Atentat me mina të telekomanduara, vritet Eduart Haklaj, plagosen rëndë 4 të tjerë

anazapta

Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’.

Atentati me mina të telekomanduara më 6 majit 1999 në aksin rrugor Kërnajë-Bajram Curri ku u vra Eduart Haklaj e u plagosën Fatmir Haklaj, Sami Kërnaja, Shpëtim Gjyriçi dhe një grua. Plani i Fatmir Haklajve për hakmarrje. Atentati i 24 majit 1999 ku mbeti i vrarë Gani Neza, kushëriri i Drejtorit të Policisë së Kukësit

 

Artan Hoxha: Atentati ndodhi mëngjesin e 6 majit 1999 në aksin e rrugës Kërnajë-Bajram Curri, në vendin e quajtur Sopot. Përveç viktimës Eduart Haklaj, u plagosën Fatmir Haklaj, Sami Kërnaja, Shpëtim Gjyriçi dhe një grua që udhëtonte në automjet me ta. Nga një radio policie në vendngjarje e hetimet e para, Fatmir Haklaj hodhi dyshime tek ish-truproja e Fatos Nanos

 

Mëngjesin e 6 majit 1999, Fatmir Haklaj u nis nga kulla e tij në Kërnajë për të shkuar në komisariatin e Bajram Currit. Ai udhëtonte me një fuoristradë Land Rover me ngjyrë të bardhë, identike si ajo që Jaho Mulosmani ia kishte marrë forcërisht në mes të Bajram Currit, Drejtorit të policisë së Kukësit, Jonuz Hyka. Bashkë me Haklajn udhëtonin dhe Sami Kërnaja, Shpëtim Gjyriçi, Eduart Haklaj dhe një grua, të cilën e morën në rrugë, në vendin e quajtur Sopot. Land Roveri ishte pronë e një polici nga Bajram Curri, i cili ia kishte blerë babait të shefit të krimeve në komisariatin e Tropojës në atë kohë, Arlind Ismailukaj.

 

VRITET EDUART HAKLAJ

Një ditë para ngjarjes, Shpëtim Gjyriçi ia kishte marrë makinën kushëririt të tij, për të shkuar në Kërnajë së bashku me Sami Kërnajën. Në momentin që ndodhi atentati, në timonin e Land Roverit ndodhej Shpëtim Gjyriçi. Sapo fuoristrada ka mbërritur në vendin e quajtur Varret e Shalës, shpërthyen dy mina të telekomanduara në distancë. Minat ishin të vendosura në një mur mbajtës anës rrugës dhe shpërthimi i tyre është bërë nëpërmjet valëve të radios së policisë. Si rezultat i shpërthimit, automjeti u dëmtua rëndë, ndërsa nipi i Haklajve, Eduart Haklaj mbeti i vrarë. Për fat të mirë katër udhëtarët e tjerë, Fatmir Haklaj, Sami Kërnaja, Shpëtim Gjyriçi dhe gruaja që udhëtonte me ta mbetën të plagosur. Nuk kishte dyshim se objektivi i atentatit ishte Fatmir Haklaj. Autorët mendonin se me Land Roverin, udhëtonte dhe Jaho Mulosmani. Haklaj edhe pse nuk kishte marrë pjesë në rrëmbimin me forcë të Land Roverit të policisë nga Jaho, akuzohej nga atentatorët se ai ishte protektori i Mulosmanit. Sipas tyre, nëse Fatmiri donte, mund t’ua kthente Land Roverin pa asnjë lloj problemi.

 

AUTORËT E ATENTATIT

Vrasja e Eduart Haklajt e irritoi pa masë Fatmirin. Ai u vu në lëvizje për të zbuluar kush ishin autorët e atentatit. Nga mënyra e realizimit dhe teknologjia e përdorur dëshmohej se ata nuk ishin amatorë, përkundrazi kishte të bënte me specialistë të përgatitur mirë. Prova nga ku Fatmir Haklaj u nis për të zbuluar atentatorët, ishin mbetjet e radios së policisë që u përdor për të realizuar shpërthimin. Ajo ishte identike, si radiot e modelit të vjetër që përdorte policia. Duke qenë se punonte në polici, Haklaj e dinte se radiot e Ministrisë së Brendshme kishin numër serie nëpërmjet të cilit mund të bësh identifikimin. Ai shfrytëzoi të gjitha lidhjet e tij në kryeqytet për të zbuluar se kush e kishte tërhequr atë radio nga inventari i Ministrisë së Brendshme. Nga hetimet e Haklajt rezultoi se kjo radio ishte tërhequr nga Drejtoria e policisë së Kukësit, ku ishte drejtor Kolonel Jonuz Hyka. Kaq mjaftoi që ai të bënte një lidhje të shpejtë mes provave që kishte në dorë dhe personave që qëndronin pas atentatit. Sipas kalkulimeve të Fatmirit, Jonuz Hyka i kishte të gjitha mundësitë që duke shfrytëzuar detyrën e tij dhe mjetet e policisë, të transportonte pa probleme nga Tirana në Tropojë, jo vetëm minat dhe teknikën që duhej për shpërthimin, por dhe personat që realizuan atentatin. Për të rritur fuqinë e mekanizmit shpërthyes, atentatorët i kishin modifikuar radios nga pas dhe një bobinë, në mënyrë që të ishin më të sigurt.

 

TRUPROJA

Pasi qëndroi disa ditë në spital nën kujdes mjekësor, Haklaj, ia nisi punës për të arritur tek personat konkretë që kishin guxuar t’i bënin atentat. Ai siguroi informacione në rrugë operative se për të realizuar pritën kishte bashkëpunuar një grup personash. Ata nuk kishin lidhje me pritën e Qafë Luzhës, ku u vra i vëllai Shkëlqimi. Mes tyre ndodheshin dhe dy nga efektivët më të përgatitur të forcave speciale të Ministrisë së Brendshme, të cilët luajtën një rol kryesor. Njëri nga specialët dyshohej se ishte ish-truproja i kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, Anton Gjergji, nga fshati Qerret i vogël i Pukës. Ndërsa atentatori i tretë, kishte lidhje farefisnie dhe krushqie me Kolonel Hykën. Madje ai ishte një personazh i njohur në kryeqytet që kishte shërbyer për disa kohë dhe si shoqërues i shefit të opozitës, Berisha. Një dëshmitar që pa autorët e atentatit përpara se të vendosnin minat, i tregoi Fatmir Haklajt paraqitjen e tyre. Sipas këtij dëshmitari bëhet fjalë për tre persona. Ai i kishte parë një ditë para ngjarjes, më datë 5 maj 1999 në Qafën e Mejdanit duke ecur në drejtim të Varreve të Shalës ku ndodhi atentati. Ata mbanin veshur uniforma ushtarake kamuflazhi, gjoksore dhe kallashnikovë në duar. Me vete kishin dhe një çantë ku ishin vendosur dy minat e importuara nga Mali i Zi. Minat u ishin blerë trafikantëve të armëve në Shkodër me një vlerë afro 6500 marka gjermane secila. Dëshmitarit i kishte tërhequr vëmendjen një person i tretë, shumë i gjatë, mbi 195 centimetra, me trup të fuqishëm dhe që nuk ishte nga Tropoja. Ky person ishte armatosur dhe i veshur me uniformë kamoflazhi. Pas verifikimeve që Fatmir Haklaj bëri, konstatoi se ky person kishte qenë një nga njerëzit më të besuar të liderit socialist Fatos Nano, madje për shumë kishte qenë dhe shoqëruesi i tij.

 

OBJEKTIVI

Fatmir Haklaj ia hodhi paq edhe nga ky atentat, por tani ai nuk ishte më i paarritshëm, ishte thjeshtë një objektiv që duhej eliminuar. Mënyra, mjetet dhe kostoja e atentatit të 6 majit 1999, dëshmonin se autorët nuk ishin thjeshtë hasmi i Haklajve. Ata ishin shumë më tepër se kaq dhe të aftë për të marrë përsipër një mision që deri në atë kohë dukej i pamundur. Kur më 5 korrik 1999, i njëjti atentat u përsërit sërish, me dy mina të telekomanduara në distancë, mesazhi për Fatmir Haklajn ishte i qartë. Për fatin e Haklajt, në atentatin e dytë që u realizua në të njëjtin vend, Varret e Shalës, atentatorët patën një lajthitje në objektiv. Ata ngatërruan fuoristradën tip “Jeep” të Haklajve me fuoristradën e Gani Kërnajës. Në momentin e atentatit mjeti drejtohej nga vëllai i Ganiut, Durim Kërnaja. Bashkë me të ndodheshin dhe katër adoleshentë. Nga shpërthimi i fuqishëm fuoristrada u rrokullis jashtë rruge, por udhëtarët i mbijetuan goditjes pa dëmtime të rënda. Pavarësisht lajthitjes në objektiv, realizimi i atentatit dëshmonte qartë se për Fatmir Haklajn kishte filluar numërimi së prapthi. Përballë tij gjendeshin specialistë të përgatitur, të cilët dhe nëse nuk kishin ndihmën direkt të strukturave të shtetit, kishin lidhje dhe mbështetje shumë të fortë nga persona të rëndësishëm. Makineria gjigande e shtetit sapo kishte nisur të lëvizte dhe kalkulimet tregonin një kundërshtar shumë më të fuqishëm nga ç’e kishte parashikuar ish-komisari i Tropojës.

 

HAKMARRJA

Për të treguar se ishte ende gjallë dhe e kishte situatën nën kontroll, Fatmir Haklaj duhej të jepte goditjen e tij.

Vetëm një javë pas atentatit me mina të telekomanduara, vritet kushëriri i Kolonel Hykës, Skënder Neza shofer i komunës Tropojë e vjetër. Ai kishte kishte çuar kryetarin e komunës dhe gjatë kthimit në Bajram Curri po udhëtonte i vetëm. Pas kësaj vrasje, akuzat u drejtuan sërish mbi Haklajn. Më datë 24 maj 1999, realizohet një tjetër atentat i bujshëm, këtë radhë krismat e kallashnikovëve të Tropojës u dëgjuan në mes të Tiranës.

Rreth orës 07:40 minuta të mëngjesit, Gani Neza kushëriri i afërt i Drejtorit të Policisë së Kukësit, ekzekutohet barbarisht ndërsa po kalonte me një fuoristradë Nissan Patrol përballë ish-Ekspozitës Shqipëria Sot. Ai u qëllua njëkohësisht me breshëri automatiku nga dy persona, të cilët udhëtonin me një auto-veturë tip Benz Mercedes. Autorët ishin pa maska. Gjatë të shtënave u plagos dhe një kalimtar i rastit. Policia u vu në ndjekje të tyre, por nuk ka arritur t’i kapë edhe sot pas tetë vitesh. Menjëherë pas ngjarjes policia e kryeqytetit deklaroi se dyshonte që vrasja të ishte kryer për hakmarrje nga Haklajt dhe Jaho Mulosmani. Por ky krim që tronditi kryeqytetin vazhdon të jetë ende i pazbuluar. Vrasja e njëpasnjëshme e dy vëllezërve Neza, e zgjeroi rrethin e viktimave njëkohësisht dhe të kundërshtarëve të Haklajt.

 

(Vijon nesër)

 

Fatmir Haklaj, nga person në kërkim, Shef i Grupeve të Gatshme në Tropojë

-Ndërsa Feriz Kërnaja u emërua komandant poste në Fierzë-

Në pranverën e vitit 1999, në kulmin e krizës së Kosovës, Fatmir Haklaj u rikthye sërish në radhët e policisë së Tropojës. Këtë radhë detyra e tij ishte komandant i grupeve të gatshme në komisariatin e Bajram Currit. Nuk dihet në ç’rrethana, por ai siguroi një dëshmi të pastër penaliteti, të cilën e paraqiti në Ministrinë e Brendshme nga ku mori emërimin. Prokuroria e Mirditës që e hetonte për vrasjen e Shaqir Hoxhës më 9 janar 1998, brenda ambjenteve të komisariatit, as që u bë e gjallë. Haklaj edhe pse ishte i akuzuari kryesor për vrasjen e Azem Hajdarit, u vesh sërish me uniformën e shtetit dhe mbante në brez armë me leje. Bashkë me të në policinë e Tropojës ishte veshur dhe Feriz Kërnaja, i cili kishte detyrën e komandantit të postës në komunën e Fierzës. Ndërsa i vëllai i Fatmirit, Ylli Haklaj, punonte si inspektor policie në zonën e Babinës. Rikthimi në polici ia humbi paksa vigjilencën Haklajt. Ai nisi të lëvizte lirisht me mjetet e policisë. Por ky nder që pushtetarët e majtë në Tiranë ia bënë Fatmir Haklajt(duke u justifikuar për interesa kombëtare për shkak të luftës së Kosovës), ndikoi që kundërshtarët e tij ta humbnin durimin dhe duke menduar se kupa u mbush, vendosën të hidhen vetë në veprim. Rikthimi në polici i Fatmirit, kur dihej se ai ishte implikuar në disa ngjarje të rënda, nëse nuk dëshmonte pafuqishmërinë e shtetit për ta bërë zap, mund të ketë qenë dhe një karrem për ta nxjerrë atë zbuluar, përpara atyre që duhej ta hiqnin qafe.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Roli i Fatmir Haklajt në luftën e Kosovës. Pse e bllokuan në Tropojë ai e Jaho Mulosmani njësinë (Brigadës) ushtarake “Mërgimi” të Bujar Bukoshit në Tropojë, të cilët donin të futeshin në Kosovë si çlirimtarë.

-Si dhe nga u dërgua ngarkesa me armë në Kosovë dhe pse u largua nga Shqipëria komandanti i brigadës “Mërgimi” Koloneli Tahir Zemaj që u vra më pas.

-Misteri i vrasjes në Kosovë të 6 pjesëtarëve të njësisë “Mërgimi” dhe akuzat për Ramush Haradinajn.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *