Austria ishte vendi i parë evropian i cili bëri të detyrueshme vaksinimin kundër Covid-19. Tani ndërkohë që varianti Omicron ka treguar që nuk është i ashpër, kancelari austriak Karl Nehammer tha se falë situatës aktuale vendi mund të hapet hap pas hapi.
Nehammer deklaroi se në lehtësimin e masave që nis më datë 5 mars përfshihet zgjatja e orarit të restoranteve, bareve dhe rihapja e klubeve të natës.
Personat të cilët frekuentojnë baret, restorantet, apo marrin pjesë në aktivitete të ndryshme do duhet thjesht të paraqesin dëshminë e një testi negativ.
Në mjediset spitalore dhe shtëpitë e kujdesit do të lejohet hyrja vetëm për personat e vaksinuar.
Për sa i përket mbajtjes së maskës, ajo do të kërkohet në mjedise të vogla dhe të mbyllura.
Gjithsesi kancelari austriak theksoi se pandemia nuk ka përfunduar ende dhe duhet treguar kujdes.
a.m/dita
