Ky përfundim del nga një analizë e shkurtër e tatimeve dhe taksave prej vitit 2005, kur në qeverisje është PD. Të ardhurat nga tatimet dhe taksat zenë rreth 90 për qind të të ardhurave gjithsej të buxhetit të shtetit (pa të ardhurat e organeve të qeverisjes vendore, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore). Pjesën tjetër e zenë të ardhurat nga ndihmat dhe ato jo-tatimore. Të ardhurat tatimore dhe doganore përbëhen nga 6 tregues kryesorë: tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSh), tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, akcizat, taksa nacionale e të tjera dhe taksa doganore. Pesha e secilit prej tyre në buxhetin e shtetit paraqitet si vijon:
1. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSh) zë peshën më të madhe të të ardhurave në buxhetin e shtetit me rreth 44-46 për qind në vitet 2007-2012. Rreth 78 për qind e të ardhurave nga ky tatim vjen nga sistemi doganor, kundrejt 22 për qind nga administrata tatimore. TVSh për herë të parë tek ne u vendos më 1996 nga qeverisja e PD, në masën 12.5 për qind. Në shtator 1997, qeverisja e PS, në përpjekje për të nxjerrë vendin nga gremina fiskale ku kishte rënë, në konsultim dhe me mbështetjen e FMN, BB, KE etj, e rriti TVSh nga 12.5 në 20 për qind, afër me vendet fqinjë e më gjerë. Ky kufi mbeti i palëvizuar edhe në tetë vjetët e tjera të qeverisë Berisha. Demokratët e patën kundërshtuar rritjen e masës së këtij tatimi, dhe ishin zotuar se do ta ulnin sapo të vinin në pushtet. Mirëpo kjo nuk ndodhi gjatë katër vjetëve të para. Në programin e qeverisë për vitet 2009-2013 ata u rizotuan për “një shkallë më të ulët të TVSh për shërbimet e mallrat e lidhura me arsimin dhe shëndetësinë”.Mirëpo Qeveria Berisha, apo “qeveria e taksave të ulëta”siç u pëlqen të vetëquhen, jo vetëm nuk e uli masën prej 20 për qind, por nuk bëri as diferencim për ndonjë lloj artikulli për shtresa të caktuara shoqërore. TVSh, si tatim në sferën e konsumit, e shndërron pjesën më të madhe të firmave dhe individëve në kontribues për buxhetin e shtetit. Por si tatim indirekt regresiv, ai godet më shumë personat me të ardhura më të ulëta, prandaj pas dy dekada ekonomi tregu, nuk ka kuptim të mbetet vetëm i “sheshtë”.
2. Të ardhurat nga akcizat kanë zënë 14-15 për qind të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Gjatë këtyre viteve janë bërë vetëm disa ndryshime të lehta, jo thelbësore në tarifat e artikujve përbërës, si të kafesë, pijeve, alkooleve, duhanit e nënprodukteve, karburanteve, kozmetikëve etj. Të ardhurat nga akciza për vitin 2012 rezultuan 10.5 për qind më pak se parashikimi dhe 2.6 për qind më pak se viti 2011. Rënie ka si nga akciza e mbledhur nga administrata doganore dhe ajo tatimore. Sasitë e çdoganimeve të karburanteve, birrës, cigareve dhe kafes, si artikuj të fortë dhe me peshë në të ardhurat e buxhetit kanë rënë gjatë viteve 2009-2012 ndonëse kërkesat e tregut dhe të konsumit kanë qënë në rritje. Sipas të dhënave zyrtare të MF gjatë 9-mujorit të vitit 2012, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2009 janë çdoganuar më pak 21,895 tone karburante, 5,574 tone birrë, 732 tone cigare etj, gjë që tregon për shkallën e e lartë të kontrabandës dhe korrupsionit në këtë sektor. Duke filluar nga 1 tetori 2012, sipas ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSh”, e gjithë akciza mblidhet dhe administrohet nga administrata doganore. Ligji ndryshon elementët e deklarimit, pagesës dhe kontrollit si dhe strukturën e akcizës për disa mallra, por jo masën e tyre.
3. Të ardhurat nga taksat nacionale kundrejt të ardhurave gjithsej janë luhatur, nga 7.4 për qind më 2007 në 5.6 për qind më 2009, në 8.2 për qind më 2011 dhe 11 për qind më 2012. Rritja gjatë 2012 nuk ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së efektivitetit të administrimit, por si rrjedhojë e vendosjes të tarifave për legalizimin e pasurive të paluajtshme nga individët, proces i nisur në maj 2011 dhe i përfunduar në gusht 2012. Të ardhurat nga taksat nacionale për vitin 2013 priten të jenë të ulëta ndaj të pritshmit të vitit 2012, pasi nuk do të ketë nisma si vitin e kaluar. Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur ulje të taksave nacionale krahasuar me vitet e mëparëshme.
4. Të ardhurat nga taksat doganore, kanë ardhur në ulje, si në vlera absolute dhe në raport me të ardhurat e buxhetit të shtetit, nga 9,8 miliardë lekë më 2007 në 6.1 miliardë lekë më 2012, ose përkatësisht nga 4.9 për qind në 2.2 për qind. Të ardhurat nga taksa doganore për vitin 2012 janë 11.2 për qind më pak se më 2011. Për vitin 2013 parashikohen të mblidhen rreth 6.3 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 2.8 për qind krahasuar me të pritshim e vitit 2012. Ecuria e të ardhurave nga taksat doganore në vijim do të vijë në rënie për shkak të rënies të ritmeve në importet e taksuara. Edhe në këtë sektor nuk ka pasur ndryshime të ndjeshme në tarifat doganore.
5. Tatimi mbi të ardhurat personale ka zënë 10-11 për qind mesatarisht në vit të të ardhurave të buxhetit duke filluar nga viti 2008, kur filloi zbatimi i sistemit të tatimit përpjesëtimor (“taksës së sheshtë”) kundrejt 7.4 në vitin 2007. Në Shqipëri, nga viti 1993 deri më 2007, për 14 vjet, është përdorur sistemi i tatimit progresiv, kurse nga 1 janari 2008 ka filluar “taksa e sheshtë” ku të ardhurat personale dhe fitimi tatohen me 10 për qind. Sistemi i tatimit progresiv përdoret në mbi 164 vende të botës, nga 196 gjithsej: në BE, ShBA, Japoni, Brazil, Australi, Kinë, Egjypt, Kosovë e vende të tjera. Kurse “taksa e sheshtë” filloi të zgjerohet pas vitit 1990. Estonia ishte e para që përdori këtë sistem më 1994, e pasuar edhe nga vendet e tjera balltike, Rusia më 2001 dhe republika të tjera ish-sovjetike, Serbia më 2003 dhe vende të ish-Jugosllavisë, Slovakia më 2004 dhe vende ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore. Këto dhe të tjera, përbëjnë një listë prej 32 vendesh. Kalimin në “taksën e sheshtë”, krerë të qeverisë e quajnë si ulje takse. Por në fakt me “sheshimin e tatimit” në nivelin 10 për qind kemi një rritje prej 9 për qind për grupin e parë me të ardhura të ulëta, 6.4 për qind për grupin e dytë, 2.9 për qind për grupin e tretë, 4.6 për qind për grupin e katërt dhe 3.2 për qind më e ulët për grupin e pestë. Pra, “taksa e sheshtë” ul të ardhurat e grupeve të para, që përbëjnë shumicën dhe favorizon grupin e pestë, me të ardhura më të larta.Duke mbajtur parasysh se të ardhurat 30-90.000 lekë zenë pjesën më të madhe të pagave, mund të shprehemi se sistemi i “taksës së sheshtë” godet individët me të ardhura personale të ulëta dhe të mesme dhe favorizon individët me të ardhura të larta.Z.Berisha bën “autogol” kur e etiketon tatimin progresiv si praktikë marksiste, në një kohë kur më 1993 e zgjodhi vetë këtë sistem, të cilin socialistët e vazhduan nga 1997 deri më 2005 dhe kur po vetë ai e vazhdoi deri më 2007. Po kështu, ai i quan marksistë edhe ata liderë botërorë që përdorin prej gati një shekull, tatimin progresiv.
6. Në kuadrin e kalimit në sistemin e “taksës së sheshtë”, tatimi mbi fitimin, nga 20 për qind u ul në 10 për qind nga viti 2008. Shprehur ndryshe: nga 80 për qind të fitimit që i lihej më parë biznesit deri më 2007, duke filluar nga viti 2008 i lihet 90 për qind. Me këtë ulje qeveria synonte të nxiste krijimin e bizneseve të reja vendase dhe të huaja dhe, në këtë mënyrë të rriste të ardhurat për buxhetin e shtetit, por në fakt ndodhi e kundërta; ulja e tatimit mbi fitimin solli si pasojë rënien e të ardhurave nga 21 miliardë lekë ose 10.5 për qind kundrejt të ardhurave të buxhetit të shtetit më 2007 në 16.8 miliardë lekë ose 6.2 për qind më 2012. Madje në këte raport parashikohen të mbeten edhe në vitin 2013. Kjo tregon se ndryshe nga “rrafshimi” në rritje që qeveria i bëri tatimit mbi të ardhurat personale, në rastin e biznesit ky “rrafshim” solli rënie të të ardhurave. Nuk kanë siguruar fitime apo “punojnë” me dy bilance, kjo është detyrë e organeve të specializuara qeveritare për ta verifikuar. Por një gjë është e sigurt: ecuria për mirë ose për keq e një biznesi nuk varet thjesht nga masa e një tatimi, por nga një kompleks faktorësh, që e ndihmojnë apo pengojnë realisht biznesin. Kjo qeveri e “djathtë” flet nga mëngjesi në darkë për rritje pagash e pensionesh dhe për çudi, asnjëherë nuk kemi dëgjuar të flasë për rritje fitimi nga firmat private.
Në përfundim mund të shprehemi seqeveria Berisha, me fjalë është për uljen e taksave, se në fakt ndjek një politikë “mishmash”: ajo nuk ka bërë ndryshime në tatimet dhe taksat që zenë peshën më të madhe në buxhetin e shtetit, ka rritur tatimin mbi të ardhurat personale dhe ka bërë një ulje të tatimit mbi biznesin. Një politikë e tillë ka sjellë rënien e të ardhurave të buxhetit të shtetit në raport me PBB. Për të mbuluar defiçitet që vijnë nga “taksa e sheshtë” qeveria po merr hua dhe po rrit borxhin publik në 63 për qind të PBB. Madje indirekt ka paralajmëruar se do ta çojë edhe deri në 90 për qind. Veç kësaj, kjo ka ndikuar në uljen e nivelit të jetesës të grupeve me të ardhura të ulta dhe rritjen e atij me të ardhura të larta, si dhe në thellimin e hendekut midis të varfërve dhe të pasurve. Për fat të keq, qeveria Berisha, nuk ka nxjerrë mësime nga dështimet, për rrjedhojë nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë korrigjim as në të ardhmen. Gogolin marksist ajo po e përdor për t’i dredhuar parimeve dhe qëllimeve të taksimit, të formuluara nga babai i shkencës të ekonomisë A.Smith (1776), si dhe praktikave shekullore në vëndet më të zhvilluara të botës.
duke dashur te shani sali Berishen thoni dhe non sense. Taksat ne shqiperi jane me te ultat se kudo dhe presioni fiskal eshte 20%. Doni ti ulni ulini por mos kerkoni buxhet me te madh. pra jo rruge kanalizime e ujesjellesa, spitale e shkolla.
Mjafte me paarrullat e komunizmit e te komunitetit fisnor primitiv : pa taksa.
Si mund te jete presioni fiskal 20% kur 10% e te ardhurave tatohet direkt dhe 20% e paguan ne momentin kur merr sherbimin apo kryen blerjen.
Ky sistem “Taksa e sheshte” qe aplikohet ne Shqiperi eshte sistem regresiv taksash per te cilin shtresa e varfer dhe e mesme tatohet mbi 30% dhe shtresat me te ardhura te larta tatohen mesatarisht 15-25 % sipas te ardhurave qe marrin(sa me te larta te jene te ardhurat aq me i vogel eshte presioni fiskal. Per kete po te jap nje shembull :
1- Nje person me pagen 50 000 leke te rinj ne muaj qe mund te konsiderohet i mesem ose jo shume i varfer paguan 10% tatim ne momentin kur merr pagen dhe merr 45 000 leke ne muaj . Keto leke qe i ngelen ,me keto cmime qe jane sot i bie ti prish te gjitha per te blere mallra apo sherbime te domozdoshme duke paguar ne cmimin e tyre dhe 20% TVSH si takse pra i bie te pakten te paguaj 30% te te ardhurave taksa.
Nje person qe e ka pagen apo te ardhurat 200 000 leke te rinj ne muaj paguan ne momentin qe merr pagen apo fitimet 10% tatim mbi te ardhurat dhe i ngelen 180 000 leke. Nga keto 180 000 leke per te blere mallra apo sherbime te tjera gjate muajit i bie qe te shpenzoje 100 000 leke te rinj( pasi ka te ardhura me te larta dhe do shpenzoje me shume se ai qe ka te ardhura me te ulta) dhe per keto shpenzime paguan bashke me cmimin e mallrave dhe 20% TVSH. Ndera diferenca prej 80000 leke qe i ka ngelur ne forme kursimi apo teprice eshte tatuar vetem 10%.Pra per kete person presioni fiskal shkon ne 25% ndersa per personin e pare ishte 30%. Po keshtu sa me te larta te jene te ardhurat aq me pak taksa paguan ne perqindje mbi te ardhurat. Kjo eshte e thjeshte, por ju ose nuk e kuptoni ose nuk doni ta kuptoni