Fridtjof Nansen në vitin 21 të shekullit 19 as që mund ta imagjinonte se do t’i duhej këtij planeti kaq gjatë. Po afron viti 21 i shekullit 21 dhe këtij planeti i duhet po aq shume sa atëherë një Nansen.
Në fillim të vitit 1921 Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i bëri thirrje Lidhjes së kombeve për të ndihmuar 1 milionë refugjatë rusë, të cilët ishin larguar për shkak të luftës civile.
Në atë kohë, dhe ishte mjaft kohë përpara se termi globalizëm të përfshihej në retorikat e çdo niveli, lidhja e kombeve u përgjigj menjëherë duke emëruar për këtë qëllim Fridtjof Nansen, një humanist dhe eksplorator i famshëm, si Komisioner i Lartë i saj për refugjatët rusë në Europë. Nën përpjekjet e Nansen në fakt kjo përgjegjësi humane u zgjerua duke përfshirë refugjatet grekë, bullgarë e armenë.
Bota e zhvilluar pra, u organizua për të hapur vend mes vetes për ata që, në emër të jetës, po kërkonin një pëllëmbë vend të sigurt në planetin e përbashkët.
Dhe ishte bota e zhvilluar aq sa ky zhvillim kishte mbërritur në shekullin 19.
Ne këto 200 vjet shumë ujëra kanë rrjedhur nëpër ulluqet e çatisë sonë të përbashkët Tokë. Ne këto 200 vjet njerëzimi ka udhëtuar duke ndërtuar dhe shkatërruar, duke shpikur dhe shpifur, duke përfytyruar dhe shpërfytyruar, duke puthur dhe kafshuar.
Njerëzimi ka udhëtuar përmes shekujsh në luftë me instinktet e veta kafshërore, si rudimente të urryera te vetes humane.
Dhe ka pëlqyer të derdhë sa e sa miliona nëpër konferenca e organizata kombëtare e ndërkombëtare për të promovuar këtë vetë humane që duhet të prevalojë mbi instinktet.
Etërit botërorë, ata që shpesh nuk e kuptojnë se kanë marrë disa fuqi të Zotit mbi Tokë e ndaj duhet të bëjnë kujdes me këtë fuqi, këta etër pra, e nanurisin veten në gjumin barkalec të misionarit të nginjur me ushqimet që kish mision t’i shpërndante e harrojnë se për ku ishin nisur. Ata duartrokasin njëri-tjetrin nëpër bankete bamirësie dhe nuk e vënë re se nuk po dëgjojnë me zëra.
Nuk e vënë asfare re se fisha është hequr nga aparati, ai aparat që bën përkthimin për veshët e tyre të gjuhës së miliona vogëlushëve që belbëzojnë diçka, tek capiten të rraskapitur pas gjurmëve të prindërve që i zvarrisin për diku larg, larg vdekjes së sigurtë.
Këta etër pra, kanë hequr fishën nga aparati i shpirtit human përmes të cilit Nansen, qysh me 1921,dëgjonte gjuhën e dhimbjes që herë belbëzonte në gojë vogëlushësh e herë klithte në gojë nënash e etërish.
E kush mund të thotë se Toka është pronë e tij absolute? E kush mund të thotë se Toka është produkt i tij dhe jo ai produkt i Tokës? E kush mund të thotë se kjo Tokë nuk ka vend për të gjithë por vetëm për disa? E kush mund të zgjedhë se cilët janë këta superiore që meritojnë të vetëm të gëzojnë të mirat e këtij planeti?
Nëse është dikush nga këta etër që mund ta thotë, le të ketë kurajon të ngrejë gishtin e të ndajë se cilët duhet të jetojnë e cilët duhet të vdesin, se cilët duhet te luajnë me bollëkun e cilët të vdesin nga uria, se cilët duhet të jetojnë të mbrojtur në kulla të fildishta e cilët të vdesin me tmerret e ISIS si kujtim i fundit i kësaj bote.
Le ta thotë, pra, e të mos fshihet pas termave të shumtë që prodhojnë akronime të reja cdo ditë si EU, USA, OKB, UNCHR, ËB, FMN e të tjera germa, që, përballë turmave të përzëna të refugjatëve të sotëm duken si hieroglifë të pakuptueshme, duken si fjalë të një gjuhe të vdekur.
Për ne, shqiptarët që kemi kaluar përmes këtij kalvari, herë të mirëpritur e herë të fshirë me operacione fshese, pamjet e këtyre ditëve nëpër ekrane janë thjesht pamje “pa koment” por vetëm dhimbje, dhimbje që të lë pa fjalë.
Për ne shqiptarët, Aylan është një prej atyre vogëlushëve që ëndërrojnë si ai diku në thellësitë e Otrantos. Vetëm ngjyrën e bluzës nuk ia u pamë dot, djepi i valëve i përpiu e po i nanurit ende në gjumin e gënjeshtërt.
Aylanet tanë, ashtu si Aylani sirian besojnë ende se kur të zgjohen një zjarr europian do i ngrohë më në fund.
Aylani nga Siria u largua i tmerruar nga IS-të, Aylani nga Vlora u largua i tmerruar nga SB-të.
Nuk eshte vetëm gërma S që i bashkon.
Vogëlushet e pafajshëm nuk e dinë se zjarri europian nuk do te ndizet kurrë per ta, se zjarri europian ndizet me urdhër të etërve, jo me mjekër të bardhë po kollare e jakë të bardhë. Dhe ata urdhërojnë me zgjedhje, ky të hyjë, ky të mos hyjë, ky të jetojë ky të mos jetojë.
Këta Cerberus në dyert e parajsës europiane që nuk lënë aylanët tanë të hyjnë.
Ku po shkon kjo botë? Drejt selektimit të mëtejshëm darvinist, më i forti mbijeton e më i dobëti zhduket?
Dakort pra, thuajeni këtë me zë të lartë!
Kini kurajo të pranoni atë që jeni. Thoni me zë të lartë se vogëlushi me bluzën e kuqe që flinte me ëndrrën e prindërve të vet ishte thjesht një selektim natyror.
Thuajeni me zë të lartë, e mos u fshihni pas lotëve të hipokrizisë, e vetmja gjë globaliste deri sot.
Dhimbje, dhimbje që të shkërmoq eshtrat është ai monument rëre i vogëlushit Aylan.
Ajo është skulptura e shekullit tonë!
Dilni të gjithë para pasqyrës ju etër të gjithëfuqishëm të OKB, ËB, IBRD, FMN e të tjerë soj e sorollop hibridë të këtij lloji.
Ju pra, që pasuroheni nga postet në këto organizma që mbahen me djersën dhe gjakun e popujve kudo ku janë në këtë planet.
Ju, që derdhni miliarda për milionerët grekë që nuk duan të paguajnë taksa e nuk dëshironi të derdhni një thes miell për ata që nuk duan të paguajnë gjakun e fëmijëve.
Dilni përpara pasqyrës së vërtetë: ajo që do të shihni është vogëlushi Aylan, ai i brigjeve të Stambollit apo të Otrantos, në gjumin e përjetshëm. Ai është fytyra juaj e vërtetë.
E kuqja e bluzës së tij ju skuqtë fytyrat e pandjeshme.

Respekte.
shkrim brilant.
Sigurisht qe z. Metaj keto kritika ja adreson vendeve te pasura te Gjirit qe nuk pranojne refugjat, sepse Evropa u “mbyt” nga refugjatet.
Skorpionsi Metaj po i ben moral Europes perendimore ne stilin patetik dhe hipokrit Ramist. Ndoshta do te bente mire t’i kushtonte vemendje faktit se jane pikerisht ish vendet e ish kampit socialist ato qe po sillen egersisht me emigrantet duke ngritur mure dhe tela me gjemba si shenje mikpritje nderkohe qe si kunderpergjigje moren nje vale solidariteti nga qytetaret austriake dhe gjermane.
Ilir sinqerisht e ke qare kete here dhe jo vetem , gjithesesi…..teper e dhimbshme…Nje realitet i frikshem…nje tallje me popujt..”.pranvera arabe”
Sjellja e lidereve te ketyre institucioneve te lart permendura eshte e njejta sjellje qe kane kopjuar liderat e shqiperise.
I vetmi ndryshim eshte se nga shqiperia po ja mbathin njerzit dhe jo nga vendet ku keto institucione drejtojne.
Thirri pak kapakut para se te besh paralelizma te tilla te kota.
Eshte korrupsioni ne nivel lokal e qendror qe po e ben shqiperine gazi botes ne 2015. Nga nje ane vend kandidat nga ana tjeter duke konkuruar me sirianet per copen e bukes ne gjermani.
PERULJE DHE RESPEKT QE KENI SHKRUAR EDHE NE EMRIN TONE