Ora 4:38 e mëngjesit të së enjtes. Policia e Nurnbergut pranon një thirrje emergjente për një aksident me veturë. Është makina e tipit Audi që përplaset me një furgon të tipit Citroen. Në Audi ndodhej sulmuesi kosovar i Greuther Furthit, Ilir Azemi, vetura e të cilit u përplas më pas edhe me një shtyllë elektrike. Sipas mediave në Gjermani, Azemi u dërgua në gjendje të rëndë në spital. Shoferi i kampionit pësoi lëndime të lehta. Pas ekzaminimeve ndaj tij, doli se ai nuk ishte nën ndikimin e alkoolit.
Motra e Ilirit: Është jashtë rrezikut për jetën
Gazeta ka kontaktuar familjarët e Ilir Azemit të enjten, të cilët ndodheshin së bashku me 22-vjeçarin në spital. Motra e tij ka deklaruar pasdite se gjendja e vëllait të tij është më e mirë. “E ka pas një aksident mbrëmë, mirëpo tani është jashtë rrezikut. Ai momentalisht ndodhet në spital, por është më mirë dhe kjo ka rëndësi. Jemi frikësuar shumë, por mjekët po thonë se tani ka kaluar e keqja”, deklaroi ajo.
40 minuta për ta nxjerrë nga makina
Sipas gazetës Bild, në versionin online, policisë iu deshën më shumë se gjysmë ore për ta nxjerrë nga vetura Azemin. “Sulmuesi ishte i bllokuar në veturë dhe u deshën 40 minuta prerje të rënda për ta liruar atë nga makina, para se të dërgohej në spitalin e Furthit. Automjeti i tij u dëmtua aq rëndë sa kap vlerën e dhjetëra mijëra eurove”, shkruan Bild. Drejtuesit e klubit të tij, janë lutur për gjendjen e tij. “Do të mbështesim Ilirin sa më mirë që mundemi, dhe do ta ndihmojmë atë drejt rikuperimit sa më të shpejtë”, tha presidenti i Greuther Furthit, Helmut Hack. Një orë më pas, ai është shprehur se Iliri është më mirë. “Para një ore mora informatën se jeta e Ilirit është jashtë rrezikut. Ai momentalisht është në kujdes intensiv. Duhet të stabilizohet gjendja e tij dhe të bisedojmë më pas me mjekët”, shtoi Hack.
Luten Bunjaku dhe bashkëlojtarët tjerë
Menjëherë pas lajmit për aksidentin e tij, rrjeti social ‘facebook’ është vërshuar nga komentet lutëse të tifozëve, shokëve, bashkëlojtarëve dhe trajnerëve të tij. Ka qenë përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bujnaku ai i cili ka shkruar: “Në këtë moment të gjitha lutjet shkojnë tek ti Ilir Azemi! I lutem Zotit që të jesh mirë”! Mërgim Mavraj, ish-bashkëlojtari i tij te Furthi, dhe njëri prej shokëve më të mirë ka shkruar: “Allahu t’ndihmoftë vëllai im Ilir Azemi. Më ke tronditur”. Kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj, u lut që Allahu ta ruaj sulmuesin nga Podujeva. Azemi në edicionin e kaluar të Bundesligës 2, shënoi 14 gola në 28 ndeshje. Këtë verë u kërkua me ngulm nga skuadrat e Bundesligës 1, por ofertat u refuzuan nga Furthi. Ai u bë pjesë e Kosovës në miqësoren historike ndaj Haitit, kurse ndaj Turqisë e Senegalit mungoi shkaku i operimit të hundës.
