Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me vendosjen e eksplozivit në automjetin e biznesmenit, Nuredin Suli.
Të arrestuarit janë Julian Hamollari, 29 vjeç dhe Musa Çerpja, 53 vjeç, të dy banues në Tiranë. Policia thotë se këta dy persona dyshohen të kenë lidhje me ngjarjen e datës 9 shkurt, ndodhur në “Qendrën Kristal”, ku është tentuar të vritet me lëndë eksplozive shtetasi Nuredin Suli.
Hamollari dhe Çerpja do të akuzohen për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të së vërtetës” e kryer në bashkëpunim. Mësohet se të dy këta shtetas kanë shitur kartën e celularit një prej autorëve të vënies së tritolit, por nuk bëjnë të ditur se cili ka qenë blerësi.
Materialet proçeduriale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë per veprat penale të parashikuara nga Nenet 301-25 të K. Penal.
Të dy këta persona janë të njohur për uniformat blu. Hamollari në 2009-n ka shtypur një 70-vjeçar me pasojë vdekjen dhe është larguar nga vendngjarja, ndërsa Çerpja ka qenë dënuar më parë për një vjedhje në 2003-in.
Policia thotë se “nga ana jonë po vazhdon puna në bashkëpunim edhe me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.” Policia bën të ditur se në këtë ngjarje dyshohet të jenë përfshirë edhe persona të tjere të cilët ende nuk janë identifikuar.
Atentati ndaj Sulit ndodhi më 9 shkurt në Tirane pranë qendrës tregtare Kristal ku ai kishte parkuar makinën. 300 gramë eksploziv C4 i lidhur me një celular, ra nga automjeti, ndërsa Suli nisi të lëvizte prej andej. Policia bëri shpërthimin e kontrolluar të pakos eksplozive.
Ndërsa pas marrjes në pyetje, biznesmeni i tha hetuesve se nuk kishte asnjë konflikt, por dyshon se eksplozivi i është vendosur për motive hasmërie, duke e lidhur ngjarjen me vrasjen e vëllait të tij, Neim Suli i cili u vra në vitin 2012 fare pranë banesës në Fier. Në atë kohë policia arrestoi Gëzim Sulon 49 vjeç, si dhe dy djemtë e tij Ervis dhe Endri Sulo.
Në maj të një viti më pas, djalit tjetër të familjes, Sulejman Sulit iu vendos tritol në automjet, teksa ishte duke udhëtuar me të shoqen. Nga shpërthimi ata u plagosën lehtë. Ndërkohë në tetor të vitit 2013 u plagos vëllai tjetër i Nuredinit, Namik Suli. Ndaj dhe ne lidhje me atentatin e fundit policia po heton në pistën e hakmarrjes.
