Donis Avdijaj thërret Shqipërinë para “Euro 2016”. Talenti 19-vjeçar i Shalke 04, që luan në formë huazimi të Shturmi i Gracit në Austri, është shprehur në një intervistë për “SportBild” se është gati të japë kontribut në radhët e kuqezinjve në Europianin që do të zhvillohet në Francë, sigurisht nëse De Biasi mendon se cilësitë e tij mund t’i vlejnë skuadrës në këtë event të rëndësishëm të futbollit. Gjithsesi Avdijaj tregohet shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e fjalëve, duke kujtuar se më parë meritojnë të shkojnë në Francë ata që kanë dhënë kontribut për kualifikimin.
“E kam thënë vitin e kaluar që ftesa për të luajtur në kombëtare ishte një nder i madh për mua. Në atë kohë nuk isha në formë, kisha probleme fizike dhe nuk isha gati për të luajtur. Futbollistët që e kualifikuan Shqipërinë meritojnë të shkojnë në Francë, por nëse skuadra ka nevojë për mua, jam gati.”
Që nga mbërritja në kampionatin austriak në fillim të 2015-ës, 19-vjeçari Avdiaj është aktivizuar në 22 ndeshje të kampionatit, teksa ka shënuar 8 gola, i fundit në barazimin 2-2 që Sturmi arriti në shtëpi me Riedin. Futbollisti i lindur në Osnabruk ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Gjermanisë, nga U-16 deri te U-19, duke shënuar 12 gola në 17 ndeshje. Shalke, që zotëron kartonin e futbollistit, ka vendosur një klauzolë prej 50 milionë eurosh në rast se ndonjë klub europian dëshiron shërbimet e tij.
