Era e nënës mund t’u vijë në ndihmë fëmijëve autikë për të imituar veprimet e të tjerëve dhe për të rritur përshtatjen sociale. Një studim i kryer në Universitetin e Padovas në Itali ka mbajtur nën vëzhgim sjelljet e 20 fëmijëve autikë nga mosha 10-14 vjeç. “Kemi vënë re se si fëmijët me zhvillim normal imitojnë veprimet e të tjerëve, pavarësisht nga aroma që perceptojnë. Ndërsa fëmijët autikë kanë nevojë për erën e nënës për të imituar në mënyrë spontane”, thanë autorët. Studimi argumenton se si fëmijët e prekur nga autizmi janë më të prirur drejt njohjes që përcillet gjenetikisht dhe pikërisht për këtë era e njohur e nënës në këtë rast luan një rol të rëndësishëm në ndërveprimin social. Ky rezultat përbën një bazë të fortë për trajtimet që synojnë t’u mësojnë këtyre fëmijëve sjelljet dhe ndërveprimin social.
Studiuesit kanë “kapur” erën e nënës, të cilën e kanë marrë në sekrecionet e nënsqetullës, të cilën kanë arritur ta ruajnë përmes një procedure eksperimentale, për ta testuar më pas te fëmijët autikë. Është vënë re se ndërsa sjelljet imituese të fëmijëve normalë mbetej e njëjta, ajo e fëmijëve autikë përmirësohej dukshëm kur nëpërmjet nuhatjes perceptonin erën e nënës.
Llogaritet që incidenca e autizmit në popullsinë e botës është një në 150 fëmijë.
