Një gjykatë e Azerbajxhanit urdhëroi sot bllokimin e disa faqeve të internetit që i përkisnin mediave kritike me pushtetin e presidentit, Ilham Aliev, mes të cilave bën pjesë ai i grupit amerikan “Radio Free Europe”, theksoi një gazetar.
Faqja “Radio Azadlyg”, dega azere “Radio Free Europe”, media e financuar nga Kongresi i SHBA, u bllokua gjithashtu, si dhe televizionet që transmetojnë në internet “Saati TV”, “Turan TV” dhe “Meidan TV”.
Duke marrë këtë vendim, gjykata ka shkaktuar satisfaksion në Ministrinë e Komunikacionit, që kishte theksuar se këto media përbëjnë një kërcënim për interesat legjitime të shtetit dhe të shoqërisë në këtë ish-republikë sovjetike të Kaukazit të Jugut, i pasur me hidrokarbure.
Avokatët e këtyre mediave kanë denoncuar gjithashtu një vendim të paligjshëm të të pabazuar.
“Ky vendim shkel normat e ligjeve ndërkombëtare”, deklaroi një prej avokatëve, Samed Ragimov.
Në muajin prill, drejtori i “Turan TV”, Ganimat Zahid, i kishte cilësuar ndjekjet gjyqësore kundër stacionit televiziv si veprim që bie ndesh me lirinë e fjalës.
Azerbajxhani është kritikuar shpesh nga OJQ-të ndërkombëtare për abuzime kundër mbështetësve të të drejtave të njeriut dhe personave kritikë me Ilham Aliev, i cili hedh poshtë këto akuza.
