Autoriteti i Konkurrencës pezullon Urdhrin e Stomatologëve

Ornela

Pas hetimeve të kryera për dyfishimin e çmimeve të shërbimeve dentare, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të Vendimit të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut, “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik”.

Vendim ky që bie ndesh me dispozitat e ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Sipas Komisionit të Konkurrencës, vendimi i Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut për listën e çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik, sjell një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën dhe ka të ngjarë të ketë shkelje të nenit 4 të Ligjit Nr. 9121/2003.

Autoritetet e këtij institucioni kanë shkuar edhe më tej duke nxjerrë masat ndëshkuese që do të aplikohen në rast se vendimi për pezullimin e kësaj liste nuk do të zbatohet. Nëse kjo gjë ndodh, Urdhri i Stomatologut do të ndëshkohet me gjobë, e cila llogaritet të jetë deri në 10 për qind të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Gjithashtu, është komunikuar se edhe individët që do të zbatojnë listën e çmimeve dysheme të shërbimeve dentare do të ndëshkohen me gjobë deri në masën deri 5 milionë lekë. Pak ditë më parë Urdhri i Stomatologut shpalli aplikimin e çmimeve dysheme për një sërë shërbimesh që ofrohen në klinikat dentare, listë e cila parashikonte një rritje të çmimeve deri në dyfishim të tyre, krahasuar me tarifat që aplikohen aktualisht.

Lidhur me çmimet, kjo listë përcaktonte se një mbushje e gradës së dytë do të kushtojë dy herë më shumë nga çmimet e aplikuara deri më tani, të cilat gjithashtu variojnë sipas klinikave. Konkretisht, për një mbushje të gradës së dytë, e cila përgjithësisht nëpër klinikat dentare kushton 3000 lekë, sipas çmimit dysheme të vendosur nga Urdhri nuk mund të kushtojë më pak se sa 4000 lekë.

Ndërsa një mbushje dhëmbi e gradës së tretë, që më parë shkonte deri në 3000 lekë, me çmimin dysheme të vendosur do të kushtojë 5000 lekë.

Me rritje dyfish shoqërohet edhe shërbimi i pastrimit të gurëzave, i cili deri më tani kushtonte 1000-2000 lekë, por sipas listës nuk mund të kushtojë më pak se 3000 lekë. Rritja e kostos reflektohet edhe për shërbimet e tjera që kanë të bëjnë me kirurgjinë dentare, vendosjen e aparateve, si dhe ato të protezave.

Vendimi i plotë i Komisionit të Konkurrencës:

  • Autoriteti I Konkurrencës  vendosi marrjen e masave të përkohshme në tregun e ofrimit të shërbimeve stomatologjike ndaj Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë si vijon:
  • Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të Vendimit të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut, Vendimit nr. 12, datë 14.12.2018 “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik”, pasi bie në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar;.
  • Depozitimin e të gjithë praktikës së ndjekur deri në marrjen e këtij vendimi, për të kryer vlerësimin ligjor të tij, bazuar në nenin 4 dhe 69 të Ligjit 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës’, i ndryshuar.
  • Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore
  • Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të cituara në pikën (I) të këtij vendimi, ndërmarrja Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ndëshkohet me gjobë deri në 10 për qind  të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, germa b) të Ligjit Nr. 9121/2003.
  • Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të cituara në pikën (I) të këtij vendimi , bazuar në nenin78 “Sanksione Individuale”, parashikohet vendosja e gjobave individuale në masën deri 5 milionë lekë për individët që me dashje ose nga pakujdesia kryejnë ose bashkëpunojnë në veprimet e sanksionuara në nenet 73 pika 1 dhe 74 pika 1 e Ligjit 9121/2003.

DITA

 

Share This Article
1 Comment
  • Nje mbushje dhembi,,40 mije leke.Po 40 mije leke eshte assistenca per fukarejte pa pune per 1 muaj.
    Ay mjeku shokut Enver cfare kishte dje qe i dilte zot dyfishimit te cmimeve per popullin,se te gjithe mjeke dhe qeveritare nuk jemi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *