Nga Dritan Goxhaj
Prej datës 10 shkurt kanë filluar të qarkullojnë artikuj dhe kronika nëpër media të ndryshme rreth një avioni, që po përdoret nga qeveria Shqiptare si avion qeveritar. Një pjesë e mediave akuzojnë qeverinë se ka blerë avion e një pjesë tjetër janë bërë urë e mashtrimit të qeverisë nëpërmjet ”Informacionit konfidencal”, se ky avion është i kompanisë Air Albania. Pavarësisht gjithë kësaj zallamahie, është edhe vetë Kryeministri i vendit, i cili, në emisionin” Opinion”, te TV Klan, deklaroi: Kryeministri i vendit tënd dhe i vendit tim është i vetmi bashkë me kryeministrin e Kosovës që lëvizin me avionë komercialë.
Le t’i sqarojmë të gjitha me radhë.
Këtë përgjigje në formën e një pyetjeje retorike, kryeministri ia dha një prej gazetarëve të pranishëm në studio, i cili e pyeti rreth këtij avioni. Me këtë përgjigje, në mënyrë indirekte, ai vërtetoi se avioni ka ardhur vetëm për nevoja të Qeverisë Shqiptare dhe jo si pjesë e kompanisë Air Albania. Kjo lloj përgjigje të çon në mendje sjelljen e atyre fëmijëve në fillore që, kur shkojnë në shkollë e shohin që shokët e tyre kanë një telefon celuar, pasi kthehen në shtëpi u thonë prindërve se edhe ata duan një të tillë, pasi të gjithë shokët e tyre kanë telefon. Edhe kryeministri ynë me këtë përgjigje fëminore të tipit: ”Edhe unë e dua një avion qeveritar, se kështu kanë gjithë kolegët e mi europianë ”, tregoi se vuan nga mania e të dukurit dhe mendon se po nuk pati avion të tillë, atëherë ai nuk mund të jetë i barabartë me kryeministrat e tjerë. Të pretendosh e të kesh një avion qeveritar për një vend si Shqipëria do të thotë që ky njeri (Kryeministri), sipas mendjes së tij, i ka mbaruar dhe i ka zgjidhur të gjitha hallet e problemet e këtij vendi, e ka çuar ekonominë në qiej duke konkuruar me ekonominë gjermane ose franceze, (sikundër shprehej dikur edhe paraardhësi i tij Berisha) e, si e tillë, pse mos të ketë edhe ky një luks që e kanë edhe kryeminstrat e këtyre vendeve.
Po pse ky avion, nuk mund të jetë tani pjesë e kompanisë Air Albania ashtu si ka zgjedhur Qeveria ta prezantojë nëpërmjet disa mediave që i përdor si ura sa herë dëshiron të lëshojë disinformim për publikun? Që avioni të jetë pjesë e Air Albania, e në mënyrë që kjo e fundit të mund ta jepte me qera për palë të treta, do të duhej që avioni në fjalë të ishte marrë me kontratë Qeraje të Thatë (Dry Lease) nga kompania dhe kur një avion i tillë merret me këtë lloj qeraje atëherë, sipas të gjitha rregulloreve të aviacionit civil, ky avion do të duhej të regjistrohej në regjistrin aeronautik të Autoritetit të Aviacionit Civil të Shqipërisë dhe të ishte në Certifikatën e Operimit Ajror, që posedon kompania Air Albania. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më sot, pra, shkurt, ky avion nuk i përket Air Albania-s. Pra, avioni është vetëm qeveritar, pasi avionët qeveritarë, sipas Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë, (Neni 3, pika 4), nuk mund të regjistrohen në regjistrin aeronautik të Shqipërisë.
Unë jam i mendimit se e vetmja gjë e vërtetë, në gjithë këtë informacion që qarkullon vërdallë rreth këtij avioni, është se, ky avion nuk është blerë nga Qeveria jonë, por kostot e operimit të këtij avioni normal që do të përballohen nga Qeveria jonë.
Po sa shkojnë kostot e operimit të këtij avioni?
Ky avion është i tipit Airbus 319/100. Këta avionë harxhojnë 2450 litra karburant për një orë fluturimi. Le të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, bazuar mbi udhëtimin e fundit të këtij avioni. Destinacioni i fundit dhe i njohur deri tani i këtij avioni për hesap të qeverisë shqiptare është qyteti i Mynihut në Gjermani. Distanca e fluturimit nga aeroporti në Rinas deri në aeroportin ndërkombëtar të Mynihut është 998 km. Avioni ynë ecën me shpejtësi fluturimi horizontale 820 km/h dhe këtë distancë e përshkruan për 1 orë e 15 min. Pra, një vajtje është 1.15 orë plus edhe ardhjen që është e njëjtë, kemi një kohë prej 2 orë e 30 minuta. Kësaj sasie i shtojmë edhe 10 min që i duhen avionit deri sa të ngrihet nga Rinasi, plus 10 minuta derisa të parkojë pas uljes në Mynih, plus 10 minuta derisa të ngrihet nga Mynihu, plus 10 min derisa të ndalojë fare në Rinas. Pra, duke i mbledhur të gjitha këto, ky avion qëndron i ndezur për një kohë prej 3 orë e 10 minutash.
Duke pasur parasysh që ai harxhon 2450 litra në orë, e shumëzojmë për 3.10 orë e na rezulton 7.600 litra karburant në total. Një litër karburant avioni kushton 0,90 cent të euros, pra, na del 6.835 euro vetëm karburant.
Por këta lloj avionësh të mëdhenj kanë edhe mirëmbajtjen e avionit dhe mirëmbajtjen e motorëve që llogaritet për orë fluturimi. Mirëmbajtja e këtij avioni kushton 600 euro/ora, ndërsa mirëmbajtja e motorëve kushton 550 euro/ora, plus 300 euro pagesa e pilotëve. Të gjitha këto, po t’ia shtojmë kostove të karburantit, na del 10.700 euro të harxhuara nga qeveria për një udhëtim në Gjermani.
Në rast se Kryeministri do të bënte vetëm dy fluturime në muaj, që minimalisht shkojnë 3 orë fluturim vajtje-ardhje, i bie që qeveria të harxhojë nga taksat e shqiptarëve 256.800 euro në vit për dëshirat fëminore të një kryeministri.
Duke qënë se kryeministri e paska këtë dëshirë që të ketë një avion qeveritar, atëherë përse qeveria nuk e kthen në avion qeveritar avionin e Riformatos të rënë në Divjakë dhe të sekuestruar nga shteti? Me atë avion, të tipit Piper PA- 34, me kapacitet 6 vendesh, qeveria shqiptare do të bëhej me një avion qeveritar të cilin ta përdorte për çdo nevojë të sajën, pasi kostot e operimit dhe të mirëmbajtjes së këtij avioni janë 10 herë më të lira se avioni A319 që ka marrë z.Rama në përdorim nga qeveria turke. Vetëm një llogaritje e thjeshtë e bazuar mbi të njëjtin itinerar të përllogaritur më lart të A319, na rezulton: distanca e fluturimit 998 km, shpejtësia e fluturimit e PA-34 270 km/h, duke përllogaritur këtu edhe kohët e parkimit dhe të taksimit në pistë për destinacionin e Mynihut, me këtë avion rë Riformatos do të duhej 4 orë udhëtim për vajtje, në total 8 orë vajtje- ardhje. Ky lloj avioni harxhon 70 litra karburant në orë, pra në total do të harxhonte 560 litra, plus 100 euro mirëmbajtje avioni dhe 120 euro mirëmbajtje motori, për orë fluturimi, si rrjedhojë, në total do të na rezultonte një shpenzim prej 2.320 euro për gjithë destinacionin e Mynihut. Në krahasim me A319, i bie sa 1/5 e gjithë shpenzimit të avionit me të cilin fluturoi në Mynih Kryeministri ynë.
Normalisht që avioni Piper PA-34 i Riformatos do të duhej të riparohej se është i dëmtuar, por i gjithë riparimi i tij nuk do e kalonte shifrën 50 mijë euro, plus po të llogarisim edhe përgatitjen e dy pilotëve për këtë lloj avioni me një kosto prej maksimalisht 90 mijë euro të dy, do të na rezultonte një shifër prej 140 mijë eurosh dhe Qeveria Shqiptare do të bëhej me avion të sajin qeveritar. Pavarësisht se ky avion do të ishte tepër modest, i vogël dhe me kapacitet 6 vendësh, do të ishte pronë e qeverisë, pavarësisht se kush do të ishte kryeministër, do të kishte kosto shumë të ulëta operimi dhe mirëmbajtjeje dhe nuk do t’i ishim borxh asnjë sulltani apo qeverie që, më pas, t’i plotësonim çdo lloj teke, e cila ndoshta mund edhe të na rrezikojë sigurinë kombëtare në të ardhmen.
