Drejtuesi i Teqesë së Zallit flet për kontributin e dhënë ndër shekuj nga bektashinjtë për çlirimin e trojeve dhe për ruajtjen e gjuhës shqipe
GJIROKASTËR- Krahas dhjetëra intelektualëve, klubeve e shoqatave patriotike që në Gjirokastrën e 100 viteve më parë jepnin kontributin e tyre për pavarësinë, historia tregon se një rol të konsiderueshëm kanë luajtur edhe klerikët bektashinj. Ndërsa objektet e kultit e në mënyrë të veçantë, Teqeja e Frashërit në rrethin e Përmetit dhe ajo e Zallit në Gjirokastër, ishin vendet ku organizoheshin takimet me atdhetarë.
Përpjekjet e bektashinjve në rajonin jugor në vitet që paraprinë Pavarësinë rrëfehen në këtë intervistë për gazetën “Dita” nga Baba Sadik Ibrokodheli, drejtuesi i Teqesë së Zallit.
Baba Sadik, ndërsa flitet në këtë periudhë për mjaft intelektualë, klube patriotike, shoqata atdhetare që me veprimtarinë e tyre ndikuan në arritjen e pavarësisë, ç’mund të thuhet për kontributin e bektashinjve?
Historia e Bektashizmit në trevat e jugut të Shqipërisë, sipas historisë së shkruar dhe studiuesve të huaj, e ka zanafillën e saj në mesin e shekullit të 14-të. Gjurmë të teqeve bektashiane janë ato të Filatit dhe të Janinës (sot brenda kufijve të Greqisë). Po në fund të këtij shekulli u ndërtuan teqetë e Konicës dhe Delvinës, e më pas ndërtimi dhe përhapja e ideve bektashiane filloi në një gamë të gjerë në qytete të tjera të jugut të Shqipërisë, si: Gjirokastër, Përmet, Tepelenë dhe Mallakastër.
Por lulëzim të gjerë njohu bektashizmi në trevat e jugut në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, i cili ishte Muhib (anëtar spiritual i besimit bektashi) i Shememi Babait, në Gjyshatën e Fushë-Krujës. Pashai mjaft i guximshëm në pavarësinë e tij dhe duke qenë një ndër bijtë e Teqeve Bektashiane, ndikoi së tepërmi në ngritjen e këtyre qendrave, sa fetare, po aq edhe atdhetare.
Është e pamundur që e gjithë kjo veprimtari e prijësve bektashinj të përshkruhet në një intervistë, por mendoj se ia vlen të ndalesh në një fakt: Siç e dimë të gjithë, në fillim të shekullit që lamë pas, lëvizja autonomiste shqiptare kishte filluar me mësimin e gjuhës shqipe, veprimtaritë antiosmane, si edhe konfiguracionin e identitetit tonë kombëtar. Në këtë periudhë, teqetë bektashiane u shndërruan në bastione të fuqishme të kësaj lëvizjeje, duke përhapur dritën e besimit në Zot, si dhe dritën e shkronjave shqipe. Është e njohur që në vitin 1904 Teqeja e Baba Hajdarit në Gjirokastër u bastis, dhe pasi dogjën librat që ishin në gjuhën shqipe, burgosën Baba Sulejmanin dhe Dervish Mehmetin në burgun e Janinës. Të nesërmen e asaj dite, garnizoni turk iu drejtua teqesë së madhe (Teqesë së Zallit), por fatmirësisht nuk gjetën asnjë gjurmë të librave shqip, sepse muhibët e kësaj teqeje një natë më parë i kishin ngarkuar në kuaj librat dhe i kishin çuar në shtëpitë e tyre.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe kontributin e drejtuesve të Teqesë së Zallit, Baba Selimin, i cili për 37 vjet me radhë qëndroi në krye të Gjyshatës së Gjirokastrës dhe Baba Rexhebin. Dua të citoj gjithashtu edhe një ndër intelektualët e njohur gjirokastritë, avokat në gjykatën e këtij qyteti, Vangjel Koçon, i cili shkruante në gazetën “Demokratia”: “Teqeja e Zallit po përgatit me kujdes, dituri dhe kulturë të gjerë një Dervish të ri, shpresë për mëmëdhetarët dhe për mëmëdhenë. Ai është Dervish Rexhebi”.
Sa i rëndësishëm është atdheu në fenë bektashiane?
Profeti Muhamed ka thënë: “Pa atdhe, nuk ka fe”. Nuk ka dyshim se ne kemi dhënë ndihmën tonë në të gjitha çështjet madhore për kombin dhe Shqipërinë, sepse ne jemi pjesë e pandarë e kësaj historie ndër shekuj, përfshirë gjatësinë dhe gjerësinë e saj. Mbase ndihma e klerikëve bektashianë është më e dukshme në faqet e historisë sonë, sepse njërën prej etapave të saj e përfaqëson Baba Selimi e Baba Rexhebi dhe klerikë të tjerë të ngjashëm me ta, që qëndronin në majat më të larta mes tatëpjetave ku kishin rënë ditët dhe netët e kombit tonë.
Baba Selimi gjithmonë thoshte: “Flamuri është simboli më i lartë i një kombi, sikundër morali është simboli më i lartë tek njeriu”. Ndaj ai burrë i madh dhe i mençur e porositi birin e tij shpirtëror Baba Rexhebin: “Biri im! Gjuhën e nënës mos e këmbe me asnjë gjuhë tjetër në botë, edhe sikur të të falin universin. Por gjuhët e tjera respektoji se janë kulturë për njeriun në jetë. Dykrenaren, mbaje fort në gji, sepse ajo të ndrin kraharorin dhe udhën e jetës. Atdheun dhe atdhetarët duaji njësoj si nënën tënde, që të ka dhënë qumështin e gjirit. …”
Në ç’aspekt ishte më tepër i përqendruar ky kontribut?
Baba Selimi ishte një dijetar dhe një atdhetar i përkryer, sepse puna dhe jeta e tij u shkri për besimin dhe për vlerën kombëtare, siç ishte ngritja e Flamurit Shqiptar apo thënë ndryshe Mëvehtësia e kombit Shqiptar nga thundrat e egra të kombeve të mëdha të asaj kohe. Baba Selimi e ngriti zërin e tij kumbues jo vetëm brenda teqeve bektashiane, por në të gjitha trojet shqiptare.
Në datën 13 qershor të vitit 1910, në Teqenë e Zallit, si një ndër Gjyshatat më të mëdha të jugut të asaj kohe, u mblodhën klerikët e besimit bektashian dhe shumë burra të shquar nga tëre trojet shqiptare.
Më lejo të citoj këtu një pjesë të fjalës që Baba Selimi mbajti në këtë mbledhje: “Fakiri Baba Selimi kam shkrirë jetën për bektashizmin dhe do të jap gjakun për Shqipërinë e dashur. Ne duhet të ngremë zërin e ndërgjegjes madhore deri përtej kufijve të botës së gjerë. Ky zë të lartësohet e të lartësohet deri në momentin që bota të pranojë me çdo kusht njohjen e mëvehtësisë së kombit tonë shumë të përvuajtur ndër shekuj. Faqet e zeza të historisë së kombit tonë duhet të marrin fund duke u bërë të gjithë bashkë një trup, për të larguar okupatorin nga trojet shqiptare dhe ta bëjmë Shqipërinë të pavarur.
Ndaj nuk ka ngelur ndonjë gjë tjetër, veçse të kërkojmë me zërin e shpirtit dhe me jehonën e kraharorit, që ta ndriçojmë këtë tokë e këtë vend me dritën e diellit të dashurisë dhe ta freskojmë me flladin e Flamurit të Skënderbeut”.
Lidhur me patriotizmin e tij, pa ekzagjerim, Dervish Rexhebin mund ta quaj një “etalon”, qysh nga rinia e tij e deri në kohën që ju drejtua botës së përjetshme. Është e mjaftueshme të përmendim vitin 1920, ku së bashku me Murshidin e tij, Baba Selimin i dërguan një telegram Qazim Koculit, strategut të luftës së Vlorës, ku i shkruanin: “Shpirtërisht jemi me ju, po na deshët edhe fizikisht, brenda një të perënduari të diellit dhe një lindjeje të tij, na keni në Kote”.
Historik
Historia tregon se në trevat jugore të Shqipërisë misionerët bektashinj kanë ardhur që në kohën e Haxhi Bektash Veliut, në vitin 1325. Ishte Sejid Asim Babai, i cili arriti të ngrejë Teqenë e Zallit në Gjirokastër, e cila do të luante një rol të jashtëzakonshëm me klerikët e saj shqiptarë në Rilindjen e Madhe Shqiptare. Teqeja u rrit nga ana e godinave dhe e veprimtarisë fetare, sa në kohën e Baba Ali Haxhi Elbasanit u bë një institut fetar e kombëtar.
Nga kjo teqe dolën klerikë patriotë të mëdhenj që në Rilindjen e Madhe Shqiptare luajtën një rol kyç në trojet tona për lindjen e Shqipërisë së lirë e të pavarur. Të tillë, si: Ali Haqi Elbasani ishin dhe dervishët e tij Baba Hajdar Kardhiqi, Baba Zenel Gjoksi, Baba Qamil Melani, Baba Selim Elbasani. U krijuan nga kjo teqe, teqe të tjera si ajo e Shtufit ose Hajderie, Teqeja e Mesit ose e Baba Mexhdun Durballisë, teqeja e Baba Qamil Melanit.
Në kohën e Lidhjes së Prizrenit, Teqeja e Asim Babait në Zall ishte kthyer në shkollë klandestine shqiptare ku Baba Ali Haxhiu, dervish Mediu e të tjerë, ishin mësuesit e arsimit natën. Baba Ali Haqiu ishte veprimtar i madh praktik në shërbim të Abdyl Frashërit e misionit të tij në jug të Shqipërisë. Ai organizoi bashkë me dervishët dhe myhibët e tij Kuvendin e Prevezës, Kuvendin e Gjirokastrës, Kuvendin e Janinës, Kuvendin e Frashërit në krah të Abdyl Frashërit për mos lejimin e copëtimit të tokave shqiptare nga shovinistët fqinj. Teqeja e Baba Aliut u bë asokohe depo librash shqip që shpërndaheshin në teqetë e bektashisë në trevat jugore, e që i sillte ato nga Rumania, Kajro, Sofja vetë dervishi i librave Baba Meleq Shemberdhenji i paharruar.
Për librat shqip që u gjetën në teqetë e veprimtarinë atdhetare të tre udhërrëfyesve të tre teqeve betkashiane në Gjirokastër, policia turke i internoi një kohë të gjatë Baba Aliu Haxhiun, Baba Zenel Gjoksin, Baba Hajdar Kardhiqin. Baba Ali Haqiu kishte muhibe të tij gjithë dijetarët islame të qytetit të Gjirokastrës si Hysen Hoxhën, Dervish Libohovën etj. Kur ndërroi jetë Baba Ali Haqiu vendin e tij e zuri Selim Baba Elbasani që vazhdoi punën dhe luftën atdhetare të Baba Aliut për 36 vjet me radhë. Ai mbështeti Qeverinë Kombëtare të Vlorës, Kuvendin e Lushnjës e lëvizjen për demokraci të viteve 1920-1924. Mbështeti kongreset bektashiane që u zhvilluan në Shqipëri me frymë kombëtare dhe mirëpriti Kryegjyshin botëror të Bektashinjve, Kryeshenjtërinë e tij Sali Njazi Dedenë. Baba Selimi përgatiti me dije e kulturë një dervish të ri, të paharuarin mëmëdhetar,”Nderi i Kombit” Baba Rexhepin e shenjtë.
Në periudhën e diktaturës, për 24 vjet me teqeja e Zallit u mbyll e u kthye në depo e azil pleqsh. Në korrik 1991 Neki Levani e rihapi. Pas kësaj kohe teqeja rikthehet në formën e parë me punën e përkushtuar të tij dhe të gjithë besimtarëve të trevave jugore shqiptare.
Ishte dervish Rexhepi ndryshe nga te gjithe Bektashinjte e tjere qe u bashkua me nazifashistet dhe ne 1944 u arratis bashke me gjithe kolaboracionistet e tjere.
Te nderuar Baballare,dervishe bektashiane tregojeni historine sic eshte ,kudo ka drure te shtrember,dervish Rexhepi (se baba u vetshpall jashte Shqiperise) coi tere ata burra te ndershem edhe patriote,vetem se pjesa me e madhe ishin muhipe ne Teqe te zallit dhe u vrane ne Gerhot,jo vetem qe lane femijet rrugeve por u njollosen pa drejtesisht.
Shoku BOJKTHI para se te flasesh per Baba Rexhebin duhet te dishe te verteten e zotit .Ai nuk ka qene i lidhur asnje sekonde me nazifashistet .Por ai nuk e donte komunizmin se e njihte mire kush qe.Sipas teje po nuk deshe komunizmin je patjeter nazifashist. Jo shoku. Dervish Rexhebi i ka vene kufirin tek thana vet Jakomonit e nazisteve.Ne Detroid me ndihmen e besimtareve e Fan Nolit ndertoinje Shqiperi te vogel qe mbajti gjalle shpirtin shqiptar Teqene e pare bektashiane ne Amerike.Nuk u vet gradua baba por u dekretua nga kryetari i bektashinjve te Turqise Dedebaba Nauhman me nje ceremoni te vecante ne Teqene e Detroitit sipas statutit bektashian.Pallavrat komuniste per te kane shkrire me kohe si bora ne diell Sa per trimat e Gerhotit nderhyne tek italianet e bene plan me ta kolaboracionistet komunisto sllave Bedri Spahiu e Shefqet Peci Mesoje si eshte e verteta.
Baba Rexhebi u gradua baba nga baba Siriu i teqese se famshme te Kajros nje memedhetar i shquar Nga ajo teqe vinin ne Shqiperi librat shqip prej te paharuarit baba Meleq Shemberdhenjit.Atje baba Siriu e beri baba dervish rexhebin e dedebaba Nauhman e dkretoi baba te larte Halife baba