Moikom Zeqo
Fama e Gjergj Aranitit u bë e njohur në Europë dhe kjo njohje bëri që ky zot i fuqishëm Arbëror të kishte raporte miqësore me Mbretin Alfons të Napolit, Republika e Raguzës dhe Papatit. Papa Eugjeni i IV i dërgoi mesazhe lavdërimi duke nxitur të rezistonte, në një kohë që ushtria Hungareze po kalonte Danubin dhe flota e Papës po mbërrinte në Galipoli. Lidhjet e Gjergj Aranitit me Gjergj Kastriotit bëhen më të forta pikërisht në këto momente. Araniti u lidh dhe u bashkua me Skëndërbeun në kuptimin e një aleance, por në çdo rast ai e ruante pavarësinë e vet. Në këto lidhje midis të dy krerëve të fuqishëm pati dhe ndryshime Araniti qe shumë i afruar më Republikën e Venedikut, kurse Skënderbeu duke e ndjerë e kuptuar qëndrimin aspak miqësor dhe të papranueshëm të Venedikut u lidh me Mbretin Alfons të Napolit, me të cilin bëri Traktatit të Gaetas 1451. Fill mbas kësaj Skënderbeu në funksion të një aleance më të konsoliduar i kërkoi Gjergj Aranitit dorën e së bijës Donikës. Interesante është intensiteti i ngjarjeve. Edhe Gjergj Aranititi, mbas Skënderbeut dërgon një ambasador, Filip Pantelo de Plezans, për të nënshkruar në 7 qershor 1451 një traktat me Mbretin Alfons. Me ndërmjetësin e ambasadorit Gjergj Araniti shpallet vasal i Mbretit të Napolit do ti bindej atij “Si në luftë ashtu dhe në paqe”. Traktati parashikonte që, kur Araniti të bëhej zot i qytetit të Beratit dhe i tokave të Myzeqesë që shtriheshin deri në lumin e Devollit, tërë kjo hapësirë do të konsiderohej si pronë e ligjshme e Mbretit Alfons nëse ndodhte një gjë e tillë Mbreti Alfons do të emëronte një Gurvenator në Berat dhe do të vendoste aty një garnizon siç kishte bërë dhe në Krujë. Njohja e vasalitetit nga Araniti ndaj Mbretërisë së Napolit tregon se, sipas Gegajt, që Arianiti mbetet zot jo i ligjshëm i Vlorës dhe i Kaninës. Nëse Skënderbeu bën traktatin me Alfonsin e Napolit në emrin e tij por edhe të një konfederate sado të vogël, Araniti përfaqësohet vetëm në emrin e tij. Athanas Gegaj vëren se “as Traktati midis Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit, as ai midis Aranitit dhe të njëjtit mbret nuk u analizua ndonjëherë, për rrjedhojë rëndësia e tyre juridike mbetet gjithmonë e diskutueshme”.
Pritej që mbas këtyre dy Traktate Mbretëria e Napolit të organizonte dhe të realizonte një ekspeditë ushtarake kundër turqve në hapësirat e Arbërisë. Një element të kësaj ekspedite të Aragonasve së bashku me arbërorët qe rrethimi i Beratit 1456 kur trupat rrethuese patën furnizime me ushtarë dhe armatime nga Mbretëria e Napolit. Por disfata e tmerrshme e Beratit bëri që Gjergj Araniti të humbas shpresat dhe të ftohet me politikën e Napolit. Ahere Gjergj Araniti rikthehet sërish tek Republika e Venedikut, për t’ju bindur urdhrave të Senatit Venedikut që do të japi atij 300 dukate ari të ardhura vjetore dhe emëron Kapiten Venedikut në Arbëri për territorin midis Shkodrës dhe Durrësit. Këto lidhje dhe detyrime u materializuan në formën e një traktati të Aranitit me Venedikut dhe Gegajt shton “Kjo politikë e shkëputi Aranitin nga Lidhja e Lezhës dhe nga politika e Skënderbeut”. Megjithëse fuqia e tij ishte zvogëluar, prestigji i tij ishte ende i madh dhe është e padiskutueshme, që duke bërë një marrëveshje me të Republika e Venedikut fiton pavarësi mbi politikën e Alfonsit te Napolit. Qe nga ky çast Araniti nuk del më në historinë Arbërore.
Në 1470 Gjergj Araniti vdiq mesa duket në Durrës, ndonëse Gegaj thotë “thotë nuk i dihet vendi ku dha frymën e fundit”.
***
Athanas Gegaj analizon me kujdes ngjarjen që u quajt Lidhja e Lezhës. Nënvizon se “Ky projekt koalicioni shënon mendje mprehtësinë e Skënderbeut, që ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për rrezikun turk”. Tubimi i krerëve kryesor Arbëror u bë në Marsin e vitit 1444 në Katedralen e Shën Nikolles në Lezhë. Në të morën pjesë Dukagjinasit, Muzakajt, Topiajt, Spanët, Balshajt, Dushmanët, Gjergj Araniti dhe Lek Zaharia dhe princat e Malit të Zi. Në përfundim Gjergj Kastriot Skënderbeu u zgjodh udhëheqës i Lidhjes së Lezhës dhe Kapiten i Përgjithshëm i ushtrisë, krerët Arbëror në këtë marrveshje të përbashkët premtuan t’i jepnin Skënderbeut ushtarët që do ti duheshin dhe do ta mbështesnin atë financiarisht. Ndihma prej 200 mijë dukat ari si dhe i pjesë e të ardhurave nga kripa në Durrës do të bënte të mundur që të përballoheshin shpenzimet e luftës. Mbas kësaj ngjarjeje erdhi lajmi se Moisi Golem Dibra kishte marr kështjellën Svetigratit, duke e çliruar nga duart e turqve. Tashme Skënderbeut i duhej të merrej me organizimin e një ushtrie të fortë dhe shumë të disiplinuar. Athanas Gegaj duke iu referuar dokumenteve shprehej se kjo ushtri feudale, pjesa më e madhe e së cilës përbë hej nga njerëzit e Skënderbeut numëronte 12 deri në 15 mijë burra, gjysma e të cilëve ishin kalorës, “Por Skënderbeu kishte një ushtri të përhershme, për të cilën flet indirekte Barleti që e quan me emrin Karakteristikë “Pretorja Cohors”, padyshim kjo ishte garda personale e tij, që përbëhej nga burra më të shquar dhe arrinte dy deri në tre mijë kalorës. Kjo “Pretorja Cohors” ka luajtur një rol mbisundues në të gjitha fitoret e heroit Arbëror. Një ushtri tjetër deri në pesë mijë burra udhëhiqej nga Moisi Golem Dibra që ruante kufijtë e vendit dhe ky ishte një udhëheqës ushtarak, që krahasohej nga trimëria e vet Skënderbeut”.
***
Athanas Gega bën një portret të Alfonsit të pestë të Aragonit që ishte bërë Mbret i Napolit, si një nga njerëzit më të shkëlqyer të rilindjes në Itali. Ky mbret pati synime politike të guximshme. Ai qe një sovran i shekullit XV që diti ta kuptoj rrezikun turk dhe shfaqi ambicie të mëdha për organizimin e popujve në gadishullin ballkanik kundër ofensivës së tmerrshme turke. Ai synonte të krijonte një Politik Orientale. Ai donte të restauronte Perandorinë e Lindjes, duke synuar në fillim një bazë paraprake në gadishullin Ballkanik përtej Adriatikut. Mbreti Alfons u ndodh përpara gatishmërisë të Gjergj Kastriotit i cili me intuitën e madhe dhe vizionin politikë e mendoi Mbretërinë e Napolit si qendrën e aleancës kryesore në Itali. Në fillimin e muajit Mars në 1451 qe Skënderbeu që dërgoi i pari dy përfaqësues të tij në oborrin e Alfonsit, Stefani peshkop i Krujës dhe Demonikani Nikolla de Berguci. Këta ambasadorë të Skënderbeut kishin një mision special për Mbretin Alfons i V. Traktati u lidh dhe u nënshkrua në 26 Mars 1451. Ambasadorët e Skënderbeut përfaqësoheshin në statusin e tyre “në emrin e Gjergj Kastriotit dhe njerëzit e tij, baronët të Arbërisë” këta premtonin se do t’ia jepnin qytetin e Krujës dhe Kalanë e saj të dërguarit të mbretit Alfons i V, nëse “Mbreti i Napolit do të dërgonte ushtarë për të mbështetur dhe mbrojtur vendin”. Nga ana tjetër Skënderbeu si udhëheqës i koalicionit të krerëve Arbërore premtonte se do te vinte vet në vendin që do të caktonte Mbreti Alfons i V për të bërë betimin dhe homazhin për besnikërinë dhe vasalitetin, “por vetëm pasi të çliroheshin nga turqit me ndihmën e Alfonsit të V”. Në traktat, kjo është një nga pikat më të rëndësishme në kuptimin juridik, Mbreti Alfonsi i V-të detyrohej “Të respektonte privilegjet e qytetit të Krujës… Gjithashtu duhej të lejonte të kishin pushtet zotrit që do ti nënshtroheshin dhe do të vërtetonte privilegjet e tyre”.
Për Gegajn”Analiza e thjeshtë e këtij Traktati na zbulon që në kohën e bisedimeve të dy palët nuk ishin njëlloj. Në fakt, nga njëra anë rrethimi i fundit i Krujës e kishte zhytur Skënderbeun në një hidhërim të madh. Nga ana tjetër Mbreti Aragonas ishte në kulmin e fuqisë së tij. Para këtij traktati, në 5 shkurt 1451 , ai kishte nënshkruar një traktat të njëjtë me Demetrios Paleologun, Dhespot Temores kështu pakti me Skënderbeun ishte hallka e një vazhdimësie traktatesh qe do të siguronin aleanca të fuqishme, atij për të sulmuar pellgun lindor të Mesdheut. Për të sulmuar turqit këtej e tutje ai mund të zgjidhte si baze për sulmet e tij Arbërinë, apo Morenë. Çdo gjë të bën të besosh, që ai ëndërronte për Arbërinë, udhëheqësi i së cilës Skënderbeu i kishte mundur turqit dhe i bashkuar forcat e shpërndara”.
Në qershor 1451 Alfonsi i V-të dërgoi në Arbëri njeriun e tij, si një Oficer të Oficarit të quajtur Bernard Vaskeri të emëruar si komisar të posaçëm, së bashku me një trup të vogël prej 100 luftëtarësh. Ky m\komisar i Alfonsit të V pasi të paraqiste kredencialet Skënderbeut do të merrte në kontrollin e tij kështjellën dhe qytetin e Krujës. Historiani rumun Marinesko thotë se mbas muajit qershor 1451 Kruja, deri ahere qe e lidhur me Skënderbeut nuk do ti përkiste më luftëtarit Arbëror. Prej disa vitesh një garnizon Napolitan do ruante Krujën, ndërsa Gjergj Kastrioti larg kryeqytetit të tij që e bëri atë të famshëm.
Në 1452 kalorësi katalanas Ramon Ortafa i dërguar nga Alfonsi i V, u bë gurvenatori i Krujës. Në 1457, gjashtë vjet mbas Traktati të Gaetas Mbreti Alfonsi i V konfirmoj siç kishte premtuar privilegjet e “universitas oppidi croaun” në këtë diplomë nuk flitet për Skënderbeu. Diploma i drejtohet bashkësisë së Krujës që përbëhej nga peshkopi, klerikët, gjykata dhe njerëzit e lirë. Qyteti i Krujës i gëzonte këto privilegje jo vetëm brenda por dhe jashtë mureve të tij. Këto privilegje respektonin një traditë të mëparshëm, shekullore. Këto privilegje të qytetit të Krujës, të konfirmuar tashme nga Mbreti Alfonsi i V ishin lejuar që në kohën e Andronikut të dytë dhe Stefanit të Serbisë. Veç të tjerave qytetarët e Krujës nuk duhej të paguanin taksën e kripës.
Në vitin 1454 gurvenatori i Krujës Ramon Ortafa u autorizua të bëj në këtë qytet monedha prej argjendi. Pikëpamjet e Mbretit Alfonsi i V, siç thotë Gegajt “i kaluan klauzolat e Traktatit te Gaetas. Por thjeshtë ato u braktisën . Kjo ndodhi në 1455 kur ushtria Arbërore që u përforcua nga një kontingjent i mirë napolitan u mund dhe pjesa më e madhe e saj u asgjësua”. Gegajt mendon se pas rënies së Konstandinopojës në 1453 u zbehën dhe ambiciet e mëdha të Alfonsit të V për projektet e tij dhe Politikën e Orientit. Gegajt i jep rëndësi faktit se Mbreti Alfons i V bëri traktat jo vetëm me Gjergj Aranitin por edhe me zotër të tjerë Arbëror, në 1454 bëri bisedime me Gjin Zenebishin, zotit të Gjirokastrës. Një nga djemtë e Gjin Zenebishit që ai e kishte dërguar ne oborrin e Sulltanit u arratis dhe i ati e dërgoi në Napoli, kur në gusht 1454 u pagëzua nga Alfonsi i V që i dha emrin e tij. Gjithashtu edhe në bregun e Epirit një familje vasale e Alfonsit të V qe familja Toko (Tocco). Në 1456 Pjetër Spani largohet nga politika pro republikës së Venedikut dhe radhitet në krahun e bujarëve Arbëror të Alfonsit të V. Rivaliteti midis politikave te Venedikut dhe Napolit plot kontradikta dhe pabesira intriga u bë shkak për të nxitur shpesh ndarje të thella tek feudalët Arbëror. Në këto kushte konkludon Athanas Gegajt, “të habit qëndresa Skënderbeut qe pati një karrierë të lavdishme që i detyroj trimërisë dhe gjenisë ushtarake që me të drejtë radhisin atë midis gjeneralëve më të mëdhenj të historisë”.
Kapitulli i VI i veprës studimore të Athanas Gegajt quhet “Lufta e Arbërisë kundër sulltan Mehmetit të II, 1451-1461” argumentet dhe dendësia e fakteve shfrytëzimi i burimeve historike të besueshme e bëjnë këtë kapitull një dëshmi substanciale të rezistencës të jashtëzakonshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe luftëtarëve të tij. Pikërisht kjo ka të bëjë me thelbin e historisë se brendshme te vet Arbërisë dhe të Skënderbeut për të përballuar sulmet nga më të mëdha qe vinin nga perandoria osmane e lindjes. Vërtet ekzistonin ndihmat e Mbretërisë së Napolit por ato ishin krejt të pamjaftueshme dhe ishin pjesore, për arsye se tërë gravitacioni i mbrojtjes, i fuqisë ushtarake dhe i goditjes së Skënderbeut lidhej me njerëzit e tij që udhëhiqte me strategjitë dhe taktikat e tij të shkëlqyera.Në 27 qershor 1456 vdiq në Napoli aleati më besnik i Skënderbeut Alfonsi i V. Me vdekjen e tij zhduket një nga njerëzit më të shkëlqyer të Rilindjes por dhe ideatori vizionar për krijimin e një dige për të ndalur ujërat e vërshimit otoman. Në të njëjtin vit vdiq edhe konturani, një ushtarak i madh Arbëror, mik dhe këshilltar i ngushtë i Skënderbeut dhe mbrojtësi i Krujës gjatë rrethimeve të mëdha. Skënderbeu i dërgoi misin Mbretit Ferdinand, për ti shprehur ngushëllimet për vdekjen e të atit dhe për ta uruar për ardhjen e tij në fuqi. Shumë shpejt Mbreti Ferdinand u ndesh me kundërshtimin e baronëve azhuinë, që duke përfituar nga një situate anarkie dhe fuqie kërkonin ti rrëmbenin dhe ti merrnin fronin.
Meqenëse Papa Kalisi i III e kishte emëruar Skënderbeun si “Kapiten të Selisë së Shenjtë”, Skënderbeu nisi një mision në Romë për ta njoftuar Papën se për të ndihmuar Mbretin Ferdinad të Napolit duhej paraprakisht të bënte paqe me turqit ose për një armëpushim prej tre vjetësh. Në fakt ky i ashtuquajtur armëpushim qe filloi në 1461 zgjati vetëm gjashtë muaj.Kapitulli i VII i veprës së Athanas Gegajt “Skënderbeu dhe sundimi i Arangonasit në Napoli, 1458-1464” flet për ekspeditën e Gjergj Kastriot Skënderbeut në Itali. Mbas vdekjes së Alfonsit të V i biri i tij Ferdinandi u ndesh në disa vështirësi të mëdha për tju njohur trashëgimia. Sapo u shpall mbret nisi një kryengritje e madhe drejtuar nga Rene Anzhuini, konkurrent i Ferdinandit dhe metonjës i fronit të Napolit. Këtë e përkrahte Karli i VII mbret i Francës. I biri i Renës, duka Jovani di Kalabria në një flotë prej 24 anijesh që i afrohej Karli i VII ankoroj në det para Napolit duke bërë një presion të madh me qëllim për të nxitur revoltën brenda Napolit. Pastaj u drejtua ne Volturno ku zbarkoi në tokë dhe shpalli sinjalin e kryengritjes me të cilën u bashkuan shumë senjor, feudal të mëdhenj, përkrahës së shtëpisë së anzhuinëve. Kaq e euforishme qe revolta dhe kundërshtimi sa çeshtja e mbretërimit te familjes së Aragonasit të Napolit. Në të vërtet kjo luftë që bëhej për të trashëguar fronit mund të stimulonte trazira të ngjashme dhe shumë reaksione në shtete të tjera të Italisë. Si Azhuinët ashtu dhe Aragonasit kishin përkrahës por dhe kundërshtar. Duka i Milanos Francesco Sforzza, aleat i Alfonsit të V e përkrahu Ferdinandin , më pas edhe Papa u bashkua në këtë përkrahje. Venediku dhe Tirenca mbajtën një qëndrim neutral kurse një prijës i famshëm si Giacomo Picinico, u bashkua me kryengritësit madje u bë kundërshtari me i rrezikshëm. Në 1460 u bën luftimet e para midis forcave kundërshtare. Ushtria e Ferdinandit që qe përforcuar nga trupat lombardezët të drejtuara nga Aleksander Sforzza vëllai i Dukës se Milanos dhe trupat ushtarake të Papës të komanduar nga Simonetto pësoi disa disfata. Në 7 qershor 1460 në Sorrento një pjesë e madhe e ushtrisë së Ferdinandit u zu rob nga armiku nga ai mezi mundi të shpëtoj. Ai ishte gati i braktisur nga senjor dhe nga qytetet e Campanias. Betejat u bën dhe në muajin korrik dhe shtator. Por në pranverën e vitit 1461 azhurinët pësuan humbje ne Gjenova, Mbreti Rene që drejtonte vet luftën u mund. Pavarësisht kësaj humbjeje familja Anzhu i ruajtën avantazhet që kishin. Këta mund të sulmonin përsëri pozitat e Ferdinandit të Napolit. Në këtë moment të paqartë dhe të mjegullt për fatin luftës Gjergj Kastriot ndërhyri në Itali. Në shtator 1460 Skënderbeu i dërgoi kontingjentin e parë të njerëzve të tij Mbretit të Napolit, në qershor 1461 Skënderbeu me anë të një ambasadori njoftonte se do vinte personalisht për ndihmë në Itali me 100 kalorës dhe 2000 këmbësor. Në gusht 1461 Skënderbeu me njerëzit e tij u nis me anije nga Ragusa dhe në 24 gusht trupat e para të ekspeditës u zbritën në tokën Italiane. Në 25 gusht 1461 vet Skënderbeu arriti në qytetin e Barletës ku Mbreti Ferdinand ishte i rrethuar. Skënderbeu e detyroi Giacomo Picinico-n të tërhiqej. Vete Ferdinandi qëndroi në Barleta deri në 5 shtator, pastaj u nis në Shën Bartalemeo për tu bashkuar dhe trupat e Aleksandër Sforzzes. Mbrojtjen e Barletës ai ia besoj Skënderbeut Athanas Gegaj shënon “Skënderbeu nuk qëndroi duarkryq ndaj armikut. Ai u hodh në sulm në ndjekje të trupave të armikut. Ushtria e tij shkatërroi vendin mbolli kudo zjarr dhe shkatërrim, lufta qe e përgjakshme. Armiku pësoi humbje të mëdha dhe u detyrua të braktisë pozicion. Princi i Tarantos u tremb aq shumë sa i propozoi Skënderbeut paqe.” Shumë shpejt u çliruan qytetet Nola, Atripalda dhe Monteforte. Skënderbeu sulmoi dhe në Pulie, arriti të çliroj dhe qytetin e Tranit. Tani të gjithë punët po shkonin në favor të Mbretit Ferdinand. Në fund të vjeshtës 1461 Mbreti Ferdinand tani i sigurt për rolin bëri në Napoli martesën e vajzës së tij jo të ligjshme me nipin e Papës, Antonio Picolominio. Është pikërisht kjo martesë që i forcon më shumë lidhjet e shtëpisë së Aragonës me Papiun e II. Antonio Picolomini tashmë u bë dhe dukë i Amalfit dhe Gjykatës i Mbretërisë së Napolit. Ekspedita ushtarake e Gjergj Kastriot Skënderbeut ne Itali mori fund ne ditët e para te Janarit 1461. Për studiuesin Athanas Gegajt kjo ekspedite “Ndikoi fuqishëm në përmirësimin e gjendjes ushtarake të Mbretit Ferdidand të Napolit dhe i hapi atij rrugën të kaloj në sulm… me pjesëmarrjen e tij Skënderbeu ndihmoi në suksesin përfundimtar.”Mbreti Ferdinand e çmoi shumë lartë ndihmën e Skënderbeut dhe u tregua mjaft mirënjohës ndaj Skënderbeut dhe familjes së tij. Pas vdekjes së Skënderbeut Ferdindandi e priti vejushën Donika me djalin për të siguruar një jetë të denjë mbretërore.Kapitulli i VIII “Kryqëzata e Piut të dytë dhe luftërat e fundit të Skënderbeut. 1462-1468” realizohet situatat e ndërlikuara dhe të tensionuara të sulmeve të ushtrive turke si dhe të kundërsulmeve me sukses të Skënderbeut. Skënderbeu ishte fitimtar në të gjitha rastet, i ruante forcat e tij dhe sulmonte me sukses. Në këto kushte sulltani propozoi Skënderbeut paqe, që u arrit në 27 prill 1463. Gegaj e trajton kështu aktin e paqes “Shumë pyetje janë bërë përse Skënderbeu deshi të bënte paqe, ahere kur ushtria e tij dilte gjithmonë fitimtare dhe kur ai mund të shpresonte me të drejtë të fitonte mikpritësit e huaj. Duket qartë që personalisht donte ta vazhdonte luftën por u detyrua nga kërkesat e njerëzve që e rrethonin, pjesa më e madhe e të cilëve e sidomos Tanush Topia të dëshironin paqe. Nga dëmet qe kishte pësuar, zotërimet qe u bën në kryqëzat ishin mashtruese, prandaj për ketë për te mbrojtur pavarësinë e atdheut ai duhet te mbështetej ne forcat e veta. Paqja e lejonte te siguronte integritetin e territorit të vet… arritja e kësaj paqe pati pasoja te renda jashtë vendit. Papapiu i II, që nuk kursente asgjë për të bërë kryqëzatën dënonte publikisht dhe ishte shume i brengosur.”Për të qetësuar shqetësimet e Papës Skënderbeu dërgoi Tanush Topinë ne Rome, që të shpjegonte rrethanat qe kishte shtyrë ta pranonte paqen. Por Papa përsëri nguli këmbe qe Skënderbeu ta rifillonte luftën kundër turqve. Ndërkohë Republika e Venedikut tregoi një shqetësim shumë herë më të madh aq më tepër që tashmë politika e saj kishte kuptuar që rreziku i forcave turke do ta kërcënonin për vdekje dhe vet pushtetin e saj mbi qytetet e bregdetit Arbëror. Venediku qe e interesuar të bënte një marrëveshje tashmë me Gjergj Kastriotin duke ndryshuar drejtimin e mëparshëm të saj politikë nga armiqësia dhe rivaliteti me Skënderbeun në njëlloj aleance të veçantë me Skënderbeun, për të pasur sukses në përballimin dhe rezistencën kundër turqve. Prandaj Venediku e nxiti Skënderbeun për ta prishur paqen me turkun. Gjithashtu Papiu i II dhe jo vetëm frymëzuesi dhe nxitësi kryesor i kryqëzatës por dhe vazhdonte ta nxiste heroin Gjergj Kastriotin për ta prishur paqen me turqit. Papa donte ta sendërtonte ëndrrën e tij te Kryqëzatës ai shkoi në Ankona nga mendonte që të përgatiste flotën për të sulmuar në bregun lindor të Adriatikut si dhe në brigjet mesdhetar. Por ky projekt nuk u realizua. Papapiu II 15 gusht 1464. Bashkë me te vdiq dhe projekti i Kryqëzatës.Athanas Gegaj i kushton kujdes luftërave që bën Skënderbeu, sidomos ndaj një kundërshtari të rrezikshëm dhe një ushtaraku të aftë në krye të forcave turke siç është Ballaban Pasha. Sulltan Mehmeti i II duke dashur të hakmerrej dhe i etur që ta shtrinte pushtetin perandorak të tij në Europë deri në kufijtë e Adriatikut. Vendosi që të vij vetë dhe të drejtoi luftimet kundër Skënderbeut. Në Pranverën e viti 1466 Sulltani Mehmeti i II me një ushtri shumë të madhe erdhi në trojet Arbërore duke pasur si synim pushtimin e Krujës. Ai ndërtoi kështjellën e Valmit, ose të Skampas duke e mbigjuajtur Elbasan për ta pasur si një qendër kryesore strategjike të përparimit dhe të vendosjes së kohëgjatë të sundimit osman edhe në Ballkan.Por ekspedita e Sulltan Mehmetit të II nuk e mori Krujën. Edhe këtë herë Skënderbeu doli fitimtar. Në muajin dhjetor 1466 Skënderbeu erdhi në Romë ku i bën një pritje të jashtëzakonshme dhe te shkëlqyer. Skënderbeu e ndërmori ketë udhëtime ne Itali ne Rome për shkak se ndihmat qe ishin dhënë nuk mjaftonin duke shpresuar që nëpërmjet famës dhe prestigjit qe kishte të kërkonte ndihma shumë herë më të mëdha. Gegaj nënvizon “Skënderbeu i veshur si ushtar i thjeshtë i shoqëruar nga një numër vogël kuajsh dhe nga një shpurë të pakët, i çuditi të gjithë me thjeshtësinë e madhe të tij . Ai u prit nga Papa, por mori prej Papës pak ndihma në të holla me pretekstin se ishte në gjendje të keqe financiare.”Nga Roma Skënderbeu shkoi në Napoli ku u prit nga Mbreti Ferdinand me mirënjohje dhe dashuri të veçantë .Pastaj Skënderbeu u rikthye në atdhe në muajin prill 1467 e mundi serish një ushtri turke, siç thotë Gegaj “Korri dafinat e fundit të karrierës së tij të lavdishme.”Sulltan Mehmeti i dyte zbriti për herë të dytë në trojet Arbërore në pranverën 1467. Ai e rrethoi sërish Krujën. Por dhe këtë herë nuk mundi ta merrte.Në 17 janar 1468 Gjergj Kastrioti vdiq dhe u varros në katedralen e Shën Nikollës. Me vdekjen e Skënderbeut epoka madhështore e rezistencës Arbërore nuk mbyllet përfundimisht. Tashmë interesat e Republikës së Venedikut ishin më në unison me lidhjet e Arbërit për arsye se kërcënohej vet nga turqit. Në 23 maj 1468 Senati i Republikës së Venedikut e emëroi Gjon Kastriotin, djalin e Skënderbeut aleat të Republikës. Por ndërkohë e veja e Skënderbeut Donika së bashku me Gjonin u vendosën në Mbretërinë e Napolit.Rezistenca antiturke vazhdoi edhe për 10 vjet. Në vitin 1478 turqit rrethuan Shkodrën. Betejën për mbrojtjen e Shkodrës e ka përshkruar si askush në një rrëfim tronditës dhe epik Marin Barleti. Pas pushtimit të Shkodrës dukej se pushtimi turk po shtrihej në mënyrë më përfundimtare duke kërcënuar edhe qytetet e tjera ende të papushtuara siç ishte Lezha, Durrësi dhe Vlora. Kur turqit pushtuan Lezhën e hapën edhe varrin e Skënderbeut. Por Athanas Gega nuk e pranon cvarrosjen si një ngjarje që ka ndodhur me të vërtet te eshtrave të Skënderbeut por thotë “Sipas gojëdhënës së vendit ata (turqit) e nxorrën kufomën e Skënderbeut dhe bën hajmali me kockat e tij”.
