Sot është Dita Ndërkombëtare kundër Autizimit. 2 prilli sjell për të gjashtin vit me radhë në vëmendjen e njerëzve fëmijët që vuajnë nga kjo gjendje. Në vitin 2007, OBSH caktoi këtë datë si momentin e përvitshëm për të ndërgjegjësuar prindërit për shëndetin e fëmijëve të tyre të vegjël dhe për t’iu gjendur pranë nëpërmjet mënyrash të ndryshme atyre që janë të prekur nga kjo sindromë.
“Autizmi, më i shpeshtë nga sa e mendoni” është slogani i këtij viti dhe ka për qëllim të evidentojë vështirësitë e njohjes së incidencës së kësaj sindrome, e cila në nivel botëror përbën një problem edukativ dhe shëndetësor.
Shifrat dhe shkaqet
Sipas studimeve të kryera së fundmi, në dekadat e fundit, incidenca e kësaj sindrome ka ardhur duke u rritur. Nëse kohë më parë flitej për një rast në mijëra, studimet e fundit flasin për një fëmijë me çrregullime të spektrit autik në 50. Format e autizmit janë të ndryshme. Rastet më të rënda që kërkojnë asistencë personale mbeten një në një mijë të prekur. Vitet e fundit, kërkimet e kryera për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe natyrën e autizmit kanë konfirmuar se shkaku i shfaqjes së tij ka natyrë organike dhe jo gjenetike.
Trajtimet
Trajtimi i një fëmije autik ka nevojë për përfshirjen e prindërve, familjes dhe edukatorëve e specialistëve. Psikologë profesionistë dhe mjekë pediatër trajnojnë fillimisht prindërit, të cilët duhet të mësojnë mënyrat efektive të komunikimit me këta fëmijë. Mjekët këshillojnë të bëhet shumë kujdes me ilaçet, disa prej të cilave nuk rekomandohen , si p.sh. terapia me oksigjen hiperbarik.
Paralelisht me institucionet shëndetësore në botë funksionojnë edhe shoqatat e prindërve të fëmijëve autikë. Janë me mijëra familjet që bashkohen për të përballuar problemet që vijnë nga kjo sëmundje. Prindërit e rinj trajnohen nga ata që kanë eksperiencat e tyre prej vitesh me fëmijë autikë. Madje, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se ky lloj bashkëveprimi ka rezultuar efikas për përmirësimin e jetës së familjeve që kanë një fëmijë me çrregullime të spektrit autik.
Iniciativat
2 prilli ka shënuar një sërë aktivitetesh të organizuara në të gjithë botën. “Autism Speaks” (Autizmi flet), organizata më e madhe në botë që merret me promovimin e kërkimit shkencor mbi autizmin, ka lançuar iniciativën “Ndriço blu”. Monumentet më të njohura do të ndriçohen me dritë blu, për të demonstruar ndërgjegjësimin e metropoleve botërore. / Përgatiti: Gazmira Sokoli