Sot në Australi hyjnë në fuqi reformat e fundit, të cilat detyrojnë prodhuesit e cigareve të shesin vetëm paketat në ngjyrë ulliri, pa markë dhe me figura sensibilizuese për dëmet që shkakton duhani. Iniciativa shënon një intensifikim të reformave në kuadër të luftës kundër duhanit, e cila deri tani nuk ka rezultuar dhe aq e suksesshme në rang botëror.
Në gusht, ligjit iu hap drita jeshile nga Gjykata e Lartë australiane, e cila hodhi poshtë ankesën e katër gjigantëve të prodhimit të cigareve: British American Tobacco, Philip Morris, Imperial Tobacco dhe Japan Tobacco.
Ministrja e Shëndetësisë, Tanya Plibersek, theksoi se masat e reja synojnë ta bëjnë duhanin më pak tërheqës për konsumatorët. “Nëse mundemi të parandalojmë nisjen e përdorimit të cigares nga të rinjtë, kjo do të thotë shumë”, tha Plibersek. “British American Tobacco” ka paralajmëruar se ligji i ri do të shkaktojë një shpërthim të tregut të zi, pasi paketat pa markë do të bëjnë më të lehtë falsifikimin, duke i shtuar të ardhurat krimit të organizuar. Ndërsa “Philip Morris” shprehet se do të zhvillojë një betejë të gjatë juridike, në mbrojtje të markës. Shembulli i Australisë ka gjetur mbështetje në arenën ndërkombëtare, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar të gjitha vendeve të ndjekin shembullin e saj.
Ministria australiane e Shëndetësisë bën të ditur se përqindja e duhanpirësve në këtë vend ka rënë nga 50 për qind, në 15 për qind. Vendi që më parë radhitej i dyti në botë për nga numri i duhanpirësve, synon që ta zbresë këtë shifër në 10 për qind brenda vitit 2018.
