Viktima e një nate me parë në Resulaj të Vlorës ishte një person që bënte lëvizje të kontrolluara për shkak të së kaluarës së tij. Por një telefonatë e nxori atë jashtë banesës dhe pse ishte natë.
Autori e mori në telefon Laver Tozajn dhe e nxori nga shtëpia. 200 metra larg portës e qëlloi me pistoletë me silenciator.
47-vjeçari mori pesë plumba dhe ndërroi jetë në spitalin e Vlorës. Sipas Policisë, pritet që një provë të jetë edhe telefonata që ai ka marrë dhe vetëm pas saj ka dalë nga shtëpia, ndërkohë që jo zyrtarisht bëhet e ditur se në hyrje të banesës së tij një ditë më parë viktima ka gjetur një zarf dhe brenda tij një plumb.
Gjurmët e gjakut duken ende në rrugën para shtëpisë së tij në Resulaj te Selenicës. Kurse familjarët nuk lejojnë askënd të afrohet përveçse njerëzve të tyre që ngushëllojnë.
Vrasja e 47- vjecarit Laver Tozaj dyshohet të jetë kryer për shkak të prishjes së pazareve në trafikun e drogës. Ai kishte ndërruar emrin në Nikola Ikonomi.
Në vitin 2005 ishte arrestuar së bashku me tre persona të tjerë për trafik droge dhe ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për krimet e rënda.
Edhe ndryshimi i emrit nga Laver Tozaj në Nikola Ikonomi mund të jetë bërë për shkak të kaluarën e tij kriminale.
Megjithatë, përveç prishjes së pazareve të drogës, hetuesit janë përqendruar edhe në motive të tjera apo në përfshirjen e mundshme të 47-vjeçarit në vepra të tjera kriminale në vitet e fundit.
Policia deri tani ka shoqëruar 15 persona por ende nuk ka të dhëna mbi autorin e këtij ekzekutimi mafioz që tronditi dje Vlorën. Rrugica ku ai u vra nuk kishte ndriçim.
e.t./dita
