Atentati në Lushnje, detaje të reja për viktimat dhe të plagosurit

Ornela

Qyteti i Lushnjës është tronditur mbrëmë nga një atentat mafioz. Dy të vrarë dhe po kaq të plagosur është bilanci i breshërive të armëve që u zbrazën nga një makinë në lëvizje në qendër të qytetit, shumë pranë Komisariatit, në drejtim të një lokali.

Shënjestër e sulmit ishin dy shokë, Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, 22 dhe 23 vjeç. Por plumbat lanë të plagosur rëndë edhe pronarin e lokalit, Marjus Xhepexhiun, 26 vjeç dhe një kalimtar, Bujar Turku, 66 vjeç, ky i fundit i lënduar lehtë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 të mbrëmjes, në lagjen “Loni Dhamo”, vendi i quajtur “Ura e përroit”, shkruan Dita.

Breshëritë e armëve automatike kanë shkaktuar panik dhe terror tek qytetarët e shumtë, pasi rruga dhe zona ka qenë e mbipopulluar në atë orë. Dëshmitarët thanë se panë një autoveturë që xhiroi me shpejtësi në vendngjarje dhe më pas një person i maskuar dhe me automatik në dorë ka qëlluar pa ndërprerë. Sipas ekspertëve, besohet se janë qitur të paktën 15 plumba drejt shënjestrave.

Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha kanë qenë së bashku në lokal dhe bashkë me ta edhe biznesmeni Xhepexhiu. Autorët u janë drejtuar me armë në dorë në lëvizje dhe duket se të rinjtë janë përpjekur të largohen për të shpëtuar dhe të reagojnë, por pa sukses.

Atentatorët kanë guxuar shumë, sepse pak metra më tej ndodhet edhe Komisariati i Lushnjës, ndërsa rruga kishte trafik dhe mbipopullim.

Gjithsesi ata janë arratisur me shpejtësi, duke qëlluar edhe në ajër që të mos pengoheshin. Shërbimet e policisë janë vënë menjëherë në ndjekje.

Mjeti sipas dëshmitarëve ka ndjekur rrugën drejt daljes jugore të qytetit, në itinerarin Lushnjë-Berat.

Pak minuta më pas policia u njoftua se një makinë po digjej në periferi, afër fshatit Çukaj, dhe që dyshohej se ishte e atentatorëve. Për policinë mendohet se kanë qenë 4 personat që morën pjesë në atentat, teksa janë gjetur gëzhoja nga dy armë dhe një automatik i hedhur në rrugë, që besohet se u përket vrasësve.

Jurgen Hoxha sa u kthye nga Belgjika

Viktima Jurgen Hoxha, kishte vetëm katër ditë qe ishte kthyer nga Belgjika, ku qëndronte si emigrant, shkruan Dita.

Policia e Lushnjës dyshon se atentati i rëndë që ndodhi jo shumë larg godinës së komisariarit të këtij qyteti, lidhet me pazaret e drogës në Belgjikë dhe Hollandë, ku Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi kanë qëndruar dhe dyshohet se janë marrë me aktivitet kriminal.

Burimet sqaruan se vrasja nuk ka lidhje fare me hasmëritë e vjetra dhe se pistat e vetme hetimore është ajo e drogës dhe konfliktet e momentit mes të rinjve.

Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *