po kaq interesant dhe i mrekullueshëm është edhe fakti tjetër se: Ndonëse Ilir Shaqiri, heronjve u këndon këngë, ata, në këngë, të përfytyrohen se nuk kanë vdekur, por kanë marrë ca plagë dhe përsëri do të ngrihen për t’i prirë popullit në betejat e radhës për çlirimin e Kosovës. Pra heronjtë e këngëve të Ilir Shaqirit kanë vdekur vetëm si frymë. Ata, pra, heronjtë, luftojnë në një hark kohor të caktuar në të gjallë, por, pa kufi, përjetësisht, për së vdekuri me shembullin sublim. Kjo ndodh sepse, gjatë rrugës, heronjtë, kanë lënë gjurmë të arta. Heronjtë e këngëve të Ilir Shaqirit rendën njëqind vjet nëpër natë mespërmes ferrit pushtues serb, për të fituar edhe populli i Kosovës hisen e diellit që i përket në trojet e veta mijëravjeçare.
Në asnjë këngë të Ilir Shaqirit, nuk ka nota gjunjëzimi, mëshire e nënshtrimi edhe pse shtypja serbe vazhdoi për një shekull. Këngët e Ilir Shaqirit, janë krenare, kryelarta dhe kryengritëse, që arrijnë deri në përmasat e protestës për padrejtësitë që ka hequr populli jonë. Tekstet dhe tërë këngët e tij si p.sh: “Jam Europë“, “Jam këtu”, “Këtu kam folenë“ dhe shumë të tjera, akuzojnë drejtpërsëdrejti të mëdhenjtë e kësaj Europe për padrejtësitë ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ka mbetur proverbial përkufizimi i Gj. Fishtës për Europën: “Moj Europë moj kurva e matit”. Një tjetër poet atdhetar Hysmi Milloshi, në poemën “Atdheut” shkruante:
“Atdhe, atdhe, që Europën dikur në djep e përkunde,
Si valle mirënjohje prej saj kurrë të gjeje nuk munde…
……………………………………………
Dhe më poshtë vijon”
Dhe zbritën një ditë në Vlorë, të dhanë, Atdhe mvetësinë,
Po Juda Europë ta vrau me thikë mbi shtat nusërinë….
Ndërsa dy poetët e mësipërm, padrejtësitë e Europës ndaj kombit shqiptar i përkufizonin kështu, këngëtari atdhetar Ilir Shaqiri, këto mesazhe i ngre akoma më lart, deri në akuzë ndaj shkaktarëve të padrejtësive ndaj kombit tonë. Në tekstin e këngës “Jam Europë” ka edhe këto konstatime të këngëtarit atdhetar: “Moj Europë e bija e kallkanit/ të vunë zjarrin mes Ballkanit” e më pas vijon: “100 vjet që pres ngushëllim,/ Po i lajnë duart me gjakun tim” e vijon: “si kujton, si kujton… “ Asnjë politikan as qeveritar në tërë hapësirat shqiptare, në 30 vitet e fundit, nuk ua ka thënë më qartë e më me guxim krimet që kanë bërë ndaj kombit, se Ilir Shaqiri. Kënga e Ilir Shqirit për Europën e padrejtësive ka edhe nota të qarta paralajmërimi kur shtron pyetjen: “Si kujton, si kujton” çka do të thotë se, durimi është sosur dhe populli do të marri në dorë fatet e veta.
Me repertorin e albumit prej 100 këngësh të Ilir Shaqirit, ka edhe jo pak këngë malli e krenarie, që e plotësojnë dhe e pasurojnë akoma më bukur ansamblin e mrekullueshëm të këtij këngëtari prej 621 këngësh. Nuk kishin si të mungonin, në këtë reporter këngët: “Udhët e mia”, “Fjalët e qiririt”, “Poçari”, “Ti do të mbetesh i ri”, “Serish vjen pranvera”, “Drenica ime”, “Te rrapi në Mashkullorë”, “Mjerimi” e tjera që kur i dëgjon të ngjallin mall dhe krenari, por edhe kënaqësi për nivelin e lartë të të kënduarit. Një vend mjaft të rëndësishëm dhe të nderuar zënë, në këngët e Ilir Shaqirit një bllok tjetër këngësh si: “Princesha e Dukagjinit”, “Tringa e Prekazit”, “Cuca e Uskanës”, “Nusja e Malësisë“, “Moj e rritura në Kosovë“, “Bukuroshja e Prizrenit”, ç’ka tregon se femra, që me të drejtë është quajtur edhe si “Nëna e botës dhe si bijë e saj”, në këngët e Ilir Shaqirit del me tërë virtytet e vlerat morale si një luftëtare e drejtpërdrejtë në tërë dramat dhe kthesat historike të Kosovës, edhe për lirinë e saj, si një luftëtare e barabartë edhe me burrat më të dëgjuar. A nuk ishin të tilla Nora e Klemendit, Bubulina, Tring Smalja, Shote Galica, Ganimetja, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Margarita Tutulani, Shejnaze Juka, Xhevë Lladrovci, Zahide Jashari dhe qindra të tjera që ngjeshën gjerdanin me fishekë dhe kapën armët në rradhët e UÇK-ës për të njëjtat motive si paraardhëset e tyre për lirinë e Kosovës dhe qindra të tjera që në çdo fazë të historisë sonë kanë qenë të pranishme me kontributin deri në vetëmohim. Për këto arsye edhe këngëtari poet Ilir Shaqiri i ka ngritur aq lart në artin poetik dhe të këngës.
Ilir Shaqiri ka mbaruar studimet e larta për gjuhë- letërsi shqipe në Prizren dhe Prishtinë. Është magjistruar në degën e letërsisë me temën “Estetika dhe semiotika”. Ka krijuar mbi 621 këngë në muzikën tonë të lehtë, popullore dhe për fëmijë. Krijues i muzikës në 17 filma dokumentarë, krijues i muzikës për shfaqjet “Zeka i Zi” dhe “Fizikantët” në Teatrin Kombëtar. Ka botuar 34 albume muzikore dhe 4 video-albume me këngë.
Në vitin 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë boton albumin muzikor me 100 këngë të përzgjedhura. Ka botuar studimin “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të nënës” 2014, romanin “Tan Temali” në shtëpinë botuese “Toena”, Tiranë në vitin 2014, romanin “Lemza e dheut”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë në vitin 2016, poemën “Adem Jashari”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë 2018. Është autor i filmit dokumentar “Hapi i çeliktë“ në vitin 2014, autor i filmit dokumentar “Zëri i këngëve lapidare” në vitin 2017. Është autor i skenarit për film të gjatë artistik “Kangjelet” në vitin 2016-2017. Ka interpretuar në film artistik “Vite të rëndësishme” në vitin 1997. Ka interpretuar mijëra këngë shqipe, nëpër mijëra koncerte (shumica prej tyre humanitare), nëpër shumë vende të botës ku jetojnë shqiptarët: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, Turqi, Bosnje, Kroaci, Slloveni, Itali, Austri, Zvicër, Gjermani, Çekosllovaki, Belgjikë, Luksemburg, Francë, Holandë, Danimarkë, Angli, Suedi, Norvegji, Finlandë, SHBA, Kanada dhe Australi. Në vitin 1998 ka mbajtur 109 koncerte nëpër Europë në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 1999, gjatë luftës çlirimtare është anëtar i Trupës Ushtarake-Artistike themeluar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Është vlerësuar brenda dhe jashtë vendit me çmimet e jurisë dhe publikut si: “Fest-Arb” në Shkup 1992, “Kënga Shqiptare” në Prishtinë 1995, Festivali Ndërkombëtar “Special avard folkmoot USA” në Karolinën e Veriut 1994, “Këngëtari emblematik i Ballkanit”, në Bruksel 2000.
Është nderuar me “Mirënjohje” nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës 1999, “Mirënjohje” nga Shoqatat e dala nga lufta e Kosovës 2000, “Nderi i Odës Dibrane” Peshkopi 2004, “Naim Frashëri i Artë“ nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë në vitin 2011, “Mirënjohje” nga Batalioni i Forcave Speciale të Shqipërisë në vitin 2014, “Medalje” nga ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë në vitin 2014, “Mirënjohje” nga Kryepeshkopi Kontinental i Arbëreshëve në vitin 2017, “Kalorësi i Skënderbeut” nga Arbëreshët në Kalabri 2017.
Veprimtaria e tij kreative është përmbledhur në monografinë “Heroizëm dhe dashuri” me autor Prof. Dr. Kudusi Lama, botuar nga LSHK, 2013. Është anëtar në “Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës”. Vokacioni i tij muzika, proza dhe poezia moderne. Aktualisht është “Mbikëqyrës artistik për programe me të veçanta” në Radiotelevizionin e Kosovës.
Siç shihet nga të dhënat e jetës, shkollimit, dijes, veprimtarisë dhe rezultateve si: shkrimtar, poet, skenarist filmash, regjisor, studiues dhe këngëtar i jashtëzakonshëm, mund të thuhet pa më të voglin teprim se, Ilir Shaqiri, sot, është këngëtari më i kompletuar në tërë hapësirat mbarëkombëtare ku jetojnë shqiptarët. Ilir Shaqiri, nuk është thjesht këngëtar, ai së pari është një poeti i mirëfilltë, por edhe i teksteve të këngëve të veta, dhe më pas, edhe interpretues i tyre i jashtëzakonshëm. Krijues dhe interpretues të nivelit kaq të lartë janë të rrallë, ose aspak, në gjirin e këngëtarëve shqiptar. Poezitë, pra tekstet e këngëve të Ilirit, janë historia dhe përjetimet reale të jetës e luftës së shpirtit dhe gjakut atdhetar në shekuj. Ato janë edhe art realist dhe i pavdekshëm. Këngët e tij janë histori dhe art, janë kulturë dhe amanet. Janë virgëllima shpatash e këngë maliheri. Janë simfoni lirie dhe heroizëm i ngritur në piedestale pavdekësie të atdhetarëve tanë nëpër shekuj.
Pasi mbaroi shkollën mjekësore dega farmaci, Iliri Shaqirit ju dukën të ngushta muret e farmacisë dhe të pakta ato barna që do t’u jepte të sëmurëve bashkëkombas. Ai kishte kuptuar se, fundi i viteve 70-të dha fillimi i viteve 80-të, të shekullit të kaluar, Drenica, mbarë Kosova, kishin nevoja më të mëdha se sa për aspirina. Ai kishte kuptuar se duhej kërkuar edhe rrugë të tjera për t’i dhënë popullit atë ushqim shpirtëror e atdhetar që ua kishte hequr pushtuesi mizor serb prej 100 vitesh. Studimet e larta për gjuhë- letërsi për Ilir Shaqirin, rezultuan të ishin të duhurat për prirjet e tij, më e suksesshme në ato kushte dhe më humania ç’ka i “përshtatet edhe fisnikërisë djaloshit që po rritej duke u shkolluar dhe po formohej duke kënduar këngët e atdheut të tij, që dilnin nga shpirti atdhetar i popullit të Kosovës. Gjatë jetës rinore dhe të shkollimit të lartë, Ilir Shaqiri, siç del nga sa u tha edhe më lart, ju përkushtua me seriozitet këngës popullore atdhetare. Përkushtimi arriti deri atje sa Iliri, është edhe bashkëkrijues i Ansamblit me këngë e valle në Drenicë ku bënë pjesë edhe vëllai i Ademit, Hamëz Jashari. Kështu nëpërmjet teksteve të këngëve atdhetare që kishin mundësi, historinë tonë të përgjakur, Ansambli “Drenica” dhe këngët e Iliri Shaqirit, thyen muret e heshtjes, vranë frikën nga pushtuesi, rritën vetëdijen kombëtare, emocionet dhe entuziazmin kudo ku kishte shqiptar, brenda dhe jashtë Kosovës, edhe në Shqipëri. Me këngët e Ilir Shaqirit, kuptohet jo i vetëm, ndodhi ajo siç shkruante një poet në Shqipëri:
Zgjoi Kosovën të rrokë shpatën,
Zgjoi një komb martirë në shekuj,
Që linde djem e rrite tempuj…
Ilir Shaqiri, ndryshe nga shumë moshatarët e vet në formim, kishte kuptuar ndër të parët se, shkalla më e lartë e vetëdijes dhe emancipimit të një individi, të një populli a tërë një kombi, është lufta për çlirimin nga robëria. Dhe kjo, nuk mund të arrihet pa angazhimin e mbarë popullit. Por lëvizjet popullore marrin përmasat e uraganit kur vetëdija, krenaria, bindja arrihet në shkallën më të lartë të mobilizimit. Si rrugë për t’ia arritur kësaj, papërjashtuar të tjerat, ku e gjente veten dhe ku mund të jepte kontributin e vet, këngëtari Ilir Shaqiri, gjeti këngën atdhetare – patriotike, që lidheshin me historinë, me luftën, heronjtë, me dëshmorët, me ngjarjet historike, dhe sakrificat që i janë dashur të bëjë populli ynë ndërshekuj. Është shumë interesante, e admirueshme dhe meriton përgëzime dhe vlerësime maksimale fakti se, ndryshe nga tërë këngëtarët e hapësirave shqiptare, Ilir Shaqiri, edhe pse njëri nga këngëtarët më të suksesshëm dhe më i kërkuari kudo ku jetojnë shqiptarët, nuk ka mbetur vetëm me këngën e tek kënga edhe pse i jashtëzakonshëm e i suksesshëm. Ai vazhdon të studiojë dhe të thellohet në studime të fushës së tij. Ai përfundon studimin me temën “Estetika dhe semiotika” dhe u vlerësua maksimalisht. Duke e ndjerë veten vërtetë në hullinë e krijimtarisë artistike, Ilir Shaqiri, botoi veprën tjetër studimore: “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të nënës”. Temën studimore që lidhet me nënën, tregon ndër të tjera, shkallën e lartë të vetëdijes së Ilir Shaqirit, për ta vendosur nënën në atë piedestal vlere dhe nderimi të pazëvendësueshëm, pa të cilën bota nuk do të ekzistonte. Nënës, në tërë kohët, në çdo vend dhe tërë poetët e shkrimtarët, krijimet më të bukura, ua kanë kushtuar asaj dhe tërë nënave tona. Edhe Ilir Shaqiri me krijuesit më të mirë paraardhës e bashkëkohës e ka rreshtuar veten. Në vijim, po me këto vite me studimin, botoi romanin “Ton Temali”. Dy vjet më vonë boton romanin tjetër: “Lemza e dheut”. Dhe pas dy vjetësh të tjera boton poemën homerike “Adem Jashari”, për të cilin do të flasim në një rast tjetër.
Në poezitë dhe këngët, në romanet dhe filmat ku ka penën Ilir Shaqiri, ndjehen lotët dhe malli i nënave, vajzave e grave, gjëmimi i gjëmave të burrave, trishtimi i zemrave të popullit, vajtimet krenare, por edhe muzika funebre e tragjedive tona, por edhe simfonia e luftës dhe lirisë, përkulja e fijeve të barit në nderim të të rënëve për liri, por edhe e kuqja e bozhureve të Kosovës simbol i gjakut dhe shpresës e tjerë, janë si një poemë që s’mbaron kurrë në zërin dhe penën e Ilir Shaqirit, si një katarakt ujëvarash shpirti, ku ka mbjellë e vaditur si në një mal të bukur të shpirtit njerëzor artist. Shpirtin human e njerëzor të krijuesit artist Ilir Shaqiri, është si një oqean i madh, që as se shterojnë dallgët e as nuk e ngrijnë dimrat e egër.
Tërë krijimtaria e këngëtarit poet Ilir Shaqiri, janë shkruar e realizuar me frymëzim poeti, pasion shpirti dhe vullnet të pathyeshëm. Këto tri cilësi, në krijimtarinë e Ilir Shaqirit, kanë si burim dhe arritjet tek historia e Drenicës dhe Kosovës, që ka qenë një simfoni shekullore e jashtëzakonshme rezistence e qëndrese me burra e gra trima, që historia e mbijetesës i ka detyruar t’i faleshin armës më parë se Perëndisë. Në rrebeshet e pushtimeve dhe flakëve të luftës, shqiptarët e Kosovës shndërroheshin në Dragonj dhe tundin edhe malet. E në këto beteja, po t’u derdhej, gjaku ju ndizej flakë si barut dhe përsëri iu kallte frikën dhe flakën pushtuesve. Patjetër se të tilla drama do të jenë endur në sytë dhe shpirtin e Ilir Shaqirit, që në vogëli, duke i krijuar një dhimbje madhështore nga të cilat do të shpërthenin elegjitë poetike të këngës. Që këtej duhet kërkuar, dhe në të vërtetë kështu është, ligjërimi në poezi e këngë për atdheun e lirinë që kanë buruar nga shpirti dhe gjaku i Ilir Shaqirit. Për Ilir Shaqirin kishte “Ardhur koha t’i mbajmë vetë rrufetë në duar, pa frikë…” dhe se “Vetëm duke dashur fort Atdhe, dielli do të hapë dhe një sy për ne”, shkruante poeti këngëtar Ilir Shaqiri në poemën “Adem Jashari”!
