Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Çfarë ndodhi me familjen Haklaj pas vrasjes së djalit të katërt, Yllit, më 3 dhjetor 2000? Pse Hamdi Haklaj duhej të mbijetonte për të shpëtuar fëmijët jetimë të vëllezërve të vrarë? Tritoli në shtëpinë e Azgan Haklajt ku u vra Shote Haklaj. Për çfarë e bindi SHIK-u Jaho Mulosmanin dhe pakti për të shpëtuar familjen.
Artan Hoxha: Pas vrasjas së katër vëllezërve, Hamdi Haklaj, vëllai i madh dhe i vetmi i familjes, duhej të ruhej. Më 21 janar 2001, Forcat Speciale nga Tirana mësyjnë në kullën e Azgan Haklajt dhe bëjnë arrestimin e tij. Ndërkohë, rivalët godasin tashmë dhe të afërmit e familjes Haklaj. Viktima e radhës është Petrit Braha, nga Kërnaja, ish-efektiv i Forcave Speciale
(Vijon nga numri i kaluar)
Vrasja e djalit të katërt, Yllit, i kishte hapur një gropë të madhe familjes Haklaj. I mbijetuari i vetëm, vëllai i madh Hamdiu, 53 vjeçar, tani duhej të tregohej më i kujdesshëm, për shkak se eleminimi fizik i tij, kërcënonte zhdukjen e gjithë familjes. Plakut 74 vjeçar, Muharrem Haklaj i duhej të kryente punët e përditshme për të furnizuar me ushqime e nevoja të tjera familjen. Hamdiu nuk mund të ekspozohej më publikisht për çfarëdo situate qoftë. I cilësuar si truri i Haklajve, ai ishte tani objektivi i radhës për kundërshtarët. Hamdi Haklaj ishte njëkohësisht dhe dëshmitari më i informuar që dinte me detaje gjithçka kishte ndodhur. Ai njihte prapaskenat dhe ujditë që kishin bërë vëllezërit e tij të vrarë me politikanët më të lartë të vendit në periudha të caktuara kohore. Hamdiu njihte ekzekutorët që po tentonin të shfarosnin dhe pinjollin e fundit të familjes. Ai duhej të mbetej i gjallë jo vetëm për të mbajtur të bashkuar të mbijetuarit, miqtë dhe njerëzit që u kishin shërbyer Haklajve për vite me radhë, detyra kryesore e tij ishte të siguronte jetën dhe rritjen e fëmijëve jetimë të familjes, që mbiemri Haklaj të mos zhdukej nga faqja e dheut. Ekzekutimi me snajper i Yllit, i detyroi dy vajzat e familjes, Aishen drejtoreshë e shkollës së mesme në Bujan dhe Zylfien, mësuese e fizikës në shkollën 8-vjeçare të Kërnajës, të merrnin përsipër përgjegjësi më të mëdha. Zylfia qëndronte përditë me prindërit dhe fëmijët e vëllezërve të vrarë në kullë, duke u ndikuar fortë psikologjikisht nga kjo situatë kaq tragjike. Mësuesja e fizikës kishte bërë një betim në varrimin e vëllait të katërt, Yllit dhe ngjarjet që vijuan dëshmuan se ajo po jetonte vetëm për të mbajtur këtë premtim.
TROPOJA
Sulmi i dështuar mbi komisariatin e Bajram Currit riktheu dhe njëherë frikën, tmerrin dhe pasigurinë te banorët e Tropojës, të cilët nisën ta braktisnin vendlindjen një orë e më parë, për të shpëtuar familjet e tyre. Rrezja e shpresës që kishte sjellë për ta në vjeshtën e 1999-s komisar Gani Malushi, tashmë ishte venitur. Në pozita aspak më komode ishte dhe dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë. Kreu i saj, Azgan Haklaj pasi kishte ripërtërirë shpresën te demokratët, u vu në shënjestër të strukturave ligj zbatuese të shtetit. Ai akuzohej dhe fajësohej si organizatori kryesor dhe drejtuesi direkt, jo vetëm i antimitingut të 26 shtatorit, kur u synua sabotimi i vizitës së kryeministrit Meta, por dhe i ngjarjeve të 28 nëntorit, kur u sulmua policia në Bajram Curri. Garancia që i dhanë drejtuesit e PD-së në Tiranë se askush s’do të guxonte ta prekte me dorë, rezultoi e pamjaftueshme.
ARRESTIMI
Në orët e para të mëngjesit të 21 janarit 2001 në gjykatën e Tiranës u zhvillua një seancë e fshehtë me dyer të mbyllura. Prokuroria kërkoi që gjykata të lëshonte një urdhër arresti për kryetarin e PD-së së Tropojës Azgan Haklaj. Ai akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në bashkëpunim në sulmin ndaj institucioneve shtetërore si dhe për shkatërrim e shkaktim të dëmeve të mëdha të pronës publike. Gjykata e miratoi kërkesën e prokurorisë. Ky vendim iu dorëzua urgjentisht Policisë së Shtetit që nisi drejt Tropojës agjentët e antiterrorist dhe trupat speciale të RENEA-s. Për të mos patur rrjedhje të informacionit, komisariati i Tropojës nuk u vu fare në dijeni. Mesnatën e 21 janarit 2001, trupat speciale mbërritën në Bajram Curri dhe pa humbur kohë iu drejtuan banesës së Haklajt. Arrestimi i kreut të PD-së së Tropojës ishte më tepër një rrëmbim personi sesa ekzekutim i një vendimi të gjykatës. Ndaj tij u veprua sikur të ishte një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore që paraqiste një kërcënim serioz për trupat e policisë, dhe jo si ndaj një qytetari të zakonshëm. Trupat speciale hynë në banesën e Haklajt duke shqyer derën dhe më pas përdorën forcën gjatë arrestimit dhe shoqërimit të menjëhershëm të kreut të PD-së së Tropojës drejt kryeqytetit. Autokolona e forcave speciale udhëtoi për gjithë natën në rrugën e vështirë të Qafë Malit dhe në orët e para të mëngjesit pakoja u dorëzua në burgun 313.
REAGIMI
Opozita u çua në këmbë duke protestuar ashpër për mënyrën sesi Haklaj u arrestua, dhe e cilësoi atë një akt banditesk që u shoqërua deri dhe me ushtrimin e torturës ndaj të ndaluarit. Mbështetësit e opozitës organizuan protesta në gjithë vendin për këtë veprim të policisë. Vëzhguesit e OSBE-së, Komitetit të Helsinkit, Kryqit të Kuq, Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut e deri Departamenti i Shtetit Amerikan e cilësuan veprimin e policisë, si tejet të dhunshëm, me shkelje të rënda të ligjit dhe se gjatë transportit i ndaluari ishte torturuar. Pavarësisht protestave të ndërkombëtarëve dhe medies, Haklaj qëndroi për gjashtë muaj me radhë në burg në pritje të gjykimit. Akuzat ndaj tij nuk u provuan kurrë pasi u lirua nga salla e gjyqit me një vendim të Gjykatës së Lartë më 21 korrik 2001. Haklaj ishte një rast i paprecedentë, ai kandidoi për deputet në zonën numër 9, të rrethit të Tropojës duke qenë i burgosur dhe fitoi bindshëm ndaj rivalit socialist. Haklaj u arrestua nga forcat speciale me akuza si terrorist dhe u lirua si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
SULMI I HAKLAJVE
Me ardhjen e pranverës kundërshtarët e Haklajve ndërmorën edhe një sulm tjetër ndaj kullës së fortifikuar duke synuar sërish eliminimin e Hamdiut. Komando që ndërmori këtë sulm dyshohet se ishte e njëjta me atë që ia doli mbanë të ekzekutonte me snajper Ylli Haklajn. Hamdiu dhe njerëzit e tij u gjetën në gatishmëri dhe hapën zjarr nga vend rojet e kullës përpara se të binin viktima të snajperëve të komandos, duke i detyruar ata të tërhiqen pa ia arritur qëllimit. Shkëmbimi i zjarrit ishte i ashpër nga të dyja anët dhe zgjati për afro 30 minuta. Pavarësisht panikut që krijoi në zonën përreth, banorët e Kërnajës tashmë ishin mësuar me ngjarje të tilla. Ndërsa për policinë ishte njëlloj sikur luftimet të zhvillohen në Kandahar, dhe jo në Tropojë, a thua se rrethi më verior i vendit nuk ishte pjesë territoriale e Republikës së Shqipërisë. Hamdi Haklaj për të parandaluar goditjet me snajper në distancë ndërmori një tjetër masë mbrojtëse. Ai vuri njerëz për të prerë pyllin në kodrën sipër kullës, nxori roje vëzhgimi me dylbi në pika dominuese të fshatit dhe njëkohësisht instaloi një sistem të ri mbrojtje, duke vendosur dërrasa druri në formë labirinthi brenda rrethimit të fortifikuar të kullës. Rrethimit me mure guri dhe betoni mbi katër metra të lartë, iu shtua një gardh me tel me gjemba një metër e gjysmë sipër tij. Ndërsa brenda murit të jashtëm gjithçka ishte e mbuluar me një sistem të tërë dërrasash druri, i pa parë deri në atë kohë në Shqipëri. Në këtë mënyrë njerëzit që ishin brenda rrethimit të kullës mund të lëviznin lirisht për të kryer punë të ndryshme pa u trembur se mund të goditeshin nga snajperët profesionistë.
GODITEN HAKLAJT
Për të paralizuar krejtësisht Hamdi Haklajn, kundërshtarët vendosën të godasin njerëzit e afërt të tij, të cilët përbënin rrezik për ta. Një nga më kryesorët ishte Petrit Braha, nga Kërnaja, ish-efektiv i forcave speciale. Braha shihej si një kërcënim serioz dhe i aftë të realizonte goditje në interes të Haklajt. Për ta neutralizuar këtë rrezik, u organizua një pritë ndaj tij. Paraditen e 20 gushtit 2001, Petrit Braha, vëllai i tij Kastriot Braha dhe nipi i Haklajve, Bilbil Selivrada, po zbrisnin nga Kërnaja drejt Bajram Currit me një fuoristradë tip Mitsubishi me ngjyrë vishnje. Pa zbritur në fshatin Sopot ata janë qëlluar me breshëri mitrolozi të lehtë dhe kallashnikovi nga persona të veshur me uniforma ushtarake me lara, të cilët ishin pozicionuar pas një bunkeri. Zjarri ka qenë i pandërprerë por manovrimi i shpejtë i Brahës ka bërë që ai t’ia hedhë vdekjes. Si rezultat i plagëve të marra u plagosën rëndë Petrit Braha dhe Bilbil Selivrada. Braha ka mbetur i paralizuar qysh nga ajo kohë dhe është larguar jashtë vendit. Autorët e kësaj prite nuk janë zbuluar nga drejtësia shqiptare, por dyshohet se janë të njëjtët që organizuan sulmet ndaj kullës së Haklajve.
VRITET SHOTE HAKLAJ
Mesnatën e 31 tetorit 2001 një shpërthim i fuqishëm eksplozivi gati rrafshoi në tokë një pallat pesëkatësh në lagjen “Partizani” të Bajram Currit. Objektivi i shpërthimit më eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte deputeti i PD-së Azgan Haklaj. Për fat të mirë ai nuk ndodhej në banesë pasi ishte ftuar në një darkë ku ishin dhe drejtues të lartë të PD-së të ardhur nga Tirana. Në apartamentin e Haklajt gjendeshin vjehrra dhe kushërira e tij, Shote Haklaj. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shembi njëri pas tjetrit të gjitha ndarjet e brendshme të pesë kateve, duke e lënë vetëm me muret e jashtme si kafaz. Një foshnje i lidhur në djep, fluturoi nga kati i pestë në të parin por zoti deshi që ai të mbijetonte. Personat që e kishin vendosur eksplozivin ishin ekspertë pasi e kishin drejtuar efektin e veprimit në mënyrë vertikale për të shkaktuar një dëm sa më të madh të ishte e mundur. Si rezultat i shpërthimit, gjeti vdekjen 27 vjeçarja, Shotë Haklaj, që sapo kishte nisur punë si korrespondente e TV Kukësit dhe u plagosën disa persona të tjerë. Për fat të mirë nuk pati viktima të tjera edhe pse në momentin e shpërthimit në pallat ndodheshin mbi 100 persona. Autorët e këtij akti të mirëfilltë terrorist, që synoi të zhdukte familjen e deputetit demokrat Azgan Haklaj dhe të paktën 20 familje të tjera nuk është zbuluar kurrë nga strukturat e specializuara të shtetit.
SHIK-u bind Jaho Mulosmanin që t’i dorëzohet drejtësisë
– Mulosmani pranoi marrëveshjen për të shpëtuar familjen. Arrestimi, truk i policisë –
Jaho Mulosmani i arratisur pa lënë gjurmë në 10 nëntor 1999 nga spitali i Bajram Currit, ishte kthyer në personin më të kërkuar nga policia shqiptare. Për njerëzit që tregonin vendndodhjen e tij ishte vendosur një shpërblim i majmë nga shteti, por askush nuk arriti ta përfitonte atë. Të vendosur në presion të madh nga opozita dhe lideri i saj Berisha, strukturat shtetërore po bënin përpjekje të mëdha për ta arrestuar Jahon, por kapja e tij dukej një mision i vështirë. Agjentët e SHIK-ut e kishin lokalizuar vend ndodhjen e Mulosmanit në Kosovë, por atyre u duhej ta bindnin që të dorëzohej para drejtësisë. Duke përfituar nga fakti se babai i Jahos u ekzekutua dhe familja e tij rrezikohej seriozisht nga kundërshtarët që nuk hiqnin dorë prej hakmarrjes, SHIK-u i ofroi një marrëveshje konkrete.
MARRËVESHJA
Shefi i kundërzbulimit të SHIK-ut kontaktoi me Jahon dhe i dha garanci se familja e tij do të merrej në mbrojtje nga shteti. Madje, familjarët e tij do të ndihmoheshin nga shteti shqiptar të largoheshin jashtë vendit në një destinacion të sigurt, i cili do të mbahej i fshehtë. Jaho Mulosmani i detyruar për të shpëtuar dy vëllezërit e tij të mitur, gruan dhe vajzat, pranoi të dorëzohej. Për të kamufluar dorëzimin e tij, SHIK-u i kërkoi Ministrisë së Brendshme që të organizonte një aksion të repartit RENEA në Tropojë. Por aksioni duhej të bëhej ditën, në mënyrë që ta shihnin banorët e Bajram Currit se shteti po vepronte. Trupat RENEA u nisën mesnatën e 5 majit 2001 drejt Tropojës. Në orët e para të mëngjesit të 6 majit, ata ishin në Fierzë në pritje për të ndërhyrë. Ndërkohë Jaho ishte sjellë nga Kosova në Tropojë një natë më parë i shoqëruar nga njerëz të sigurt dhe po i priste trupat RENEA në banesën e vjehrrit Haxhi Thaçi, në Bajram Curri. Arrestimi i tij u bë rreth orës 07.30 në mënyrë që të shihej nga gjithë banorët e qytetit. Personi më i kërkuar nga policia shqiptare për dy vjet me radhë, “çuditërisht” u kap pa asnjë armë me vete dhe pa bërë as rezistencën më të vogël. Jaho u transportua në Tiranë me helikopterë dhe lajmi për arrestimin e tij pushtoi mediet.
DESHMITARI
Më në fund njeriu i akuzuar direkt nga shefi i opozitës Berisha, se kishte vrarë Azem Hajdarin ishte në burg, por Jaho nuk dëshmoi kurrë të vërtetën e tij para trupit gjykues. Ai tha se do të fliste për ato që dinte vetëm kur Berisha të paraqitej si dëshmitar në sallën e gjyqit, gjë që në të vërtetë nuk ndodhi kurrë. Jaho Mulosmani pushtoi për ditë me radhë faqet e para të gazetave dhe revistave duke u paraqitur herë si një “killer” dhe herë si një “super-star”. Pas arrestimit të Jahos dhe largimit të familjes jashtë vendit, kundërshtarët nuk kishin kë të godisnin, por vendosën të hakmerren ndaj pronave të tij. Disa herë iu vendos lëndë eksplozive lokalit të Jahos në Bajram Curri dhe kullës së tij në Bujan, e cila është riparuar sërish. Jaho vuan në qelitë e burgut dënimin me burgim të përjetshëm si bashkëpunëtor në vrasjen e deputetit Hajdari edhe pse nuk qëlloi kundër tij. Herë pas here ai shfaqet në media dhe shpreson të fitojë lirinë nëpërmjet gjykatës së Strasburgut të cilës i është drejtuar për një gjykim të drejtë të çështjes.
(Vijon nesër)
Vazhdon “Zinxhiri” i krimeve në Tropojë
28 mars 2001
Sulmohet me snajper dhe mitrolozë të lehtë kulla e Haklajve. Objektivi i komandos ishte eliminimi fizik i me snajper në distancë u Hamdi Haklajt. Sulmi dështoi pasi Haklajt nuk u kapën në gjumë, madje ata reaguan ashpër duke shkëmbyer zjarr për afro 30 minuta.
6 maj 2001
Trupat RENEA arrestojnë në Bajram Curri, Jaho Mulosmanin, i akuzuar për vrasjen e deputetit Hajdari. Në të vërtetë Jaho bëri një marrëveshje me shtetin, pranoi të dorëzohej për të shpëtuar jetën e familjes së tij që kërcënohej të zhdukej fizikisht nga kundërshtarët.
NESËR DO TË LEXONI:
-Zylfije Haklaj, me profesion mësuese fizike, ekzekuton biznesmenin Rasim Lumneshi më 2 prill 2002, hakmerret për vëllanë e vrarë, Ylli Haklajn.
-Çfarë ndodhi mëngjesin e 14 gushtit 2002 kur plaku Muharrem Haklaj kishte dalë jashtë rrethimit të kullës për të lidhur qentë. Si mundi të shpëtojë nga tri goditjet me snajper nga prita e organizuar.
-Zylfije Haklaj shpallet në listën e 10 të kërkuarve nga policia, si mundi ajo të largohet e të kërkoj azil politik jashtë vendit.

Ju lutem stafi tè lexojmè pjesen e sotme .flm
Ketyre trimave te ketij fisi ju duhet kenduar kenga
Saliu do te varet pas gjuhe per cfare i ka bere ketij populli.Eshte egzemplar si Enver Hoxha