Avokatët i tremb emri i Dritan Dajtit

redaktor

Zvarritet pa fund gjyqi ndaj njeriut që akuzohet për vrasjen e 4 agjentëve specialë të Antidrogës në Durrës më 7 gusht 2009, pasi asnjë avokat nuk e merr përsipër mbrojtjen e të pandehurit. Gjyqi ndaj Dritan Dajtit shënoi dje një tjetër seancë të dështuar, teksa nuk i munguan edhe dozat e humorit dhe të ironisë nga vetë i pandehuri. Kur trupi gjykues paralajmëroi avokatët se do ndëshkoheshin, Dajti është shprehur se në vend që drejtësia të dënojë atë, merret me avokatët.

Valentina Deodoresku, ishte avokatja e fundit në listë, që nuk pranoi në seancë të mbrojë Dritan Dajtin, duke deklaruar se është ofenduar nga ky i fundit, por dhe se nuk është paguar nga gjykata.
“Më jepni kë të doni, vetëm Dajtin jo. Më ka ofenduar në qeli. E kam mbrojtur dhe më parë dhe nuk jam paguar nga gjykata”, tha ajo në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Dajti e ka pritur me një të qeshur brenda kafazit deklaratën e avokates. Por Deodoresku nuk ka ndryshuar qëndrim edhe kur trupi gjykues i ka lexuar një shkresë ku i kërkohet Dhomës së Avokatëve të marrin masa disiplinore për 5 avokatët, të cilët nuk kanë pranuar të marrin në mbrojtje të pandehurin.
Nga ana e tij, i pandehuri Dajti është shprehur se, “ky gjyq është kthyer kundra avokatëve. Po merrni masa për avokatët, jo ndaj meje që jam i akuzuar”. Procesi ndaj të dyshuarit si autor i masakrës së Durrësit ka hyrë në vitin e tretë të tij dhe gjykata nuk po gjen asnjë rrugëzgjidhje. Më parë një prej avokatëve kërkoi 20 milionë lekë të reja për të pranuar mbrojtjen e Dajtit, teksa ky i fundit refuzon këtë të drejtë.

Dajti akuzohet se më 7 gusht 2009 qëlloi për vdekje katër oficerët, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Saimir Duckollari, të cilët ishin pjesë e skuadrës që tentoi t’i vinte prangat njeriut të kërkuar dhe që jetonte prej shtatë vitesh në arrati. Procesi ndaj tij është një ngërç prej shumë kohësh pasi askush nuk do ta mbrojë. Kurse Dajti disa herë ka kërcënuar se do të hapte ‘Kutinë e Pandorës” duke rrëfyer të vërteta të hidhura. Ai ka kërkuar zhvarrosjen e agjentit Kastriot Feskaj, pasi pretendon se është vrarë nga kolegët e tij. Po kështu ka deklaruar se disa prej agjentëve në aksion kishin armë pa leje dhe pa inventar të Policisë së Shtetit. Madje ka akuzuar edhe shefin e operacioneve, Arjan Muça, si mbajtës të dy pistoletave pa leje, plumbin e njërës prej të cilave e mban ende në trup.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *