Baba e dha fjalën, por….

anazapta

 (një vëzhgim mbi ato që nuk thuhen për Statusin e BE-së)

“Statusi është si fejesa . Fejesa ka kushte se pa plotësuar kushtet nuk martohesh dot”, – kështu komentoi ndër të tjera dje Edi Rama. Për hir të së vërtetës e gjithë dita e djeshme, u shoqërua kryesisht me deklarata e komente euforike, kudo lexohej një gëzim i madh. Në rrjetet sociale dukej si një ditë Pashkësh, apo Bajrami, ku secili nxitonte të bënte urimin e vetë. Pritja e gjatë për statusin dhe përmendja e tij pa fund në media, injektimi i fjalës “Status” dhe “Evropë” çdo ditë, gati sa nuk e ktheu në fe’. Dje ndodhi e shumëpritura ditë. Po çfarë ka përtej perdes së entuziazmit? Çfarë fitojmë konkretisht?

Si për të na ardhur në ndihmë, Delegacioni i Bashkimit Evropian dërgoi dje disa piketa të avantazheve që do të ketë Shqipëria pas marrjes së statusit të vendit kandidat, ndonëse  në piketat e ofruara përziheshin së bashku me avantazhet nga statusi dhe avantazhet që vijnë nga integrimi i plotë.

Rruga drejt integrimit të plotë, mund të jetë më e gjatë nga sa mendohet, por mund të jetë dhe krejt e shkurtër nëse Shqipëria punon fort me reformat dhe kriteret e kërkuara nga BE-ja.

Aktualisht Shqipërisë i është hapur zyrtarisht rruga që të negociojë anëtarësimin e saj në BE, duke pasur status zyrtar të kandidatit.  Në pikëpamjen e përfitimit material direkt, aprovimi i këtij statusi ende nuk luan ndonjë rol të ndjeshëm. Fondet kryesore që synohen nga shporta e BE-së janë ato që quhen fondet e projekteve mbështetëse të IPA-s.

Deri sa pa marrë statusin, Shqipëria përfitonte nga projektet e IPA-s rreth 45 milionë euro çdo vit. Këto fonde orientoheshin dhe shpërndaheshin nga vetë zyra e BE-së në Tiranë, por që pas Gushtit të vitit 2013, shtetit shqiptar i lindi e drejta që këto fonde t’i menaxhonte vetë. Me marrjen zyrtarisht të statusit të vendit kandidat, shuma në fjalë pritet të dyfishohet, të shkojë rreth 80 milionë euro. Por sipas një vendimi të marrë nga BE-ja, Serbia dhe Shqipëria konsiderohen vende me risk të lartë buxhetor dhe është obligim që gjysma e fondit duhet të shkojë tjetërkund, pra në kuptimin e investimeve direkte, fondet e IPA-s të mbeten thuajse sa kanë qenë më parë. Ata që e kuptojnë pak më qartë lojën, e dinë që qeveria shqiptare duhet të konkurojë fort me projekte konkrete dhe strategji, ndërsa BE-ja vitin e fundit ka kufizuar dhe shtrënguar dorën.

Nga ana tjetër, marrja zyrtarisht e statusit si vend kandidat për anëtarësim në BE, sjell automatikisht, një monitorim më të fortë të Shqipërisë nga institucionet ndërkombëtare, sidomos për sa i takon shtetit të së drejtës dhe lirive të njeriut apo të sipërmarrjes. Në këtë aspekt mbi Tiranën zyrtare do të ketë një presion të fortë sidomos sa i përket gjyqësorit dhe administratës ekzekutive në rang qeveritar apo dhe vendor. Këto janë ndikimet kryesore të kësaj faze ku kemi hyrë zyrtarisht dje, prandaj dhe euforia duket paksa e ekzagjeruar nëse i referohesh termave konkrete të përfitimeve direkte.

Nga ana tjetër në Shqipëri, përveç euforisë së përfitimit, çuditërisht nuk bëhen asnjëherë hesapet e riskut. Ose të dizavantazheve dhe sfidave të vështira që mund të na përballë ky proces. Sot Shqipëria është një vend ku raporti mes importit dhe eksportit është përmbysur prej dy dekadash dhe pjesën dërrmuese të produkteve ne e blejmë nga jashtë.

