Dje dhe sot, me gojë dhe shkrim, anëtarë të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, kërkojnë rikthimin në detyrë të dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shkarkuar më parë sipas ligjit, me vendim të Kuvendit. Arsyea “ligjore” e opozitës ? Gjykata Kushtetuese – thonë – ka shfuqizuar normën ligjore (neni 4 i ligjit mbi KLD-në) që parashikonte rastet e shkarkimit të anëtarëve të KLDsë të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë.
A qëndron sipas Kushtetutës dhe ligjit kjo kërkesë ?
Së pari, kërkesa e opozitës në këtë rast nuk merr parasysh parimin e veprimit të ligjit në kohë. Ligji, në një shtet ligjor, vepron për një periudhë të caktuar, dmth ai e shtrin veprimtarinë e tij nga momenti i hyrjes në fuqi dhe deri kur pushon veprimtaria e tij, apo shfuqizohet. Dhe kjo është siguri juridike. Shfuqizimi i një ligji mund të bëhet në formë të shprehur apo në formë të heshtur, dhe një nga llojet e shfuqizimit të shprehur është ai nëpërmjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjë, që do të thotë se Vendimi i Kuvendit, për shkarkimin e dy anëtarëve të KLSsë, i bazuar në ligjin në fuqi të kohës, ka qënë në pajtim të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin. Dhe kjo është siguri juridike. Së dyti, është e vërtetë që Kushtetuta thotë se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”.
Por është po aq e vërtetë, që Kushtetuta thotë se “ Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve që shqyrton”. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka vendosur papajtueshmërinë e nenit 4 të Ligjit për KLDnë me Kushtetutën, por nuk ka shfuqizuar Vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Cefës dhe Lelçajt. Po këtu Gjykata Kushtetuese, nuk ka bërë ndonjë gjykim përfundimtar të ankesave të individëve Cefa dhe Lelçaj për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor. Së fundi, sipas ligjit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim dhe ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sigurohet nga Këshilli i Ministrave apo nga një organ tjetër që ngarkohet nga vet Gjykata me zbatimin e vendimit si dhe me mënyrën e ekzekutimit të tij.
Sot në Shqipëri, nuk ka dhe nuk mund të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që të detyrojë ndonjë organ kushtetues të rikthejë në detyrë Cefën dhe Lelçajn. Kërkesa e opozitës ? Mbetet biblike kur thuhet se askush nuk mund tu shërbej dy Perëndive dhe Kushtetutës dhe Partisë.
