Atmosferë e vakët për 75- vjetorin e çlirimit

Ornela

Nga Sevo Tarifa *

Nuk ka festë më të madhe në këtë vit se 75 vjetori i Çlirimit. LANÇ e nxori në krye historia e përgjakur. Dhe këtë vit është festë jubilare mbarëkombëtare. Ne partizanët, sot veteranë, që ende jemi gjallë e presim me gëzim. Betejat e saj i përfytyrojmë si sot. Predhave të armiqve s’u kemi bërë dredha. Nuk na ikin nga sytë ata vite të zjarrtë. Na flakërojnë valë-valë. Veshët vazhdojnë të na gjëmojnë nga zhurma e artilerisë e breshëria e mitralozave. Erën e barutit e ndjejmë akoma. E kuqja e gjakut të dëshmorëve dhe invalidëve prushëzon. Na kujton. Na përmallon. Na frymëzon. Portretet e heronjve vendosur ne bulevard na krenojnë, na emocionojnë. Por dhe një pyetje për gazetat e kemi: pse nuk shkruajnë për këtë festë të madhe, sa e pasqyrojnë zhvillimin dhe fitoren e LANÇ?

“Ç’ka ndjen zemra, atje shkon mendja”

Sa e kanë parasysh këtë fjalë të urtë popullore redaksitë e gazetave apo gazetarët? Mirë ata individë që e shprehin haptazi se janë kundër LANÇ, si kundërshtarë e humbës të saj, po të tjerët që janë me laps në dorë dhe nuk shkruajnë?! Pse ky qëndrim, si ta kuptojmë? Në ka midis tyre të djathtë, le të ketë, është e drejta e tyre, jemi në pluralizëm. Në janë të “pavarur”, ashtu qoftë! Si nuk shkruan “dy gisht letër” gazetari, kur dihet e vërteta se “Mendja shkon atje ku e ndjen zemra”?!… Apo mendja e këtij dhe e atij kalemxhiu shkon atje ku “propozoi” i ashtuquajturi deputet që “Të shpërblehen kolaboracionistët??!! E bukur mendje…

75 vjetori i Çlirimit është nisur në nëntor 2018 dhe po vjen. Tani ndodhet në udhëtim dhe kulmi do të jetë më 29 Nëntor të këtij viti, ditën e çlirimit. Në kuadrin e saj zhvillohen veprimtari atdhetare, politike e kulturore, sidomos nga organizata e veteranëve, organizata  e familjeve të dëshmorëve, e shoqatave të invalidëve të luftës, e ushtarakëve të liruar dhe në pension e të tjera me profil atdhetar e kulturor, krahas të cilave janë në lëvizje edhe organe të pushtetit ku drejtojnë socialistë.  Po organet e shtypit?

“Gazetarit i shikohet jo guna, por puna”.

Duke lexuar shkrime për LANÇ, atij që ka qenë partizan  i duket vetja në formacion luftarak, herë në marshim, herë rreth zjarrit partizan, por emocionet e përshkojnë tejpërtej kur është në llogore, pret thirrjen “para partizanë!” dhe hidhet në sulm! Kulmi i emocioneve të tij është kur në krah i vritet shoku, duke luftuar deri trup me trup me armikun! Shkon vrap drejt tij, i hidhet në qafë. E nderon me grusht. Lot në sy nuk shquhen, se “trimat nuk qahen, por u këndohet” dhe bashkëluftëtarit i pikon në zemër! Kur sheh se aty afër plagoset shoku, urgjent i shkon në ndihmë, heq shpejt këmishën e trupit të të tij dhe i lidh plagën për t’i pushuar gjaku, për t’i shpëtuar jetën! Solidaritet shembullor, partizan! Kjo gazetë, tribuna e luftëtarëve të lirisë është bërë e dashur, tërheqëse, e këndshme. Vështirë të gjesh veteran e pasardhës që të mos e lexojë. I sheh që në mëngjes me gazetë në dorë! Lexo, reflekto, përfytyro, kujto, frymëzohu!

Kur ndiqet shembulli i mirë,
ushqehet zemra e dëlirë”.

Edhe ai gazetar, që mund të ketë lexuar qoftë dhe një shkrim në “Kushtrim brezash” në kuadër të 75 vjetorit të Çlirimit, besoj se është nxitur të shkruaj edhe në gazetën ku punon vet, s’ka nguruar po ka mirëpritur të botojë edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë. Gazeta “Dita”, pa llogaritur shkrimet e vitit të kaluar që nuk janë pak,  në këtë vit jubilar ka botuar 18 shkrime me temë për LANÇ, Lexues të saj kanë shprehur kënaqësinë e tyre dhe kanë kërkuar të tjera shkrime nga kjo gazetë tërheqëse, luftarake. Me temë për LANÇ nuk duhet thënë kurrë “na dërgon shumë”, se plotësohen edhe deficitet e atyre që kanë mundësi të shkruajnë, por këtë nuk e bëjnë, se e kanë mendjen te aktualiteti. Harrojnë se pa të djeshme s’ka të sotme dhe pa të sotme s’ka të nesërme…

“E mira duhet “ujitur”,   e keqja duhet goditur”

Po gazetat e tjera? Mesa duket për temën e luftës u është “ndryshkur pena”! Nuk harrojnë të shkruajnë për çdo gjë, vetëm për luftën jo! Mirë vetë nuk shkruajnë, po të paktën pse s’botojnë ato që u dërgohen me temë nga lufta?! Pse-në e dinë vetë ata, vetëm pak fjalë do të na falin t’ua themi:  Meqë është fjala për luftën më të madhe fitimtare që çliroi Atdheun, këtej del se edhe kush shkruan me këtë temë kryen një detyrë fisnike, atdhetare, pavarësisht se shtypi mund të jetë privat, ose “i pavarur”!  Edhe gazeta që ka një profil të caktuar, kjo nuk do të thotë të mos botojë asgjë për LANÇ, pa të cilën s’do të kishim Shqipëri të çliruar, por të copëtuar, të zhdukur nga harta e botës! Nuk është mirë kur s’ka  vetëveprim, nismë nga vetë redaksitë për të shkruar, po sidomos kur dërgohen materiale të gatshme nga të tjerë, qoftë edhe pa porosi! Del pyetja: pse vonohen, aq më keq pse s’ botohen?!

Efekti i leximit të tyre është shumë edukativ, psikologjik, patriotik. Lexuesi përfytyron partizanin që i fal Atdheut kush kokën dhe bie dëshmor e kush pjesë të trupit dhe mbetet sakat për tërë jetën, “dëshmor i gjallë”. Nuk është pak të shkosh vullnetarisht partizan, të luftosh e të mbetesh pa të dyja ose pa një këmbë, duke i prerë me sharrë të druve e pa narkozë!; të mbetesh pa sy ose pa një krah, pa duar, me nofull të copëtuar e pa sy! Lexon për ta dhe prekej në ndjenja. Kush i ka pësuar këto fatkeqësi, kush i ka parë e jetuar, kush i shkruan, i boton e i lexon sot, nuk mund të mos jetë patriot dhe njerëzor, se s’mund të jesh patriot, pa qenë njerëzor.

“Kush e nis vallen, e çon deri në fund”

Është fjala për tri gazetat e sipërme, që janë dalluar duke botuar shkrime për 75 vjetorin, nuk është mirë ta ndërpresin këtë proces, përkundrazi, sa më afër 29 Nëntorit e më shumë botime kërkohen. Urtia e popullit këshillon: “E nise vallen, mos e le në mes, çoje në fund”!. Ndryshe s’je valltar i mirë. Dhe shkrime për t’i botuar nuk mungojnë, janë dërguar e do t’u dërgohen. Të vjen keq që mbahen në dosje, akoma më keq nëse përfundojnë në kosh! Janë gati një varg titujsh: “Ejani të rinj malit përpjetë, për ta çliruar Atdheu na thërret!”; “Këtë vit ata do të ishin 92 vjeçarë!”, “Si zjarr rrufe përpara shko, për vatër e nder rini lufto!”; “Rini, rini, përpara ti, si dielli shkrep e vetëtin”; “Dëshmorë 17 vjeçarë, që shpërthyen si lule maji!”; “Të rinj që luftonin shqiptarisht dhe binin dëshmorë burrërisht”;  “Te varret tuaj lule dhe kurorë, sjellim për ju, o shokë dëshmorë”; etj.

Thirrja është për ata që i thonë vetes atdhetar. 75 vjetori i Çlirimit është datë dhe festë historike: e sakrificave të popullit, e atyre viteve të stuhishme të luftës çlirimtare, e atyre dimrave të egër që kaluan partizanët maleve, në dëborë e në shi, pa bukë e me mungesa në veshmbathje, në përgjim e në luftim, duke dhënë jetën 28 mijë dëshmorë, që skuqën tokën mëmë në çdo kilometër katror. Festë, që e presin me gëzim jo vetëm ata që morën pjesë me armë në dorë, familjet e farefisi i tyre dhe bazat e luftës, por i gjithë populli atdhetar, i cili përmes dallgëve të saj ka kontribuar në mënyra të ndryshme për fitoren e kësaj luftë të madhe çlirimtare.  LANÇ, nuk e duan por përkundrazi e urrejnë kundërshtarët politikë, humbësit e saj, të cilët përpiqen ta  mohojnë, ta quajnë “Luftë civile”, se paskemi “vrarë zero fashistë italianë, zero nazistë gjermanë”, paskemi vrarë njëri tjetrin si shqiptarë, “është luftë vëllavrasëse”?! etj…

***

Temën e LANÇ e kërkon koha sotme  politike, rigjallërimi i neofashizmit dhe i neoballizmit, që janë hedhur në sulm. Vlerësimi dhe mbrojtja e LANÇ  është vërtetë kryedetyrë e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve, e Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve, të Shoqatës Kombëtare të  Invalidëve, e Shoqatës së Ushtarakëve të liruar e në pension, por nuk është monopol i tyre, është detyrë e të gjitha partive politike që e quajnë veten “të majtë”, në radhë të parë e PS sidomos në qendër, që është larg kësaj detyre specifike të saj, e partive dhe shoqatave të tjera atdhetare e progresiste, e forumeve të shtetit e të pushtetit në qendër, personalisht e titullarëvë të tyre. Mbrojtja e idealeve dhe e vlerave të luftës kërkon besnikëri, vendosmëri, përkushtim, veprim aktiv, kundërpropagandë ndaj propagandës mashtruese anti-LANÇ të partive të djathta, sidomos të PD e ballistëve e zogistëve dhe kundër shtrembërimeve e falsifikimeve të gjoja-historianëve, që flasin e shkruajnë të pavërteta. Por kundërshtarët politikë ta dinë mirë se LANÇ është një mal i madh! Për baltosjen e saj dhe të dëshmorëve, që derdhën gjakun me okë për këtë tokë, nuk mjaftojnë miliarda lopata!

*Anëtar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Popullit Shqiptar

Share This Article
3 Comments
  • Pse o te uruar,botues te “DITES”,nuk ma botoni komentin, per kete shkrim “KUSHTRIM”qe ben i nderuar VETERANI-VETERANEVE, Sevo Tarifa?!
    Nuk arrij t’iu kuptoj.
    …per me teper nga TEJ OQEANI LENGOJ>
    “Pasuesi veteran” -83 vjecari Dh Xh.
    Guri Naimit D.

  • S’po ndez me ´lufta ´ e juaj?!
    S’po do me dite kush per konfliktet te kota qe keni krijuar ?!
    S’po binden me shqipet nga sloganet shterpe te pseudo historianet e pseudointelektualet qe katandisen vendin ne hymnere tash e 30 vjete me dredhjeBishte si ky here ambasador i berishes here mbrojtesi i partizaneve?!
    Pfffff!
    Pak te vonuar shqiptaret ne kthejllimin e tyre! Po ma mire vone se kur prape se prape! Apo presin vdekjen e te gjitheve me na sjell prape nje shkrim me nje kthim jackete siç e kane zakon historianet e intelektualet e Ramizit e Nexhmijes!?

  • Problemi eshte per pse keta veterane nuk po mbrojne Atdheun kur po shitet e po shkillet ne kater ane?! Nuk dine gje per situaten katastrofike ku prape komunistete e bijte e tyre e kantandisé vendin?! Nuk kane nje fije pergjegjesi sa me dall e me thane mjaft me keta trima?!
    Jo, heshtin e mbyllin syte per katastrofen e sotshme e njerezeve si ky artikelshkruesi ju intereson vetem si te perfitojme dicka nga to…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *