Austria: Ndërhyrja në Lazarat, sinjal i fortë për statusin 

anazapta

 Pas përshëndetjes nga komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, operacioni i ndërhyrjes në Lazarat është konsideruar edhe nga Austria si një tjetër sinjal i fortë i vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike. 
Shefi i diplomacisë së këtij vendi, që para pak ditësh u bë nismëtar i një letre dërguar homologëve të vetë në BE për të mbështetur statusin e Shqipërisë, e ka bërë këtë konfirmim në Tiranë, kur u pyet nëse ndërhyrja në Lazarat është një argument i fortë pro Shqipërisë përpara vendimit për statusin.

“Është një tregues i qartë i vendosmërisë së qeverisë shqiptare për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike. Të njëjtën vendosmëri  duhet të kemi edhe në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimit të shtetit ligjor. Mendoj se kjo do të jetë një sinjal mjaft i fortë për vendet anëtare. Letra që iu nisëm atyre para pak kohësh ishte konfirmim i punës së Shqipërisë, ministrit tuaj të Jashtëm dhe qeverisë që kanë bërë një punë bindëse dhe shumica e vendeve anëtare mendojnë se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat”, deklaroi Sebastian Kurz.

Përpos mbështetjes për avancimin e Shqipërisë në BE, Austria gjithashtu do të mbështesë Shqipërinë në reformën në drejtësi. Kjo ishte një tjetër nismë e Shqipërisë që u vlerësua në raportin e Komisionit Europian për çështjen që ndër vite është theksuar si shqetësim nga vendet anëtare dhe po aq nga qeveria aktuale, kur një ditë më parë kryeministri e cilësoi drejtësinë si “Lazarati i gjithë Shqipërisë”.

Ministri austriak i Drejtësisë nga ky takimi konfirmoi asistencën në këtë fushë. “Ndihma jonë do të konsistojë jo vetëm në teori, por edhe në zbatimin në praktikë të reformës në drejtësi. Për mua është kënaqësi e madhe që të ndihmojmë Shqipërinë në forcimin e shtetit ligjor. E mira do të ishte të nisnim që sot nga puna”, tha ministri austriak.

Por megjithë vlerësimet publike të pjesës më të madhe të vendeve anëtare, përgjigjia për statusin e vendit kandidat do të mësohet vetëm në Këshillin e Ministrave të vendeve anëtare pas 5 ditësh. Përpara këtij vendimi, shefi i diplomacisë sonë ka shmangur parashikimin kur tha se, matematika nuk ndihmon shumë në këtë proces.

Por ai shtoi se ajo që Shqipëria pret është demonstrimi i besueshmërisë nga vendet anëtare pas provës që vendi ynë iu dha dhe që u çertifikua nga raporti i Komisionit Europian. Ai gjithashtu pohoi se Shqipëria nuk ka çështje të hapura me ndonjë vend që mund të bëhet bllokuesi i momentit të fundit.

“Edhe nëse do të kishim nuk është tryeza e integrimit ku zgjidhen çështjet bilaterale. Nuk është ajo e nuk dua të flas nëse do të ketë apo jo surpriza. Vendimi u takon vendeve anëtare”, deklaroi Bushati. / Top Channel

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *