Austria i ka dorëzuar Francës dy persona që dyshohet se kanë lidhje me celulën e Shtetit Islamik që është përgjegjëse për vrasjen e 130 njerëzve nëntorin e kaluar në Paris, kanë thënë sot prokurorët.
Burrat algjerian dhe pakistanez, Adel Haddadi, 29 vjeç dhe Mohamad Usman Gani, 35 vjeç, u arrestuan në Austri më 10 dhjetor, në një qendër për refugjatë.
Hetuesit besojnë se ata kanë udhëtuar për në ishullin grek të Lerosit më 3 tetor, në të njëjtënanije të mbushur me refugjatë bashkë me dy burra që morën pjesë në sulmet e 13 nëntorit.
Dy personat në fjalë, që besohej se ishin irakianë, kishin hedhur vetën në erë para “Stade de France”, në një nga sulmet e kryera nga 10 njerëz atë natë në kryeqytetin francez.
Por, Haddadi dhe Usman ishin arrestuar nga autoritetet greke për 25 ditë për shkak të pasaportave false siriane.
Pas lirimit, ata kishin ndjekur rrugën e migrantëve dhe kishin arritur në Salzburg të Austrisë në fund të nëntorit, pas sulmeve të Parisit.
Policia austriake i kishte arrestuar ata vetëm disa orë pasi ishin informuar nga autoritetet franceze se ata mund të jenë të vendosur aty.