“Europa” është një nga frazat që i gjithë establishmenti politik shqiptar ka përdorur pa fund në dy dekadat e fundit. Evropa ishte “Nordi” ynë, shpëtimi ynë shihet gjithnjë jashtë kufijve tanë, duke e mistifikuar si një ‘dhuratë që do na shpëtojë’ pa preferuar të shohim veten në sy. Në fakt Evropa, ka qenë një destinacion që establishmenti politik e dinte mirë se shërbente si një alibi perfekte. Rruga ishte e gjatë dhe premtimi mund të mbante për shumë kohë, propaganda duke orientuar vëmendjen jashtë fshihte më mirë atë që ndodhte brenda.

Por në dy dekadat e fundit, e gjithë klasa politike shqiptare, ka pasur thuajse ‘tabu’ një parim që në kancelaritë Evropiane është një nga parimet më të rëndësishme: “Bilancin Tregtar”. Angela Merkel, zonja në krye të lokomotivës së BE-së, e nis ditën e saj të punës duke marrë të dhënat mbi situatën e bilancit tregtar të Gjermanisë. Kështu veprojnë shumë udhëheqës shtetesh të konsoliduara.

Në Shqipëri, ‘bilanci tregtar’ nuk përmendet asnjëherë nga klasa politike, nëse do bëheshin bilancet tregtare të këtij vendi, me siguri që establishmenti politik shqiptar do dilte një nxënës ngelës, ose nëse ruajmë  simbolikën e ‘dhëndrit’ , do dilte steril, i pafuqishëm për t’i dalë Zot “shtëpisë” dhe “martesës”. Ndaj dhe Evropa përveçse një objektiv racional me avantazhet dhe risqet e veta, është ndërkohë dhe një alibi e çmuar e këtyre 20 viteve në Shqipëri, për të justifikuar ekzistencën e këtij establishmenti. Është zgjidhja jo dhe aq krenare për të gjetur shpëtimin tek ‘xhepi i vjehërrit’, nëse vjehërri të qëllon bujar.

Baba i nuses e dha fjalën dje, por mbetet ende për t’u parë si do sillet dhëndrri vitet e ardhshme.

 

 

Tre dimensionet e përfitimeve sipas delegacionit të BE-së në Tiranë:

 Përfitimet ekonomike:

-Qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin mallra dhe kapital nga një vend i BE-së në tjetrin pa ndonjë kufizim apo barrierë. Kjo do të nxisë zhvillimin e ekonomisë dhe do të lehtësojë procedurat burokratike gjatë shkëmbimeve tregtare.

-Konsumatorët do të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje dhe do të blejnë me çmime më të lira.

-Me integrimin në BE, biznesit shqiptar do t’i ofrohen kapacitete të shtuara dhe perspektiva më të mira për të konkurruar në një treg unik me rreth 500 milionë konsumatorë, siç është tregu evropian.

-Eliminimi i tarifave dhe barrierave do të sjellë reduktimin e kostove tregtare dhe do t’u reduktojë firmave dhe kompanive mundësitë për të pasur pozicionin monopol në treg.

-Do të rritet cilësia e produkteve të konsumit. Do të aplikohen standarde kontrolli të njëjta si për vendet e BE-së.

-Me integrimin në BE, barrierat për transferimin e teknologjisë do të eliminohen dhe kjo do të sjellë rritjen e aksesit në sferën e inovacionit dhe prodhimtarisë.

-Do të ofrohet perspektivë më e mirë për punësim të shqiptarëve në vendet anëtare.

-Do të rriten investimet e Huaja Direkte – Hartimi i politikave për një klimë të mirë biznesi dhe funksionimi efiçent i një ekonomie tregu të lirë në një atmosferë të qetë politike do të stimulojnë investimet e huaja në Shqipëri.

 

Përfitimet politike:

-Shqipëria do të ketë një demokraci të konsoliduar çka është kusht për të gjitha vendet anëtare.

-Si vend anëtar i BE-së, Shqipëria do të jetë më e sigurt dhe do të japë kontributin e saj në zhvillimin e Evropës së Bashkuar.

-Shkëmbimet kulturore do të rrisin mundësitë për krijimin e një shoqërie të hapur, me standarde dhe me shumëllojshmëri modelesh.

 

Përfitime sociale:

-Si çdo vend anëtar që adapton politikat e BE-së në çështjet ekonomike, sociale, luftën kundër krimit të organizuar, drogës, emigracionit illegal, edhe në Shqipërido të ketë një rritje të përgjithshme të standardeve të jetesës.

-Do të ketë shërbim shëndetësor të standardeve evropiane.

-Siguria në punë do të jetë me të njëjtat standarde si në vendet e tjera të BE-së.

-Shqipëria do të vihet para detyrimit të shtuar për respektim rigoroz të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias.

-Do të përmirësohen standartet mjedisore. – Anëtarësimi në BE, do të krijojë premisa për politika të zhvillimit të qëndrueshëm të vëndit, ku elementët mjedisore do të jenë pjesë e politikave të zhvillimit të vendit. Duke përshtatur standardet mjedisore të BE-së, Shqipëria do të jetë në gjendje të mbrojë mjedisin e saj.

-Do të rritet cilësia në arsimim. Bashkimi Evropian ka ndihmuar tashmë vendet kandidate potenciale si Shqipëria në përmirësimin e sistemit të edukimit, përmes programit CARDS dhe kohët e fundit përmes programeve TEMPUS. Anëtarësimi në BE do t’i lejojë Shqipërisë të shfrytëzojë programet e tjera të Edukimit që aplikon BE –ja, si Socrates, Leonardo da Vinci dheYouth.

Share This Article
2 Comments
  • mashtrime po kushe ka mendere te ndloi amerikene me vjedhjete qe po i bene ketij vendi po pas tyre kame lexuare ne gazetene gjermane spigele jane turqite qe na kane lene pase pre 600 vjeteshe dhe nuke lene demokracine te jetoi po pastaje ke serbine e grekune qe do greqine ne mese te shqiperise ka mare gjithe ate cameri dhe thote himara eshte greqi dhe kjo kurve qe votoi stausine nuk ndihete po pabesia me e madhe italia qe bene petrolifere dhe nuk eshte erezulative dhe ka 10 vjete qe tallete ne kalivace e si tallene me shqiperin qe jetone me 200 euro ne muaje hahahahahhaha dhe me

  • Humor,rreth statusit…..

    TE GJTHE LOZEN FORTE,POR, KUSH E BERI GOLIN SE?!

    Fest’ e madhe,gjithandej…
    (Tashme,shqipja ka nje status)
    Mirpo, ty o Sali bej…
    Fitorja,te ka tramaksur!

    Packa,pse ti po perpqesh,
    te ngerdhesesh i gezuar!
    packa,pse kerkon t’i vidhesh,
    tmerrit,qe te ka pushtuar…

    Dikush,nga radhet e tua,
    Hodhi dje,nje goxha pordhe:
    – Statusi,n’a u dhurua,
    Fal Saliut,faqe bore (!)

    Tha, merite,paskan te gjithe,
    (Me shume nga te gjithe, PD-Ja!…)
    Dhe merite,s’ka asnje cik,
    Vecan Rama,dhe PS-ja…

    Ne ka Zot,duhet duruar…
    Me degjoni o, shqiptar!
    Evropa,n’a pat harruar,
    qe se lehu,ky zagar…

    Nejse,dhe une kam mendimin,
    Te gjithe lozem,ndaj fituam.
    M’a thoni,te heq fiksimin,
    Ne loje,ke me gisht treguan?!…

    Me qe jemi te botrori…
    (Argjentinen,gjithe e pame)
    Nentedhjet’minuta goli,
    humbi fushes,pa nishan!…

    Ama,ne minuten shtese…
    Mbetem shtangur,te habitur!
    Kur, nuk kish me asnje shprese,
    Vjen nje gol,aq shum’ i pritur(!)

    Ndersa,theu kemben tersi…
    shperthen vet,i madhi Rama!
    Jo,me falni, ishte Mesi.
    Gjuha shkon,ku dhemb dhemballa…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *