Avokati i ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjet e 21 janarit, duke paraqitur konkluzionet e mbrojtjes, ka thënë se ai është i pafajshëm. Sipas avokatit Genc Gjokutaj, Ndrea Prendi dhe gjithë punonjësit e Gardës kanë zbatuar vetëm ligjin, duke qenë se demonstruesit kanë ushtruar dhunë ndaj tyre.
“Garda ka respektuar rregulloren për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë. Punonjësit e Gardës kanë respektuar planin e masave që ishte hartuar. Më 21 janar, nga ora 14:00, Garda është gjendur e sulmuar nga protestuesit. Protestuesit synonin të hynin në kryeministri, disa prej tyre kanë hyrë në perimetrin e qeverisë. Sulmi ka qenë i mirorganizuar nga protestuesit më 21 janar 2011” tha avokati gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë, duke vijuar më tej, ai pohoi se askush nuk e ka marrë parasysh faktin se për pesë orë me radhë është vënë në rrezik jeta e kryeministrit, gjë që ka sjellë edhe reagimin e punonjësve të gardës.
“Ndrea Prendi më 21 janar, sipas akuzës, ka vepruar në cilësinë e individit, por ai ka qenë drejtues i Gardës dhe ka qënë përgjegjës për sigurinë e institucioneve. Nuk është hetuar sulmi ndaj Gardës dhe kjo ka ndodhur për faj të Prokurorisë. Jemi të bindur që Garda më 21 janar ka mbrojtur rendin kushtetues, që u cënua nga protestuesit. Praktika të tilla njihen në eksperiencën botërore. Garda përdori çdo mënyrë për të qetësuar protestuesit, siç e njohin parimet e konventat ndërkombëtare. Qëllimi i Gardës nuk ka qenë dëmtimi i protestueve,por mbrojtja e kryeministrisë. Garda ka qëlluar vetëm në ajër, akuzat e prokurorisë të montuara keq. Më 21 janar 2011 për 5 orë u vu në rrezik jeta e kryeministrit. Demonstruesit u paralajmëruan në përputhje me rregullat që ka Garda. Hetimet e Prokurorisë ndaj Ndrea Prendit janë absurde. Akuza nuk evidenton sulmin që u bë ndaj Gardës dhe institucioneve. Prokuroria nuk vërteton dot se Ndrea Prendi ka qëlluar drejtpërdrejt mbi Faik Myrtajn” është shprehur avokati.
Ndërsa avokati mbrojtës i AgimLlupos e ka cilësuar hetimin e prokurorisë si të njëanshëm dhe selektiv.
“Më 21 janar ka patur sulm ndaj Gardës dhe ishte në rrezik jeta e gardistëve. Ligjërisht Garda kishte të drejtë të qëllonte atë ditë, por kjo nuk ka ndodhur, është qëlluar vetëm në ajër. Gjithashtu nuk kalkulohet drejtimi i qitjes në hetimin e Prokurorisë dhe kjo është qesharake” tha avokati i Llupos.