Policia greke ka arrestuar një shqiptar 29-vjeçar, pasi në shtëpinë e tij në Athinë, u gjetën 418 kilogramë kanabis, dhe një sasi armësh si pistoleta, fishekë, granata dhe detonatorë.
I arrestuari ishte larguar nga burgu i Larisës në vitin 2010, ku vuante dënimin për trafik drogë dhe që atëherë ishte shpallur në kërkim.
Policia kishte informacion për importontimin e drogës dhe armëve nga Shqipëria dhe pas hetimeve, ushtroi kontroll në banesën e 29 vjeçarit, e cila rezultoi të ishte një magazinë e vërtetë droge dhe armësh.
Pas kontrollit u gjetën dhe u konfiskuan 418 kg kanabis, 2 pistoleta, një silenciator, 3 granata, një detonator bombë, 9 detonatorë me tela, rreth 950 fishekë, 3 peshore elektronike precize, 870 Euro, 3 telefona celularë dhe një dokument fals qëndrimi si minoritar.
Sipas policisë greke, mendohet se shqiptari i arrestuar është pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës dhe armëve, nga Shqipëria drejt Greqisë. Çështja i kaloi prokurorisë së Athinës.
(Balkanweb)