Atentati me tritol, Shorja: Më paguan 10 mijë euro për eliminimin e emigrantit

anazapta

Juljan Shorja, 29-vjeçari i arrestuar si person i paguar për eliminimin e një emigranti për llogari të shtetasit SH.P., ka rrëfyer se është paguar 10 mijë euro nga ky i fundit.

Shorja, që u arrestua të martën bashkë me të fejuarën e tij, Riviola Toma, ka dëshmuar para oficerëve të grupit hetimor se personi që tashmë është shpallur në kërkim kishte konflikte të mbartura nga jashtë me emigrantin.

Burime nga grupi hetimor thonë se Shorja ka treguar edhe mekanizmin se si do ta kryente shpërthimin, por edhe pse ishte përzgjedhur e paguar ai për të bërë këtë atentat.

Fillimisht ai ka refuzuar të flasë, por, pasi është përballur me provat që e fajësonin, ka treguar detajet e krimit që po organizonte me urdhrin e shtetasit Sh.P., e mikut të tij me inicialet M.A.

Në dëshminë e tij, 29­-vjeçari ka deklaruar se, duke qenë se banonte afër “objektivit” të atentatit, por edhe e njihte, edhe pse në distancë, Sh.A. e kishte porositur që ta eliminonte.

Në mënyrë që ngjarja të bëhej sa më e vështirë për t’u zbardhur, porositësi kishte kërkuar që atentati të bëhej me një minë të telekomanduar, e cila po përgatitej nga Shorja, raporton “Panorama”.

I arrestuari ka deklaruar se kishte studiuar të gjitha lëvizjet e tij dhe kur të gjente momentin e përshtatshëm, do t’i vendoste në makinë sasinë e përgatitur të eksplozivit. Policia edhe dje u tregua e rezervuar për identitetin e emigrantit që dyshohet se do të vritej, por edhe të porositësve të atentatit ndaj tij.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *