Entela Resuli
Studimet e reja klinike kanë zbuluar se shumë fëmijë të vegjël që shpenzojnë shumë kohë para ekranit në TV, video game, tableta dhe kompjutera kanë simptoma të ngjashme me spektrin e autizmit.
Kur prindërit ua heqin ekranet për disa muaj, simptomat e fëmijës zhduken. Termi për këtë fenomen është “autizëm virtual”.
Përdorimi masiv i pajisjeve elektronike ndikon në rritjen e vetmisë dhe asocialitetit të tij.
Shoqërizimi me një ekran të ngurtë që nuk të përcjell emocione të një përqafimi të ngrohtë, me të cilin nuk shkëmben mendime të vërteta dhe të sinqerta, bëjnë që fëmija të fillojë të jetojë brenda një objekti të ngurtë duke humbur kontaktet me botën reale.
Në Dita kemi folur sot me psikologen Aljona Jonuzi e cila ngre shqetësimin në lidhje me këtë fenomen, duke u bërë thirrje prindërve që t’i shkëpusin gradualisht fëmijët nga mjetet elektronike.
Duket se sot është më e lehtë t’i heqësh bukën nga dora sesa telefonin një fëmije. Sipas ekspertëve, nuk duhet t’ua heqim menjëherë, por gradualisht. Fëmijët që qëndrojnë në telefon nuk e kanë të folurën funksionale pikërisht prej kësaj.
Me heqjen e menjëhershme ndikon edhe në psikologjinë e fëmijës që gjithçka sot e kanë zëvendësuar me virtualitet. Në botën reale janë më të tërhequr dhe më të ndrojtur.
Asnjë ekran tek fëmijët 0-2 vjeç
Sipas studimeve 5 orë në ditë qëndrim në botën virtuale mund të mos ketë efekte dëmtuese te të rriturit, por padyshim që ka efekte shkatërruese te fëmijët e vegjël ( sidomos nga 0-2 vjeç). Pasojat janë vonesa në zhvillim psikomotorik dhe në funksionet e të folurit, ose të sjelljes, deri në autizëm. Kjo është konfirmuar në 90% të rasteve, përgjatë terapisë te psikologu nga prindërit më fëmijë nën 2 vjeç.
Është pothuajse e pamundur të dallosh “autizmin virtual (të zhvilluar si rezultat i një efekti të pakontrollueshëm në psikikën e një fëmije nga teknologjia) nga ai klasik sepse simptomat janë ekzaktësisht të njëjta. Fëmijët kanë mungesë ose vështirësi të socializimit, kontaktit të vazhdueshëm me sy, fjalës, lojërave të roleve si dhe dominimin e fjalëve, frazave, veprimeve dhe lojërave të përsëritura.
Si rregull, fëmijët mësojnë kuptimin e fjalëve nëpërmjet ndërveprimit social- duke luajtur me objekte të ndryshme- duke bashkëvepruar me njerëzit që u shpjegojnë atyre atë që shohin dhe si funksionon, për çfarë është ajo. Fëmija mëson për botën dhe sendet nëpërmjet bashkëveprimin direkt me ta ose nëpërmjet ndjenjave. Mendja e një fëmije nuk mund të zhvillohet pa kontakt të njerëzve apo objekteve të tjera, pa kuptuar lidhjet midis tyre, njerëzve dhe veprimeve të tyre.

Drita dhe zhurma e krijuar nga ekranet tërheqin vëmendjen e fëmijës, por ato nuk e zhvillojnë normalisht trurin e tij. Ekrani duke qenë shumë i ndritshëm, arrin të marrë vëmendjen e fëmijës duke e larguar nga ambienti përreth tij. Në këtë mënyrë mund të lindë varësia nga drita, zhurma, dhe imazhet e prodhuara nga pajisjet, gjë që e izolon fëmijën, duke e mbajtur atë nga bashkëveprimi me njerëz të tjerë absolutisht i nevojshëm për zhvillimin e aftësive të të folurit dhe komunikimit. Zhurma e tepërt, drita, shpejtësia e ndryshimit të kornizave) mund të shkaktojë ndjenja negative te fëmijët të cilat përkthehen në sjellje agresive ose të pakontrollueshme.
Rekomandohet që fëmijët në dy vitet e para të jetës të ecin më gjatë, të jenë jashtë në natyrë dhe të komunikojnë sa më shumë që të jetë e mundur me të rriturit ose fëmijët më të mëdhenj që flasin dhe luajnë me ta.
Por çfarë na thotë psikologia Aljona Jonuzi në lidhje me këtë temë. Më poshtë një intervistë me të.
-Aljona, teknologjia na ka mbërthyer të gjithëve, por fëmijët duket se janë ata që dëmtohen më shumë prej saj, apo jo?
-Po për fatin e keq, siç na ndihmon ashtu po na penalizon. Tek fëmijët ndikon gjatë zhvillimit dhe rritjes së tyre ku përdorimi i saj duhet të jetë shumë i kontrolluar.
Prindërit, duke menduar që ajo sjell diçka pozitive dhe ndihmon me zhvillim që në moshë të vogla ua prezantojnë atë fëmijëve të tyre duke mos ditur se sa dëme shkakton në zhvillimin psiko-emocional të të vegjëlve.
-Një fëmijë që shikon prindin i cili përdorë vazhdimisht telefonin, si mund ta shmangësh që ai mos ta kërkojë atë?
-Nëse ne si prindër qëndrojmë me pajisjet teknologjike nonstop në dorë nuk mund të presim që ata të na dëgjojnë fjalën. Sepse fëmijët lehtësisht na thonë që dhe ti je duke përdorur në telefonin.
Fakti që ne justifikohemi me punën për ata nuk duket si e tillë sepse realiteti është që ne jemi me një telefon në dorë dhe për fëmijët kaq ka rëndësi. Kështu që përball fëmijëve sa më pak të përdorim telefonin aq më mirë do të ishte.
-Nga ana tjetër, shohin bashkëmoshatarët e tyre që luajnë me telefon dhe prindërit gjenden përball kësaj kërkese…
Po është shumë e drejtë, disa fëmijë kanë kufizime por disa nuk i kanë. Dhe aty fëmija del nga vetja dhe fillon dhe bëhet dhe agresiv. Është problem për të gjithë.
-Aljona, çfarë është autizmi virtual?
-Autizmi virtual është “diagnoze” e kohës tonë. Është një formë e autizmit cila formohet gjatë rritjes. Domethënë fëmija nuk lind me një ç’rregullim por formohet nëse fëmija nën moshën 2 vjeçare qëndron para ekranit.
Supozohet se deri në moshën 2 vjeçare nuk duhet të kemi parë televizor dhe as të përdorim celular, por për fatin e keq në zyrën time paraqiten prindërit te cilit e kanë lënë fëmijën e tyre para ekraneve me disa orë çdo ditë.
-Çfarë shkakton te fëmijët qëndrimi me orar të zgjatur para ekranit?
-Fëmija humbet ose më saktë nuk mëson çfarë është kontakti sy më sy, fillon e nuk reagon kur e thërrasim në emër, nuk i njeh as di ti shprehet për ato çka shikon.
Nuk ka ndonjë dallim mes ekranit të telefonit dhe atij të televizorit, problemi shkaktohet nga të dy njëlloj, kështu që nuk janë më të favorizuar ata që shohin TV se sa ata që përdorin telefon.
Nëse një fëmijë nën moshën 2 vjeç ka probleme me mos reagimin, atëherë do të duhet të bëhet një kontroll nga ana e prindërve pasi këto pajisje teknologjike mund të kenë shkaktuar autizëm virtual.

-Kur duhet të fillojë fëmija të shoh televizor apo të përdorë telefonin?
-Pas moshës 2 vjeçare, dhe atëherë qëndrimi do jetë jo më shumë se 1 orë në ditë.
-Ndonjëherë duket sikur e kemi të humbur betejën me teknologjinë apo duhet ta kemi aleate?
-Nëse do e përdorim aty ku duhet dhe kur duhet do të jemi të të fituar. Por jo më herët seç duhet siç më vijnë disa prindër që ia kanë prezantuar ekranin fëmijës që nga mosha 2 muajsh dhe fëmijët qëndrojnë mbi 8 orë këtu po jemi shumë të humbur.
-Në dijeninë tuaj a ka filma vizatimor për fëmijë që duhen ndaluar për fëmijët për shkak të problemeve që shkaktojnë?
Po patjetër, në faqen time kam analizuar disa prej tyre që shkaktojnë shumë dëme nëse shihen para moshës 10 vjeçare, siç janë Masha dhe ariu një prej filmave vizatimor më të dëmshëm. Me pas vjen Pockemon dhe Teletabis.
