Audit teknik dhe financiar për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë

Saimir Lleshi

Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime Tiranë do t’i nënshtrohet shumë shpejt një auditi teknik dhe financiar nga Ujësjellësi i Puglias, e njëkohësisht do të jetë në fokus të investimeve për të garantuar 24 orë ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës.

Përmes një memorandumi të firmosur sot nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano, ekspertiza italiane do të ndihmojë që UKT-ja të kthehet në një ndërmarrje të suksesshme.

“Do të auditojmë ndërmarrjen për të kuptuar në nivelin teknik dhe financiar se çfarë nuk shkon me këtë kompani dhe ku duhet të fillojnë investimet e reja. Më pas, do të kalojmë në një fazë investimesh, ku bashkë me ujësjellësin e Puglias do të sigurohemi që çdo qindarkë që investohet të ketë një dobi konkrete”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shprehu vendosmërinë për vijimin e disiplinimit të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet, nëpërmjet të cilave vidhet kjo pronë publike e qytetarëve të Tiranës për interesa private, pa paguar çmimin e faturës së ujit.

Më tej, kryebashkiaku Veliaj tha se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që të ketë ujë 24 orë dhe uji të jetë i një cilësie të lartë në qytet.

Ndërsa, Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano, tha se pala italiane do të japë eksperiencën e sak për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë dhe kërkoi që qytetarët të ndërgjegjësohen se uji është një pronë e tyre dhe duhet ta menaxhojnë me kujdes.

“Qeveria shqiptare dhe Bashkia e qytetit të Tiranës nuk do që të humbë kohë, nuk duan që të përhumben vetëm me protokolle e ceremonira, por kërkojnë t’u tregojnë njerëzve se gjërat po ndryshojnë për mirë. Sigurisht, do të duhet edhe një bashkëpunim i qytetarëve, të cilët duhet të kuptojnë e të ndërgjegjësohen se uji është një pronë e tyre dhe duhet ta menaxhojnë me kujdese”, deklaroi Emiliano.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *