Në Shqipëri ka ardhur për vizitë ministrja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet Rajonale të Landit të Bavarisë Dr. Beate Merk, ku do të zhvillojë takime me krerët e shtetit për çështjen e azilkërkuesve.
Gjatë paradites së sotme, ai zhvilloi një takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ku kanë diskutuar edhe mbi mundësitë e shkëmbimit të ekspertizës në fushën e arsimit profesional, si një prioritet për të rinjtë shqiptarë ku Bavaria gëzon kapacitete tepër të avancuara.
Ministrja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet Rajonale të Landit të Bavarisë Dr. Beate Merk shprehu kënaqësinë e kësaj vizite në Tiranë si dhe vullnetin për konkretizimin e bashkëpunimit arsimor dhe ekonomik me Shqipërinë.
Kryetari Meta dhe Ministrja Merk u ndalën gjithashtu në fenomenin e azilkërkimit në Evropë duke vënë në dukje se Shqipëria është një vend i origjinës së sigurt dhe se më shumë duhet bërë për konkretizimin e iniciativave të punësimit të ligjshëm në Gjermani.
Meta u shpreh se fokusi tek zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve në rajonin tonë do të kontribuojnë në rënien e këtij fenomeni dhe se për sa i përket azilkërkimeve nga rajone të tjera lufte, Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj përkrah Gjermanisë dhe partnerëve të saj evropianë. /Dita/