Deri në fillim të shtatorit Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare duhet të plotësojë një vend vakant në Bordin drejtues, pozicion që do të mbajë dhe funksionin e nëndrejtorit ekzekutiv, pas emërimit nga Kuvendi. Njoftimi vjen nga dikasteri i Financave i cili ka shpallur procesin e përzgjedhjes së kandidatit për këtë post. Kriteret kryesore për anëtarin e bordit, bazuar në nenin 5 të ligjit nr. 9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, i ndryshuar, duhet të jenë: shtetas shqiptar; me arsim të lartë ekonomik, juridik; me përvojë të paktën 7-vjeçare; i paangazhuar në funksione drejtuese partiak etj. Po kështu në njoftim janë të përcaktuara dhe kriteret kush nuk mund të jetë anëtar bordi, kritere të detajuara këto në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.
