Gëzim Dervishi, babai i Edmondit, 47-vjeçarit që u ekzekutua me 18 plumba mbrëmjen e së dielës në rrugën “Thanas Ziko” në Tiranë, thotë se nuk është në dijeni të problemeve që i biri mund të ketë pasur kohët e fundit.
Madje, pak minuta para vrasjes, 47-vjeçari kishte qenë në banesën e të atit, për ta takuar. I ndjeri sapo ishte kthyer nga plazhi dhe sipas të atit, nuk shfaqte asnjë shenjë shqetësimi. Gëzim Dervishi, përveç dhimbjes së madhe për humbjen e djalit, ndien edhe zemërim prej policisë, e cila, sipas tij, nuk ka arritur që të zbardhë vrasjen e djalit tjetër, e ndodhur në vitin 1997.
“Unë nuk e dua më jetën, sepse dy djemtë e mi janë vrarë dhe arsyet dhe autorët nuk i di. Jam i zhgënjyer, sepse policia ende nuk ka arrestuar personat që më vrarë djalin e vogël, në vitin 1997 dhe pa marrë përgjigje për vrasjen e parë prej kaq vitesh, ndodh edhe tragjedia tjetër. Gjithçka për ne ka qenë e papritur. Im bir nuk është as biznesmen, nuk është përzier me banda dhe nuk ka pasur konflikte me njeri. Vrasja e tij ka ndodhur si rrufeja në qiell të hapur”, shprehet babai i Edmond Dervishit. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, i moshuari ka treguar momentet e fundit me të birin dhe mekanizmin e ngjarjes së rëndë..
Çfarë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës?
Djali, atë ditë, kishte qenë në plazh me shoqërinë e tij. Në mbrëmje u kthye për të më takuar mua, pasi kam disa probleme me shëndetin. Kam bërë ndërhyrje kirurgjikale te sytë dhe ai vinte herë pas here për të më pyetur. Qëndroi pak dhe më tha se do të shkonte në shtëpi së bashku me nusen, për t’u çlodhur. Unë isha shtrirë dhe po merrja ilaçin tek sytë, kur në televizor dëgjoj që tek gjimnazi “Partizani” ishte vrarë njëri që jetonte në katin e tretë. I thashë bashkëshortes që kishte ndodhur vrasje, por nuk ma mori mendja që ishte im bir, sepse ai jetonte në katin e shtatë të pallatit.
Po si e morët vesh vrasjen e djalit?
Nuk tregova interes për vrasjen, ngaqë isha duke marrë mjekim, edhe pse e dija fort mirë vendin e ngjarjes. Pas pak minutash televizori thotë që personi i cili është vrarë e ka emrin Edmond Dervishi. Dola me vrap tek vendi ku ndodhi ngjarja. Aty pashë policinë që kishte rrethuar vendin e krimit. E morën trupin dhe e dërguan në spital. Askush nuk më thoshte gjë, për atë që kishte ndodhur dhe unë akoma nuk e di se sa herë është qëlluar im bir. Nuk jam interesuar.
A ka pasur djali juaj shqetësime?
Ai nuk ka pasur asnjë shqetësim dhe në orën 10:00-12:00 shkonte në shtëpi si një familjar i denjë. Po të kishte probleme im bir, unë do ta dija, por nuk ka pasur asnjë problem, me asnjë person. Në vitin 1997, mua më kanë vrarë edhe një djalë tjetër për tifozllëk motorësh, se djali im më i vogël ka qenë i çmendur pas motorëve dhe bënte gara. U zunë atje dhe e vranë. Sot e kësaj dite, unë nuk e di se cilët janë autorët që ma vranë të voglin.
Ku dyshoni ju?
Unë nuk vë dorë tek askush, sepse nuk di gjë. Im bir po të ishte përfshirë me persona të implikuar me krimin, e dënoja dhe e vrisja vetë, sepse nuk do ta lejoja një gjë të tillë. Atë e njeh gjithë Tirana. Ai nuk ka asnjë biznes dhe ka qenë i papunë për një kohë të gjatë. Në prag të zgjedhjeve elektorale, atë e punësuan si shofer pranë KQZ-së dhe kishte vetëm tre muaj si i punësuar.
Dyshoni se vrasjet e djemve tuaj kanë lidhje me njëra-tjetrën?
Nuk besoj. Atë që kishin për të bërë e bënë që atëherë dhe nuk besoj që u rikujtuan për ne edhe pas kaq shumë vitesh. Ajo është një çështje e mbyllur.
Djali vetëm ka qenë kur u ekzekutua?
Jo, ka qenë me nusen. Ajo ka zbritur për të blerë bukë tek dyqani i lagjes, i cili është disa metra larg vendit të krimit. Mondi ka parkuar makinën dhe më pas ka shkuar që ta presë tek sheshpushimi i shkallëve. Aty pastaj e kanë vrarë.
Nusja ka parë gjë?
Jo. Ajo nuk ka parë asgjë. Në momentin që ajo është kthyer, e ka gjetur djalin të shtrirë për tokë. Nuk ka vënë re asnjë person të dyshimtë dhe vrasja është bërë me armë me silenciator dhe andaj nuk janë dëgjuar krisma prej askujt.
Çfarë kërkoni?
Kërkoj që policia të më japë përgjigje për vrasjen e djalit të vogël Gentit. Që prej vitit 1997 e deri më sot, nuk dihet asgjë për këtë ngjarje. Unë nuk e di se kush ma vrau dhe as arsyen. Nuk dimë asgjë. Kërkoj të vërtetën e vrasjeve dhe arrestimin e autorëve të krimit./TCH