Autoriteti i Konkurrencës, ka vendosur mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes “Vodafone Albania” SHA si dhe dhënien e disa rekomandimeve drejtuar Autoritetitet të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ku i kërkohet të marrë masa konkrete për rregullimin e tregut në mënyrë që të rritet konkurrenca. Kështu njoftoi dje Autoriteti, duke dhënë të gjithë shpjegimet pse u mbyll ky hetim. “Pas shqyrtimit të raportit dhe dëgjimit të palës nën hetim, Komisioni i Konkurrencës ka konkluduar se kjo sjellje e Vodafone Albania nuk përbën abuzim me pozitën dominuese gjatë periudhës në hetim dhe për këto arsye Komisioni i Konkurrencës, në mbështetje të nenit 24, shkronja d) dhe f), të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes “Vodafone Albania” SHA”, thotë njoftimi i Autoritetit. Në adresimin për zgjidhje të shqetësimeve të konkurrencës në një treg të rregulluar, ku një operator zotëron fuqi të ndjeshme tregu (pozitë dominuese), Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të marrë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të analizës së tregut të pakicës së telefonisë celulare, për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut për të parandaluar daljet nga tregu që do kishin pasoja afatgjatë mbi konkurrencën, sqaron autoriteti. Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës, ka filluar pas ankesave së dy operatorëve për abuzim me pozitën dominuese në treg nga Vodafone Albania në tregun e telefonisë celulare me pakicë. Ky është një treg i rregulluar nga AKEP, e për këtë arsye hetimi është mbështetur në analizën e sjelljes së ndërmarrjeve në treg edhe në të dhënat dhe analizat e këtij institucioni, sqaroi dje autoriteti.