Avdijaj i shënon Baselit, Gashi drejt largimit nga kampionët e Zvicrës

Dita

Gol ndaj kryesuesve dhe njëkohësisht kampionëve në fuqi. Për sulmuesin e kombëtares Shpresa të Shqipërisë Albion Avdijaj rrjeta e parë me fanellën e Vaduzit në Superligën zvicerane erdhi pikërisht në një ndeshje ndaj Baselit, skuadër tek e cila luajnë 4 futbollistë shqiptarë. Gjithsesi goli i talentit shqiptar nuk i vlejti për të marrë pikë skuadrës nga Lihtenshtejni sepse Baseli arriti ta fitonte ndeshjen me shifrat 1-2. Vetëm 2 minuta i mjaftuan Avdijajt për të kaluar në epërsi Vaduzin. 21-vjecari përfitoi një harkim perfekt në zonë i Kukuruzovic, duke mposhtur portierin e miqëve Vaclik. Te Baseli ndeshjen si titullar nga 4 futbollistët shqiptarë që bëjnë pjesë në këtë skuadër e nisi vetëm Taulant Xhaka. Formacioni i trajnerit Urs Fischer barazoi shifrat vetëm 4 minuta më pas me islandezin Bjarnarson, ndërsa Xhaka me një aksion personal për pak sa nuk i dha avantazhin kampionëve të Zvicrës në minutat e fundit të pjesës së parë.

Në minutën e 61-të trajneri Fischer hodhi në fushë një tjetër futbollist të kombëtares kuqezi pikërisht Naser Alijin i cili rezultoi përcaktues për Baselin në këtë takim pasi dha asistin në golin e fitores 1-2 të realizuar nga austriaku Mark Janko në minutën e 80-të.

Gashi edhe pse shkëlqeu me një tregolësh në mesjavë në Kupën e Zvicrës vazhdon të mos preferohet nga trajneri Urs Fischer. Në këtë mënyrë largimi i 27-vjecarit nga Baseli në merkaton e Janarit është i pashmangshëm.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *