Atentati në Tunizi, Presidenti: Ende një terrorist në kërkim

redaktor

Në një bisedë përballë hyrjes së muzeut të Bardos në Tuniz, skenë e tragjedisë, Presidenti i vendit shpjegoi se në pamjet e kamerave të sigurisë shihen tre individë të armatosur. “Sulmuesit kanë qenë 3. Njëri prej tyre shpëtoi e është diku atje jashtë, por nuk ka për të shkuar larg”, ishte deklarata e Beji Caid Essebsi.

“Përkundrejt asaj çfarë mendohej deri tani, sulmuesit kanë qenë 3, sepse janë filmuar nga kamerat e sigurisë. Kemi kërkuar ndihmën e njerëzve të thjeshtë për identifikimin e këtij personi, sepse të gjithë kanë interes në gjetjen e tij”, vazhdoi më tej presidenti i Tunizisë. Vrasësi i tretë është identifikuar si Maher Ben Muldi Gaidi. Ndërsa dy të tjerët ishin Yassine Laabidi dhe Hatem Khachnaoui, të cilët mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tyre dhe forcave të policisë.

Nga ana tjetër, forcat e sigurisë ndaluan dje dy persona në qytetin e Ras Jebel, 50 kilometra në verilindje të kryeqytetit, të cilët posedonin dokumente që kishin lidhje me operacionet terroriste të Bardos. Atyre gjithashtu iu gjetën harta të rajoneve kufitare dhe një listë me emra dhe numra telefoni të një vendi fqinj që nuk u precizuan nga burimet e sigurisë. Sipas të dhënave të para hetimore autorët e sulmit mund të jenë stërvitur në Libi, në një zonë të kontrolluar nga militantët e Shtetit Islamik.

Presidenti Essebsi deklaroi se po planifikon ngritjen e një monumenti në kujtim të viktimave. Disa orë pas sulmit ISIS mori autorësinë e sulmit përmes një postimi në Twitter. Në një pohim të mëhershëm për “Paris Match”, Essebsi kishte rrëfyer se të metat në sistemin tunizian të sigurisë nënkuptonin, që shërbimi i policisë dhe ai i inteligjencës nuk kishin bërë sa duhet për mbrojtjen e muzeut.

Autoritetet dhe media në vend kanë shumë dyshime në lidhje me mënyrën se si ndodhi ngjarja dhe për punën e forcave të rendit. “Ka shumë gjëra që duhen shpjeguar, si për shembull mungesa e rojeve kur ndodhi kërcënimi dhe fakti që për 24 orë dy turistët spanjollë qëndruan të fshehur dhe askush nuk i gjeti, deri në momentin që u vranë terroristët”, pohon një gazetar tunizian që preferon të mos identifikohet.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *