Axhenda/ Rilindja çel sot fushatën elektorale nga Tirana

Elena Tase

Socialistët do të nisin fushatën e tyre elektorale nga “Parku Olimpik” në Tiranë, ora 17:00. Sipas njoftimeve nga selia e Partisë Socialiste, fushata do të çelet nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.

Më pas do të flasin disa kandidatë, nga ato bashki që deri më sot janë qeverisur nga PD dhe LSI. Erion Veliaj, që garon në Tiranë për një mandatë të dytë, mësohet se nuk ka një fjalim të parapërgatitur, por do të shpalosë vizionin për Tiranën e 4 viteve të ardhshme.

Fjala e kryesocialistit Edi Rama do të përmbyllë çeljen e fushatës, e cila për PS zhvillohet pa rivalitet si pasojë e bojkotit të opozitës.

Pavarësisht se në 35 bashki socialistët nuk kanë rivalë, për ata rëndësi parësore ka zhvillimi i këtyre zgjedhjeve më 30 qershor, përfshi realizimin e tyre në përputhje me standardet europiane.

Për të gjithë mbështetësit e PS-së që duan ta ndjekin nga afër çeljen e fushatës, jashtë sallës kryesore të “Parkut Olimpik” do të vendosen dy ekrane gjigante. Burime pranë PS-së raportuan se krahas vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, Partia Socialiste ka kërkuar një prani të shtuar të vëzhguesve të huaj.

Ftesa u janë dërguar gazetarëve dhe televizioneve të ndryshme ndërkombëtare për të mbuluar procesin e votimit më 30 qershor. Socialistët nuk i përjashtojnë incidentet në ditët e votimit, por si zgjidhje, nëse në qendra caktuara do të pengohet votimi, ato do të përsëriten disa javë më pas.

Përmes një qarkoreje të brendshme dërguar shtabeve elektorale, ato u porositën të dokumentojnë me foto dhe video të gjithë ata, të cilët do të tentojnë të bllokojnë vullnetin e qytetarëve për të votuar.

e.t./dita

Share This Article
4 Comments
  • Qeverisja e ketyre vajti vetem celje lule, reklama dhe negociata,,dhe c’eshte me e rendesishmja: koncesione

  • Edhe kur konkurojne te vetem j’u duhet axhende dhe fushate per te “fituar”.
    Lum Shqiperia qe Kristaqi dhe Aneta krijuan Edi Ramen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *