Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ka mohuar se ka marrë pjesë në tentativën për ekzekutimit të hetuesit, që pak javë më parë u shkarkua nga Vettingu.
Në seancën e sotme, ai ka mohuar gjithçka: “Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Më janë marrë disa herë gjurmët e gishtave. Nuk e di si janë përdorur. Në një rast më janë marrë gjurmët pa avokat. Më kanë marrë shumë rroba në makinën time pas arrestimit.”
Më pas, prokurori Adnand Xholi lexoi deklarimet e dhëna në vitin 2019, ku po ashtu Rraja ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje. Njëkohësisht, Gjykata e Posacme delegjitimoi nga procesi një prej avokatëve të Rrajës, Alban Bengasi, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen “Plumbi i artë”, ndërkohë që ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg”.
Ai është shpallur në kërkim pasi akuzohet se kishte kërkuar ndihmën e Nuredin Dumanit për të hequr qafe ish-bashkëshorten e tij.
Redjan Rraja, bashkë edhe me Arjol Halilajt, akuzohen për atentatin e 1 nëntorit 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, të plagosur Aleksandër Laho dhe prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja. Dy të pandehurit Rraja dhe Halilaj akuzohen për vrasje të funksionarëve publik të mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe grup i strukturuar kriminal. Megjithatë asnjë prej tyre nuk e ka pranuar akuzën, duke u deklaruar të pafajshëm.
Si ndodhi atentati ndaj prokurorit?
Arjan Ndoja, bashkë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho), dhe Andi Maloku ishin duke drekuar në zonën e plazhit në Durrës. Të tre, u nisën drejt Tiranës pas drekës dhe në zonën e mbikalimit të Shkozetit, u qëlluan nga një makinë Benz, në ecje, ku dyshohet se ka qenë brenda Redjan Rraja. Për pasojë u plagosën të tre, por në gjendje më të rëndë ishte Andi Maloku, i cili u bë mbrojtja e prokurorit Ndoja në atentat. Për shkak të plagëve të shumta, ai ndërroi jetë një javë më pas në spitalin e Traumës në Tiranë.
j.l./ dita