Policia e Shkodrës ka arrestuar pesë persona si të dyshuar për atentatin e një nate më parë në Shkodër si dhe objektivin e atentatorëve, duke e çuar në gjashtë numrin e të prangosurve. Policia ka zbardhur dinamikën e dy ngjarjeve radhazi, atentatin ndaj Donald Shtjefnit në qendër të qytetit të Shkodrës i cili në atë moment po lëvizte me një automjet tip BMW X5, ndërsa u qëllua me një breshëri automatiku nga një tjetër automjet BMW X5.
Pas atentatit në qendër të Shkodrës, policia ka zbardhur edhe aksidentin e ndodhur në fshatin Golem, ku makina e autorëve të sulmit, ka dalë nga rruga. Policia dyshon se BMW X5 ku udhëtonin autorët është ndjekur nga një tjetër automjet, ku nuk përjashtohet se mund të ketë pasur të shtëna me armë.
Nisur nga këto dy ngjarje, orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia vuri në pranga Behar Brajoviç (Bajri), 36 vjeç, banues Shkodër ( i dënuar më parë), Ilir Rustemi (Bajri), 40 vjeç, banues në Shkodër, ( i dënuar më parë), Bledar Lekaj , 26 vjeç, banues në Shkodër ( i dënuar më parë), Donald Shtjefni, 31 vjeç banues në Shkodër, Kristjan Shtjefni, 26 vjeç, banues në Shkodër si dhe Patrik Salaj, 21 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar 10 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja model 54, dy armë zjarri pistoletë, një armë zjarri automatik, 5 krehra automatiku, 2 krehra pistoletë, 2 automjete, 4 aparate telefoni celular etj.
I arrestuar nga Policia është edhe objektivi i sulmit me armë, Donald Shtjefni. Ky i fundit sapo ishte kthyer nga Anglia, ndërsa nuk figuron të ketë precedent penal, pavarësisht se rezulton me mbiemër të ndryshuar.
Ai i është kundërpërgjigjur me zjarr atentatorëve, të cilët kanë shtënë me një armë kallashnikov në drejtim të makinës tip BMW X5, e cila drejtohej nga Shtjefni. Shtjefni ka marrë një plumb në pjesën e krahut, por pa rrezik për jetën.
Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje, por fakti që Shtjefni ka pasur armë me vete, tregon se e priste një atentat të tillë.
Ngjarja ndodhi në një zonë mjaft të populluar nga qytetarë vendas por edhe nga mjaft turistë të huaj kryesisht nga Mali i Zi dhe Kroacia, të cilët vizitojnë qytetin e Shkodrës, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur pasoja të rënda në jetë njerëzore.
Mësohet se pas ngjarjes, autorët u aksidentuan në fshatin Golem të Shkodrës, disa km larg vendit ku kryen atentatin. Në përpjekje për tu larguar, ata kanë aksidentuar një motor. Policia gjeti brenda mjetit një krehër me fishekë kallashnikovi gjë që shtoi dyshimet e policisë se automjeti i përkiste autorëve.
Ata kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në këmbë, ndërsa janë arrestuar nga policia në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne.
