Ato që nuk dini për Bashkim Finon

J L

Kujtime për politikanin dhe njeriun, ish-Kryeministrin dhe ish-deputetin, Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta para pak ditësh. Si e kam njohur dhe cilësitë që e dallonin nga të tjerë. Humori i veçantë dhe lirshmëria në komunikimin me njerëzit…

Pëllumb Vreka

 

Aty nga ora 2330– e datës 8 mars 1997, bie celulari dhe në anën tjetër dëgjoj një zë të njohur:

– Miku im, nesër  jam në Tiranë, si Kryeministër.

– Po tallesh, o Baçi!

– Sinqerisht, jo e kam seriozisht, nga të gjitha partitë dhe me miratimin e të huajve, jam caktuar kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar.

– Epo, për hajër qoftë, miku im, por më duket pak si barrë e rëndë që ke marrë përsipër të mbash në kurriz, sidoqoftë e ke gjykuar vet, urime dhe mirardhsh në Tiranën e kuqe.

– Je i pari nga miqtë e mi, që të kam telefonuar për këtë detyrë, – ma ktheu aty për aty.

– Dakord , dakord, i kuptoj të dyja, edhe tensionin që ke tani por, edhe përgjegjësinë në këtë katrahurë që është vendi tani. Të qoftë për hajër e me faqe të bardhë…

Me kaq e mbyllëm bisedën atë natë. Një bisedë konfidenciale miqsh, pasi në fakt, Baçin e kam njohur më parë, që në vitin 1996 kur ishte kryetar bashkie në Gjirokastër.

***

… Ishte një pasdite, kur ish konsulli grek Vasil Bornova, edhe ky miku im, për një event, kish ftuar në një kokteil, personalitete të qarkut të Gjirokastrës, po ashtu edhe disa gazetarë të po atij rrethi si Engjëllush Serjani, botues i gazetës Java, Panajot Barka, gazetar i “Skai”–t grek etj.

Takimi zhvillohej në sallën e mbledhjeve të konsullatës, në katin e dytë, të ish hotel turizmit, ku konsullata kishte disa dhoma të marra me qira.

Miku im, Barka, më prezantoi me të pranishmit, së pari me Bashkim Finon, si kryetar bashkie, pastaj, prefektin Fatos Gjyrezi, etj.

Pas disa bisedave me të pranishmit dhe me Bashkim Finon, në përfundim të eventit e lamë për t’u takuar të nesërmen për një drekë. (Në ato kohë, unë shkoja pothuaj çdo 15-20 ditë në Greqi për punët e mia, por më parë rrija një ose dy netë në Gjirokastër, mes shoqërisë së konsullit grek dhe miqve të mi gjirokastritë).

Vlen të theksohet, se në vitin 1996 të gjitha institucionet e rrethit të Gjirokastrës, drejtoheshin nga eksponentë të partisë demokratike, si Shiku, me Besnikun, prokuroria me Flamurin, divizioni me Dilaverin, prefektura me Fatosin, etj. etj. Përjashtim dhe e çuditshme ishte që populli i Gjirokastrës në krye të bashkisë kish vendosur trimin socialist, tridhjetë vjeçarin  Bashkim Fino.

Kështu, i binte që shoqëria e Bashkimit të ishte vetvetja, paçka se ai ishte jo vetëm i paanshëm, i dashur dhe bashkëpunues me të gjithë këto figura të demokratikes.

***

U takuam tek lokali Ben Kendelles, në katin e dytë. Bashkimi ishte ulur tek një nga ato stolat e lartë, në banak, vetëm. Në atë vend e gjeja gjithmonë kur linim takim. Zumë vend tek një tavolinë pranë dritares me pamje nga rruga. Së pari folëm për të zakonshmen, kush je ti dhe kush jam unë, vetëkuptohet me biografi të secilit, ne u ndiem të afërt se edhe unë jam nga Tepelena d.m.th. komshi me gjirokastritët.

Për të qenë i sinqertë, duhet të pranoj se, Baçi (kështu e thirra më vonë gjatë gjithë viteve te njohjes), më la përshtypje të jashtëzakonshme, një tridhjetë vjeçar me atë pjekuri, në atë kohë e në atë vend, kjo ishte tepër e veçantë. Ai ishte një orator, organizator i zgjuar, tip i veçantë, tepër serioz por, ai kish dhe një anë tjetër të veçantë, ishte i qeshur dhe kish një sens humori të hollë, në batuta që i shkonin paralel me seriozitetin.

Besoj u kujtohet të gjithëve para pak muajsh në vitin 2020 kur diskutohej buxheti, në komision, përfaqësuesi i një institucioni kërkoi t’u shtohej nga një shofer duke marrë si shembull një institucion tjetër, Bashkimi ndërhyri dhe i tha:

-Pse t’u japim shofer ne juve? Më mirë ua heqim dhe atyre dhe kështu bëheni barabar.

Me këtë batutë nuk ngeli njeri pa qeshur në atë moment.

***

Pas atij takimi, me Baçin u bëmë shumë miq, dhe dy apo tre herë në muaj, takoheshim po tek lokali i Ben Kendellës, në ato kohë, ai mbahej si lokali më i mirë në Gjirokastër. Gjatë takimeve me miq të tjerë në Gjirokastër, mësova se ai ishte që për zgjidhjen e problemeve nuk bënte dallim nëse ishin të majtë apo të djathtë, e kishin votuar apo jo. Ky ishte Baçi, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, një socialist i ri por, i thekur.

Të nesërmen, ai erdhi në Tiranë, pavarësisht kohës së ngjeshur me takime, biseda e debate, gjeta kohën e mora në celular dhe e lamë që të takoheshim pas ndonja një muaji, pasi “rrufetë” të kishin shkarkuar ngarkesën e grumbulluar gjatë tajfunit të vitit 1997.

Pas ndonja një muaji, më mori në telefon:

-Eja mo, eja nesër nga ora dhjetë në kryeministri të pimë nga një kafe.

Të nesërmen, shkova në kryeministri, u pershëndoshëm, morëm kafetë përpara dhe dihet që tema e bisedës ishte ajo, katrahura e Shqipërisë.  Në vitin 1997, me djegie, shkatërrime, vrasje e grabitje, shkurt Baçi ishte një trim, socialist. Folëm gjerë e gjatë për peripecitë, problemet por, edhe për bërrylat që kryetarët e partive i vinin njëri tjetrit, kush e kush të dilte më i rëndësishmi. Këtë detyrë të cilën e kreu me nder e me sakrificë ai i përmbushi me dinjitet dhe do te mbetet në historinë e Shqipërisë, ndonëse qëndroi vetëm disa muaj në detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë.

Pasi folëm, nja dy orë të mira dhe se atij i vinte mirë që u shkëput pak nga ajo zallamahi e përditshme dhe torturuese, ai propozoi që të bënin nja dy foto, në kujtim të atij takimi, njërën nga të cilat unë po e botoj së bashku me këtë shkrim, si një kujtim i paharruar me mikun tim, Baçin.

Pas atij takimi, sigurisht u takuam edhe herë të tjera, herë pas here po tek bar-restoranti i Rognerit. Baçi frekuentonte lokalin e Rognerit pasi siç thoshte ai, ishte afër dhe shfrytëzonte kohën e kufizuar, por edhe në vitet në vazhdim aty takoheshim.

 

Episode të paharrueshme

 

1.

Ishim në zyrë duke pirë ndonjë kafe dhe po diskutonim për kohën kur, kish qenë kryetar bashkie, marrëdhëniet me kolegët dhe drejtuesit e tjerë të institucioneve të tjera, ku kuptohet, ai ishte tepër bashkëpunues… Nejse, i bie celulari, ishte shoferi i tij, e hapi.

Pasi e dëgjoi mirë e mirë, bërtiti:

-Lëmsh të bëhesh, hipeni në makinë dhe çojeni menjëherë në spital. -Kërkon leje ky, tjetra duke vdekur, ky…

Ngjarja siç ma shpjegoi Baçi, ishte se: Një grua me biçikletë, shtatzënë kalonte afër makinës së Baçit, e parkuar para kryeministrisë, kalon autobusi dhe i bie borisë, gruaja trembet dhe bie në trotuar pa ndjenja.

-Po mirë, o Baçi, po e zbusja unë, sikur shoferi te mos të të njoftonte fare por ta merrte e të shkonte direkt në spital, ç’do bëje ti?

-Hiç, ç’do bëja, do e lavdëroja shoferin.

Ky ishte humanizmi i Baçit.

 

2.

Kur ishte ministër i pushtetit lokal, më thirri në zyrë për kafe, (Baçi veç celularëve kish hobi dhe kravatat).

Pyeta sekretaren Arita, nëse kish njeri tjetër brenda.Ka, ka, u përgjigj, është Hajdaraga, por, ti futu, se ka lënë porosi.

Trokita dhe hyra. Baçi ishte në tavolinën e punës ndërsa Hajdaraga në kolltuk.

– Ky, i tha Luanit, është miku im …

-Hiqe, hiqe, kravatën se qenka e bukur – më tha.

– Shko te kremastari zgjidh një nga ato të miat. Kapa një kravatë dhe vendosa në qafë.

-Të shkon, të shkon – tha – i shkëmbyem. Tani do të shkojmë të hamë drekë të tre, se dhe Luani do të të njohë meqë je miku im. Shkuam e hëngrëm drekë.

Një rast tjetër,

Isha në zyrë me të duke biseduar “Hostenin” e dikurshëm. Bie telefoni, e hapi dhe me zë të ulët tha: Është Tosi. Dhe me gishtin tek buza me dha të kuptoja që mos flas.

Diskutoi goxha me Tosin, gati pesë minuta, pasi e mbylli, mu kthye mua:

-Ishte Fatosi, besoj e kuptove përse ishte muhabeti.

-Po, po, ia ktheva, e mora vesh që ishte Fatosi, por, këto pikturat i keni blerë si dikaster apo t’i kanë dhuruar? Kur ti flisje unë nuk isha këtu!

-Rrufjan tepelene, je.

Vazhduam bisedën për “Hostenin”.

 

3.

 

Më mori në darkë në telefon dhe më tha:

-Miku im. Nesër ora 7e 45 të jesh këtu tek ministria tek recepsioni.

Arrita, fiks në orarin që më tha. Ai ishte ulur tek vendi i dezhurnit. Rri aty lart tha, te sheshi sipër shkallëve, sa të mbaroj një punë.

Pas pesë minutash filluan punonjësit të vinin në punë. Pasi kaloi ora tetë dhe po vinin të tjerë, hyri njëri.

-Je dhjetë minuta me vonesë, ik në shtëpi!…

Dhe shënonte emrin dhe orën e hyrjes.

Hyri tjetri.

-Po ty akoma nuk të ka dalë gjumi, je x minuta me vonesë, ik në shtëpi, vazhdo të flesh.

E kështu me radhë, u bënë gati trembëdhjetë punonjës që kishin ardhur me vonesë.

-Pasi, nuk po dukej më njeri, u çua, doli nga kabina dhe duke palosur atë fletën me shënime, tha:

-Është mirë, kështu apo jo, Vreka, u presim ditën e punës, i kursejmë ca para shtetit dhe … vënë mend këta dhe të tjerët që janë brenda.

-Tani eja ta pijmë kafen e mëngjesit rehat se detyrën e mbaruam. (Këtë avaz ai e kish bërë për plot, pesëmbëdhjetë ditë rresht).

4.

Unë solla nga Irlanda, në ato vite, një sasi radiosh dore, jo si ato që përdorte Garda e Shiku, dhe ia dorëzova kryetarit të grupit të shoqërimit. Nuk di si ndodhi që Kaçi mbeti pa radio, sepse disa ministra i morën përdorim personal (unë kisha mbajtur një copë që t’ia jepja Kastriotit, si zv. Kryeministër, por desha t’ia tregoja dhe Baçit). Ai sa e pa, tha:

-Bjere këtu se e dua për vete. Nuk më ka ikur akoma vlaga e kryeministrit. Ia dhashë pas dy a tre ditëve, kur për vit të ri, në respekt të funksionit, i dhashë Kaçit një dhuratë simbolike, më pyeti:

-Po për mua nuk mbeti ndonjë radio, jam edhe zv. Kryeministër?

-E kisha ruajtur, i thashë, ia tregova Baçit, ma mori.

-Epo atij i takon në fakt, ai akoma është kryeministër.

Në fakt, ato kohë kryeministër ishte Fatos Nano.

 

5.

Një grup gazetarësh organizuam në Durrës një event dhe po ktheheshim me dy makina.

Nja pesëqind metra pa hyrë në Vorë, një patrullë e policisë rrugore prej dy vetash, ndalonte secili për hesap të vet makinat dhe kontrollonte dokumentacionin.

Njëri prej tyre, një topolak me xhup meshini të zi, ndaloi makinën para nesh, ndaluam edhe ne nga pas. Zbrita nga makina dhe u afrova për të parë e dëgjuar për arsyen e ndalimit të makinës, ora ishte diku pesë a gjashtë pasdite.

Ai shikonte dokumentet, i vërtiste nëpër duar e nuk fliste. Koha kalonte ai vazhdonte avazin.

-Më fal, i thashë, po qe se është në rregull, a të ikim ne?

-Do ikni kur të dua unë, ti shko tek makina jote, prit radhën.

-Epo mirë, i thashë, kur qenka puna kështu, po njoftoj eprorin tënd.

-Njofto kë të duash, u ngrefos ai, unë jam nipi i Bashkim Finos, hajde ikni tani.

Mora Baçin në telefon nëse ishte në zyrë apo në shtëpi apo në punë.

-Eja, eja, në zyrë jam.

-Shkova në zyrë dhe i tregova ngjarjen fije për pe.

-Mori në telefon Islam Qebinin dhe e thirri në zyrë. Islami ishte edhe ai, nga miqtë më të mirë të Baçit.

-Islam, i tha, ç’është ky birbo nga fshati im, që mburret lart e poshtë se jam nipi i Bashkim Finos.

-Nuk është djal i keq, e mbrojti Islami, si shumë të rinj mburret meqenëse është nga fshati yt.

-Është apo nuk është nga fshati im, nesër këtë e dua të përjashtuar nga policia.

-Në rregull, – tha Islami e doli.

Të nesërmen, polici trimosh, iku për në … fshat.

Ky ishte Baçi, që të bënte ta respektoje më shumë akoma.

 

6.

Pavarësisht se Baçi punonte shumë dhe gëzonte respektin e shumicës që kishin të bënin me të kishte tek-tuk, edhe ndonjë egoist e xheloz, sharlatan i paskrupullt që kërkonte me ngulm, denigrimin e figurës së Bashkim Finos, ky tip që shkruante nga matanë kufirit artikuj kundër tij, të cilat i botoi nga gazeta e asaj kohe “Albania”. (Flasim për vitin 1997 unë kaloja shumë kohë te gazeta me Yllin e Lutin).

Kur u botua në gazetë, ndodhesha me një punë në Greqi. Kur u ktheva Ylli, më jep një fax që e kish dërguar në redaksi e shoqja.

I thash Yllit, mos ta botonte dhe e mora fax e shkova tek Baçi. Baçi as që e kish dijen, për të. Siç duket, Diana, me të drejtë e revoltuar nga shkrimet në gazetë u detyrua të shkruante atë fax.

-Baçi, e lexoi, dhe qetë, qetë, ma zgjati mua duke vazhduar:

-Mirë ua ka bërë, gazetë paçavure është ajo.

Kaluam në një bisedë tjetër.

 

7.

Me shoferin e Baçit, shkuam te 21 Dhjetori, tek Dyqani I “Auto-Tanes”, parkuam makinën, shoferi i la dyert pa mbyllur, demek nuk vonoheshim. Pas pesë minutash u kthyem, (dyqani deri tek makina ishte nja shtatë tetë metra), shohim që ishte shkulur nga vendi kasetofoni.

Për dreq, Baçi na merr në telefon dhe na pyeti ku ndodheshim.

-Nuk vonohemi, i thashë.

Faktikisht ai priste makinën se do ikte në Selanik privatisht. Tani, a kish burrë t’i thoshte që na vodhën kasetofonin me të cilin ai do udhëtonte.

Shkuam drejt në komisariatin nr.2, fatmirësisht tek hyrja ishte një inspektor veteran krimesh, Jani Naçi, jashtëzakonisht i përgatitur, për zanatin e tij. U shkëput nga kolegu e erdhi tek ne.

Ia qamë hallin dhe pozitën ku ishim.

-Shkoni, tek kafja, vij për dy minuta, na tha.

-Erdhi, kasetofonin, tha e ka vjedhur “Korbi”, një hajdut, vet i njëmbëdhjeti fëmijë në familje.

Ai do e sjellë tani, jepi njëmijë lekë se për bukë e ka vjedhur.

Pas, çerek ore erdhi “Korbi” me kasetofonin në dorë, (akoma nuk e kish shitur se nuk kishte blerës). I dhashë njëmijë lekë dhe u zhduk. U çuam, falënderuam Janin dhe shkuam pas lokalit ku morëm një teknik televizorësh, Pëllumbin, që është edhe sot, aty, edhe na e vendosi. Mbajta frymën në zyrë dhe i shpjegova një për një gjithë sa na ndodhi.

Që hajduti e vodhi për bukë, e se në shtëpi ishin njëmbëdhjetë fëmijë, Baçi u çua në këmbë, ia dha një të qeshure:

-Ha, ha dhe tha:- d.m.th. babai i tyre sa herë që shfryn hundët, e shoqja mbetet me barrë.

Ky ishe Baçi, hokatar, pimë kafen e ai u nis për Selanik.

 

8.

Po pinim me Baxhanakun, tek lokali i Fidelit, nga një konjak. Bie telefoni, shoh numrin e Baçit. E hapa.

-Ku je, më pyeti, tek lokali i Fidelit me Baxhakun iu përgjigja.

-Hajde, shpejt tek lokali i Gazit.

Gaz Demi, miku im, kishte një objekt, prapa ministrisë së mbrojtjes, në parkun Rinia, që quhej “Mjelma”, kjo për faktin se Gazi, kishte në oborr, një shatërvan dhe në të kish vendosur një mjellmë prej… polisteroli të pikturuar.

Në katin sipër, mblidheshin herë pas here miq e shokë të Baçit dhe luanin. Hyra brenda. Kishte nja dhjetë-dymbëdhjetë vetë brenda. Baçi në një tavolinë, me “komision” luante me Raftin.

-Ulu këtu, afër meje, tha, kam humbur dy herë, mbase më sjell fatin.

Çuditërisht, Baçi fitoi tre herë radhazi. Rafti i nervozuar, u çua në këmbë, dhe m’u drejtua mua:

-Ik, o Pëllumb, se më solle tersin, ik, aman.

-Jo, jo tha Baçi, Pëllumbi është ekipi im, ti zgjidh një për ekip.

Plasi gazi nga të pranishmit. Pasi humbi dhe dy lojë, Rafti i mërzitur u çua e duke dalë, mu kthye prapë mua:

-Tjetër herë do jesh në ekipin tim!

Patjetër i thashë, po të jesh akoma drejtori i përgjithshëm. Pse, ç’di ti o Pëllumb?

-Di këtë, iu përgjigja, të pranishmit dëgjonin, që para një jave kur inauguruat postën e Sarandës, kryeministri i pranishëm, të rrahu shpatullat. Kjo do të thotë që do ikësh, e dëgjove i tha Baçi, nuk flet kot ky!

Vërtet, pas dhjetë ditësh Rafti u shkarkua.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *