Foto: Autobusi i linjës Kombinat – Kinostudio, në orën 14:54 të së hënës. Shiu binte rrebesh, ndërsa në derën e parë dhe të fundit, që mbeten të hapura, varen dy njerëz megjithëse autobusi është në lëvizje
Pavarësisht blerjes së aboneve, shumë prej qytetarëve të Tiranës u duhet të paguajnë edhe furgonët e kësaj linje, për shkak se autobusët vijnë shumë rrallë. Por edhe nëse duken, janë gjithnjë plot, aq sa për të të marrë frymën
Të duhet çadër edhe pasi të hysh në autobusin e linjës së Kombinatit. “Taraca” pikon e nëse ndodh që je duke përdorur telefonin, bën mirë të tregohesh i kujdesshëm mos të të dalë jashtë funksionit për shkak të shiut. Aq të vjetër sa janë, këta autobusë e kanë parë Tiranën dhe fytyrën e saj në ndryshim përgjatë shumë dekadave.
***
Në netët e lagështa e të ftohta të dimrit, qarkullimi në Tiranë e ka të domosdoshëm transportin publik. Dikur, një pjesë e mirë e këtij transporti mbulohej nga furgonët. Por bashkia e asaj kohe vendosi një rregull në të cilin të gjithë furgonëve iu kërkua që fillimisht të kishin një ngjyrë të caktuar, që të dalloheshin se ishin të kryeqytetit, e më pas nuk u lejuan më që të zëvendësonin autobusët. Linja e unazës mori autobusë të rinj e po kështu linjat e tjera bënë ndryshime, duke bërë që furgonët të shërbenin vetëm për transportin interurban.
Por tashmë, me ardhjen e Bashës në krye të bashkisë, furgonët kanë filluar të lulëzojnë sërish. Në stacionin e linjës Kombinat – Kinostudio ke furgonë që presin në vend të autobusëve. “Hajde Kombinati! 300 lekë” është shprehja e faturinos, ndërsa njerëzit si për inat rrinë dhe presin me këmbëngulje autobusin.
***
“Kot e bleva abonenë, – thotë Ela. – Më mirë të mos e kisha marrë. Furgonët herë kërkojnë 300 e herë 500 lekë. U lumtë! Me ç’do ikim në shtëpi? Autobusë nuk ka. Edhe ata që vijnë, janë plot! Pse nuk bëni ndonjë gjë ju gazetarët? Po skandali më i madh? Që shoferët punojnë një javë po, një javë jo… Se nuk kanë naftë këta dhe kanë rralluar dhe autobusët. Dhe njerëzve u merret fryma në autobus. Po kush do t’ia dijë?”.
Ida është një tjetër që ka probleme me autobusët e Kombinatit. “Duhet të jem në punë në orën 9. Shkoj në 8 ose në 7:30. Sepse nëse vonohem më shumë, pastaj përfundoj në punë në orën 10. Nuk kam mundësi tjetër. Tani kam filluar të përdor furgonët. Marrin njësoj me autobusin, por të paktën vjen më shpejt dhe janë më të shpeshtë! Le që i kanë lënë të lirë tani. Se është prag zgjedhjesh dhe kanë nevojë për vota”.
***
Linja Kombinat – Kinostudio kujtohet ende nga frekuentuesit e vjetër si linja më problematike. Me futjen e linjës së Sharrës u duk sikur ajo mori pak frymë, por gjithsesi muajt e fundit linja e Sharrës “u zhduk” dhe sërish u theksuan problemet. Autobusi kalon çdo 15 minuta gjatë ditës, ndërsa pas orës 20:00 çdo 30 minuta. Ka raste kur të duhet të presësh edhe më shumë, pasi meqë nuk ka kontroll mund të ndodhë që shoferi të niset para orarit dhe tjetri vjen më vonë.
Ndërkohë, ke furgonët. Janë aty gjatë gjithë kohës, madje mund të të thonë edhe nëse duhet ta presësh autobusin apo jo.
***
Herë pas here, teksa njerëzit diskutojnë për vonesat, dëgjoheshin edhe pëshpërima. “More, po sikur thanë që e kanë privatizuar këtë linjë, sikur do ta rregullonin dhe të fusnin autobusë të rinj. Thanë se do ta merrte kunati i Lul Bashës. Po hë, sikur. Pastaj, ç’rëndësi ka kush është? Rëndësi ka që ta rregullojë! Të udhëtojmë si njerëz!”
Megjithatë, ka ca kohë që janë përfolur ato fjalë! Njerëzit vazhdojnë dhe presin. Presin të rregullohet gjendja. Presin që autobusët të shtohen, të jenë më të shpeshtë dhe të mos u duhet të presin orar e pa orar në stacion. Vijojnë të presin kunatin e Lul Bashës. Ku i dihet? Ndoshta gjendja rregullohet. Deri atëherë, furgonët vazhdojnë: “Hajde Kombinati! 300 lekë!”

Kjo eshte ” Tirana Europjane”. Prandaj I kerkojne me ngulm intelektualet votimin e 3 ligjeve se na hiken treni i Evropes Ja se do ti privatizojne shume shpejt ,mos u merzisni ju qe keni lagjen andej