Augsburgu i Gjermanisë është skuadra e radhës që interesohet për sulmuesin Armando Sadiku, i nxjerrë në shitje nga klubi i Luganos. Lajmi është bërë i ditur nga revista “Kicker”, e cila shkruan se klubi bavarez po studion situatën e shqiptarit, autor i 18 golave sezonin e kaluar në ligën e dytë zvicerane. Disa ditë më parë, italiania “La Gazzetta dello Sport” e bënte pothuajse të sigurt transferimin e Sadikut te West Bromwich në Angli. Veç tyre, janë edhe zviceranet e ligës së parë, Zyrih e Tun, të cilat kanë në planet e tyre shqiptarin. Një transferim në Gjermani apo Zvicër mund të jetë më i lehtë për Sadikun, për shkak të rregullave të ashpra në Britaninë e Madhe për lejen e punës për lojtarët jokomunitarë.
