Hetime për atentatin me lëndë eksploziv ndodhur në Vlorë, ku mbeti i vdekur biznesmeni i ndërtimit Isuf Brahimaj, mund të shtrihen deri në Brazil.
Burime nga grupi hetimor ngritur nga Prokuroria e Vlorës dhe policia e këtij qyteti konfirmojnë se viktima për disa vite ka jetuar në vendin amerikano-latin, raporton Ora News.
Sipas hetuesve, Brahimaj njihej si një person, i cili udhëtontë shumë.
Ky fakt konfirmohet dhe nga sistemi TIMS, ku hyrje-daljet e viktimës janë mjaft të shumta.
Ai udhëtonte kryesisht në vendet e Europës si Austri, Turqi, Maqedoni, Greqi dhe përdorte më shumë si aeroport transit atë të Selanikut për të kaluar në destinacionin përfundimtar.
Sqarohet se po shqyrtohet ky detaj, për të mbledhur informacione dhe mbi aktivitetin e 42-vjeçarit.
Grupi hetimor konfirmon se një nga pistat e hetimit është investimi i Isuf Brahimaj në Vlorë, ku ai po ndërtonte një hotel. Ky investim kap shifrat e disa qindra mijëra eurove dhe do të inagurohej brenda pak ditësh.
Kjo ka bërë që të merren në konsideratë dhe konfliktet e mundshme të Brahimaj për këtë investim kolosal.
Ndërkohë një ditë pas vrasjes mafioze policia e Vlorës nuk ka asnjë të shoqëruar, i cili mund të ketë dijeni për ngjarjen.
Megjithatë konfirmohet se grupi hetimor është në fazën e mbledhjes së informacionit dhe më pas, do të fillojë marrja në pyetje e personave që mund të kenë dijeni.
Përveç vrasjes së biznesmenit nga atentati mbeti e plagosur dhe Ornela Gjini, shoqëruesja e 42-vjecarit.
Mësohet se 19 vjecarja vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin Nënë Tereza, me djegje të shkallës së tretë dhe disa fraktura në krah.
Babai i saj jashtë kameras nuk ka komentuar mbi ngajrjen, por ka falenderuar Zotin që vajza e tij shpëtoi e gjallë nga ky atentat.
