Megjithëse kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm, nga shumë albanologë, miq e dashamirë të huaj për Shqipërinë, në fillim koloneli Aubrey Herbert me ndihmën e paçmuar ndaj delegacionit tonë në Londër në vitet 1913-1914 dhe në të tjera çështje shqiptare dhe, më pas, pas vdekjes së tij, e ëma e tij ledi Carnarvon, e cila, si një misionare e shquar niveli botëror, asistoi dhe ndihmoi muhaxhirët kosovarë që erdhën në Shqipëri gjatë viteve 1923-1929, financoi me fondet e veta spitale e qendra shëndetësore, hapi një qendër të madhe kulture me një bibliotekë të pasur në Tiranë, fatkeqësisht sot pothuajse janë harruar nga shqiptarët. Fshati me 50 shtëpi kosovare që ngriti kontesha Carnarvon në Kavajë dhe që ajo i vuri emrin e të birit, Herbert, si duket nuk i rezistoi kohës, dhe tani thirret Qerret; qendra kulturore dhe biblioteka “Carnarvon”, në ish- godinën e kinema “Agimit”, u grabit dhe u shkatërrua gjatë luftës, ndërsa tani, së fundmi, është shndërruar në “shesh ndërtimi” për gratacielin e radhës; dy rrugëve, rrugës “Carnarvon” dhe rrugës “Herbert” iu është ndryshuar dy herë emri, në fillim me “Punëtorët e Rilindjes” dhe më pas me emrin rruga “Xhorxh Bush”. I vetmi vlerësim për familjen fisnike Herbert-Carnarvon, është dekorata më e lartë e kohës, ”Oficere e Madhe e Urdhrit të Skënderbeut”, e dhënë me dekret mbretëror më 12 maj 1929, dhe më pas agjë tjetër. Desh harruam, ka diçka të re që tregon vëmendje, por kjo është nga ana angleze: jo shumë vite më parë Parlamenti Anglez botoi librin “Miku më i madh i Shqiptarëve Sir Aubrey Herbert” (Albania’s Greatest Friend) që përmban shënime, ditare, artikuj të Herbert, libër tepër interesant në shumë kuptime që është përkthyer edhe në shqip.
Mik i shqiptarëve të shquar
Herbert ka qenë një nga miqtë më të afërt dhe më të sinqertë të shqiptarëve dhe veçanërisht i figurave të shquara të kombit tonë si Ismail Qemali, Mithat Frashëri, Dhimitër Berati, Pandeli Vangjeli, Mbreti Zog, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mehmet Konica, Faik Konica, Çarles Telford Erikson etj. Ai deri në vdekje punoi pa pushuar për çështjen shqiptare dhe për pranimin e saj në qarqet politike e diplomatike britanike ku kërkohej zgjidhja adekuate. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë mik më të madh se Abrey Herbert. Edhe pse nga shtresat e pasura, ai ishte i përulur ndaj shqiptarëve.
Shtëpia e kolonelit Aubrey Herbet ruhet edhe sot siç ishte në atë kohë, kur ai ndërroi jetë në vitin 1923. Në shtëpinë e Herbertit, në të cilën për ditë me radhë bujti Isa Boletini, edhe sot gjënden fotografi, kostume dhe relike që kanë të bëjnë me lidhjet e tij me popullin shqiptar.
“Fol mirë për Shqipërinë”!
Lidhja me Shqipërinë qe e rastit, por e fortë dhe e qëndrueshme deri në vdekje. Qazim Kukeli, një shqiptar nga Dibra, ishte shërbëtori në ambasadën britanike në Stamboll. Qazimi është shkaku që Herbert hyri në botën e komplikuar shqiptare, që nga dita e parë që u takuan. Qazim Kukeli, siç përshkruhet nga Abrey Herbert, ishte një njeri impozant në të gjitha pikëpamjet, të cilit vështirë se i gjendet shoku edhe në filmat më epikë të Holivudit. Në ditarin e Herbertit, Qazimi zë një vend të rëndësishëm. Qazimi do ta shoqëronte “zotëriun” e tij anglez gjatë tërë qëndrimit në Stamboll, udhëtimeve në Ballkan, në vende tjera, e deri në Britani të Madhe. Qazim Kukeli ishte ndihmë shumë e madhe në të gjitha aspektet e jetës së përditshme të Herbertit. I mrekulluar për këtë, Herbert një ditë e kishte pyetur Qazimin se ç’ka mund të bënte për të si shpërblim. Asgjë për mua. Fol mirë për Shqipërinë kur të jepet rasti, i ishte përgjigjur Qazim Kukeli. Dhe, Herbert e bëri këtë punë duke lobuar gjatë tërë jetës së tij për Shqipërinë.
Aktiviteti i Herbert për vendin tonë
Për të mbrojtur çështjen shqiptare Herbert ngriti në Londër një komitet, qëllimi i të cilit ishte të ndikonte te Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve që do të mbahej në Londër. Që në fillim të punës, përfshiu 12 anëtarë nga deputetët e Parlamentit Britanik, dy funksionarë të lartë qeveritarë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryeshefin e rabinëve dhe shumë dinjitarë tjerë. Puna rreth krijimit dhe vendosjes së kufijve të Shqipërisë do të shkonte edhe më keq sikur të mungonte ndikimi i Komitetit në krye me Aubrey Herbertin. Komiteti ishte pritës dhe organizator i delegacionit shqiptar që erdhi në Londër në janar të vitit 1913 në përbërje të të cilit ishin Mehmet bej Konica, Rashit bej Dino dhe Filip Noga. Pasi që qeveria e Shqipërisë ende nuk njihej ndërkombëtarisht, ndihma e Herbertit dhe e Komitetit që i ofroi delegacionit ishte e madhe. Ndihmë e pakrahasueshme u ofrua edhe gjatë punëve të Konferencës së Ambasadorëve, kur në Londër (29 prill 1913) erdhi delegacioni i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë. Delegacioni kryesohej nga Ismail bej Qemali dhe shoqërohej edhe nga Isa bej Boletini, të cilin shtypi dhe opinioni britanik e njihte si udhëheqësi i gueriles shqiptare të Kosovës që në Qeverinë e Vlorës kishte marrë funksionin e komandantit të Milicisë Kombëtare të Shqipërisë.
Aubrey Herbert mbi shqiptarët
“Shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë adhurues të zjarrtë të truallit dhe shkëmbinjve të tyre, dhe mënyra e tyre e jetesës qe ndërtuar mbi to. Qe një sistem i vështirë, por u shkonte njerëzve për shtat; çdo njeri qe polic i aftë i vetvetes dhe hakmarrja ka qenë kodi i tyre i pranuar. Atë që Europa do ta kishte cilësuar si hakmarrje, ata e kanë quajtur drejtësi. Nga pikëpamja e vendeve të qytetëruara, Shqipëria qe një vend pa ligje, por krimet më të ulëta që njollosin kronikat e gjykatave penale të Europës Perëndimore qenë të rralla. Mbi Kodin shqiptar mund të thuheshin shumë gjëra. Edhe pse nuk kishte hekurudha, kalorësia e Mesjetës vazhdonte të ekzistonte.”
Biblioteka “Carnarvon”
Një dhuratë e çmuar angleze për shqiptarët
Aty ku dikur ka qenë kinema “Ali Demi” dhe ku një ndërtesë nga ato të të sotmet, mëdhatë, nuk kanë lënë asnjë gjurmë të vjetër ka qenë “Biblioteka Carnarvon”, e ndërtuar në vitin 1928 dhe e përuruar më 1929, si dhuratë e familjes së lordëve (Earls) anglezë Herbert dhe personalisht e bamirëses së madhe filoshqiptare konteshës Carnarvon, e quajtur nga vetë shqiptarët “Nëna e shqiptarëve” dhe e dekoruar me Urdhrin Skënderbe më 1929. Kjo bibliotekë i përkushtohej të birit, mikut të madh të Shqipërisë, avokatit dhe mbrojtësit të të drejtave të shqiptarëve Sir Aubrey Herbert (1880-1923). Biblioteka arriti në një koleksion prej 5.000 librash në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, gjuhë klasike etj., u shndërrua për Tiranën në bibliotekën e dytë të rëndësishme pas asaj Kombëtare. Biblioteka kishte një sallë të madhe leximi, 26 sergjenë për libra me 7 dollapë secili. Në sallë ndodhej edhe një oxhak me portretin e Aubrey Herbert, gdhendur në gur. Kontesha Carnarvon e kishte zgjedhur këtë vend nën kurorën e dendur të ullinjve si kult në kujtim të të birit, por fatkeqësisht, ndërroi jetë pak ditë para inaugurimit.
Kush është Aubrey Herbert
Sir Aubrey Herbert (1880-1923) kishte prejardhje të aristokrate angleze, me mbi 15000 hektarë tokë, prejardhje që nuk e pengoi atë të bëhet një njeri me famë, aktiv në jetën politike të vendit dhe në atë botërore. Karrierën e filloi si diplomat dhe vazhdoi të shërbente si oficer ushtarak në Irish Guards, kurse më vonë shërbeu 12 vite deputet i Parlamentit Britanik nga radhët e Partisë Konservative. Në vitin 1904 Herbert filloi punën e atasheut të nderit në Stamboll dhe nga ky moment e deri në vdekje (1923) ai nuk iu nda aktiviteti të tij për promovim të nacionalizmit shqiptar. Herbert ishte i rëndësishëm edhe në jetën britanike. Figura e tij hyri në amshim letrar me anë të personazhit të Sandy Arbuthnotit, në serinë e novelave Greenmantle të autorit John Buchanan. Aubrey Herbert, diplomat, udhëtar, oficer zbulimi, studiues, poliglot, politikan – mik i shqiptarëve, dy herë iu ofrua froni i Shqipërisë, por konjukturat politike bënë të mos i pranonte. Ai u bë nxitës i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë, pasi vizitoi vendin për herë të parë në vitin 1907. Gjatë qëndrimit në Tiranë ai u bë mik i Esad Pashës. Kur delegatët shqiptarë shkuan në Konferencën e Londrës 1912-1913 ata gjetën ndihmën e Herbertit si këshilltar. Një nga personat me të cilët Aubrey Herbert mbajti kontakte të vazhdueshme ishte albanologia Edith Durham. Herbert kishte ngritur më 1912 një shoqëri filo-shqiptare, me parlamentarë, dijetarë dhe gazetarë, për të kontribuar për pavarësinë e Shqipërisë. Sir Herbert ndërroi jetë në moshën 43-vjeçare në vitin 1923 dhe misionin e tij në Shqipëri e vazhdoi kontesha Carnarvon. Në kujtim të të birit ajo organizoi Komitetin shqiptaro-britanik në ndihmë të refugjatëve nga Kosova që i strehuan në fshatin afër Kavajës që mori emrin Herbert, sot Qerret, si dhe disa fshatra në Myzeqe, që edhe sot janë me banorë me origjinë kosovare dhe serbo-boshnjake. Aty hapën shkollën, luftuan malarien, ngritën ambulanca me mjekime dhe barna falas etj. Aubrey Herbert ishte edhe poet.
Në vitin 1926 Mit’hat Frashëri shkruante për kontributin e familjes aristokrate angleze në Shqipëri: “Mirënjohja nuk është vetëm një cilësi që i ushqen, i shton virtytin njeriut, po është edhe një detyrë. Janë do njerëz vepra dhe ndihma e të cilëve, vlen një ushtri të tërë. Kështu qe për ne shqiptarët i ndjeri Aubrey Herbert.”
Siç ka ndodhur edhe me të tjerë, por më tepër me Erbert është bërë një padrejtësi e madhe, duke e lënë atë në harresë një njeri që gjatë lindjes së shtetit të ri shqiptar, më 1912, kishte punuar aq shumë, sa imagjinata e shumicës së shqiptarëve të sotëm nuk e rrok dot. Emri dhe veprat e mikut më të madh të Shqipërisë vlen më shumë se një përmendore, më shumë se një emër institucioni apo rruge, mbi të gjitha, mirënjohje historike.
Isa bej Boletini, “Robin Hudi shqiptar” në shtëpinë time
Figura më piktoreske e delegacionit në Londër ishte Isa bej Boletini, “Robin Hudi i Shqipërisë”, shkruan Herbert, duke vazhduar t’i numëroj faktet tjera të cilat këtë njeri e kishin shndërruar në legjendë edhe sa ishte gjallë. Përshtypjet që kishte lënë Isa Beu në Londër ishin mahnitëse. Me trup të një gjiganti dhe me veshje karakteristike kombëtare, impononte pamjen e tij gjithkund. Herbert shënon se edhe në vende publike, kur dilte Isa beu, i tërë qyteti ndalej për ta shikuar këtë njeri të pazakonshëm.
Më tej Herbert shton: Ai ishte një burrë i paarsimuar, me një emër të madh, të drejtë për guximin e tij dhe si njeri punëmbaruar. Bëmat e tij ishin bërë legjendë, kurse rrëfenjat se sa herë u kishte shpëtuar turqve dhe serbëve, ishin shndërruar në fabula. Në Londër ndjehej i humbur dhe përmalluar për vendlindjen, sepse nuk ia thoshte asnjë fjale të vetme anglishte. Kalonte orë të tëra në shtëpinë time, duke pirë kafe turke. Kur ndodhesha në Dhomën e Komuneve, vazhdimisht merrja telefonata të shqetësuara nga gruaja dhe kur kthehesha, shpesh i gjeja atë dhe Isën pa shkëmbyer asnjë fjalë, por duke iu përkulur njëri-tjetrit herë pas here…
Në një rast, z. Lloid George drekoi me mua për të takuar shqiptarët dhe pas drekës, Toni Precha, i restorantit shqiptar dhe unë, përkthyem bisedën ndërmjet Isa Beut dhe ministrit të Financave. “Tregoji atij, tha Isa, se unë jam malësor si dhe ai, andaj e di që zemra e tij ka dhembshuri për ata që vuajnë, sidomos për malësorët”. Pastaj bëri një mbyllje të ashpër me fjalët, “dhe thuaji që, kur të vijë pranvera, do t’i plehërojmë fushat e Kosovës me gjakun dhe kockat e serbëve, sepse ne shqiptarët kemi vuajtur aq shumë, sa nuk mund të harrojmë”. E mendova me vend ta zbusja paksa frazën e fundit, por z. Lloyd George u ngazëllye me malësorin shtatlartë, tek i cili mendonte se pikasi një shpirt të përafërt dhe u tregua i afruar me të.
… Krahas ndihmës politike, Komiteti Shqiptar bëri ç’të mundte për të argëtuar shqiptarët në Angli. Një pasdite Isa Beu erdhi me ne në kopshtin zoologjik. Kur po ngisnim makinën teposhtë rrugës “Regent”, vumë re që kishin vendosur afishe: Vrasja e Njazi Beut nga djali i Isa Boletinit. Anëtarët e Komitetit Shqiptar, të cilët nuk kishin qenë në Shqipëri, u ndjenë më të befasuar dhe ndoshta më të tronditur se unë nga ky lajm. Ata besonin se kjo duhej të ishte një shpifje tjetër ndaj një populli të pambrojtur. “Tregoji atij, -m’u drejtuan ata, -se çfarë shkruhet në afishe”.
I thashë Isa Beut: “Në ato mure është shkruar se djali juaj ka vrarë Njaziun. E besoni këtë”? “E çfarë do të ndryshonte tek unë, -u përgjigj Isa me maturi, -po të ketë ndodhur?”. I thashë: “Asgjë. Në vendin tonë nuk e duam vrasjen, por njeriu nuk ka pse fajësohet për ato që bëjnë të afërmit e tij”. “Atëherë, -m’u drejtua Isa, -mendoj se është mjaft e mundur. Im bir dhe Njaziu kishin bërë be se do ta vrisnin njëri-tjetrin”.
Shkuam në kopshtin zoologjik dhe teksa shëtisnim, Isa tha: “Të gjitha gjërat këtu i keni mbyllur në kafaze, përveç Djallit. Mua më pëlqen liria”.
Në Dhomën e Komuneve, Isa i befasoi të gjithë me kostumin e tij kombëtar. S’kishte se si të mos e shihnin gjithë admirim. Atij i bëri përshtypje të madhe Lord Treowen, të cilin e takoi në uniformë dhe ishte shumë i dëshiruar ta merrte me vete në Shqipëri dashur, pa dashur. Bëri shumë miq, të cilët i treguan atij lavditë e Londrës. E megjithatë, në një moment më tha: “Sado që këtu gjithçka është madhështore dhe megjithëse ju anglezët jeni mjaft të mirë, prapëseprapë nuk do ta ndërroja me shkëmbinjtë dhe lumenjtë e mi”.
Lordi anglez për Ismail Qemalin:
“Bir i aventurës, avokat i një vendi të rrënuar”
…Mbërriti delegacioni shqiptar, i përbërë nga burra të tri besimeve të ndryshme: ortodoksë grekë, katolikë dhe myslimanë. Në krye të tij ishte Ismail Qemal Beu, një burrë gojëmbël dhe me dhunti të gjithanshme, jeta e të cilit kishte qenë një kolovajzë e gjatë dhe plot rreziqe. Dobësia e tij qëndronte në rrethanat e tij dhe në debulesën që kishte për fëmijët e tij. Nëse ishte dredharak, arsyeja ishte se në pozitën e tij ishte e vështirë të ishe i drejtpërdrejtë. Skamja ishte mbikëqyrësi i rreptë i tij dhe në disa raste, atij i lypsej të gjente gjuhën e përbashkët midis bindjeve të papranueshme dhe sjelljes së pranueshme, në dëm të së parës. Ai ishte dishepull i Mit’hat Pashës, guvernator i Përgjithshëm i Bejrutit, guvernator i Përgjithshëm i Kretës, guvernatori i emëruar i Tripolit, këshilltar i Sulltanit dhe i arratisur nga Sulltani, redaktor anglofil, mik i Gordonit “kinez”, bir i aventurës, ai ishte një burrë plak i lodhur dhe i rraskapitur, avokat i një vendi të rrënuar. Ishte tregimtar i shkëlqyer dhe i admiroja historitë që tregonte për veten dhe të tjerët… Ismail Qemal Beun e njoha kur ishte në moshë të thyer, kur ishte si ajo breshka e mençur dhe dashamirëse. Kishte në vetvete një liberalizëm të vërtetë, që nuk shterej kurrë, por që ishte bërë i padukshëm nga rregullsia e natyrës së tij dhe shmangiet e lodhshme nga çiltërsia, i detyruar nga rrethanat. Ishte dinak dhe i zoti, dhe dinakërinë e tij kishte fuqinë ta formulonte me brishtësi. Sikur Sër Henry Campbell-Bannerman të ishte martuar me një fshatare bullgare dhe gjatë gjithë jetës së tij të ishte i detyruar që, për të shmangur rrahjen me thupër në shputat e këmbëve, të qetësonte dhe zbuste Abdul Hamitin dhe shpesh ta kishte pasur të vështirë të siguronte para dhe strehim sa për të kaluar natën, ai do të kishte pasur shumë të përbashkëta me Ismail Beun.
