Dominik Berrateau mbante të izoluar në shtëpi katër fëmijët e tij. Alarmi u dha nga e shoqja Kristinë, e cila simuloi si e sëmurë për të shpëtuar fëmijët e saj. Tre vajzat dhe vëllai i tyre, pas vizitës mjekësore rezultuan me probleme psikologjike dhe fizike, ndërsa babai i tyre u shtrua në një klinikë psikiatrike
Tre motra bashkë me vëllanë e tyre janë mbajtur të izoluar prej vitesh në një shtëpi në fshatin Sen Nazare. Zbulimi i pabesueshëm është bërë në afërsi të Nantës, në perëndim të Francës nga zjarrfikësit të mbërritur në shtëpinë Berrateu, pasi ishin lajmëruar nga bashkëshortja Kristinë. Të rinjtë e izoluar prej vitesh në banesën e tyre, i përkasin të moshave 20, 19, 17 dhe 14 vjeç. Dominiku 50-vjeçar, pas konsultës mjekësore është raportuar se vuante nga skizofrenia e shkallës së avancuar, e për këtë arsye është shtruar menjëherë në spitalin psikiatrik.
Për të dalë nga situata dhe për ta bërë publike gjendjen në të cilën i shoqi e mbante familjen, gruaja 47-vjeçare simuloi se vuante nga një sëmundje e cila kërkonte ndërhyrje të specializuar. Për këtë arsye, i shoqi nuk kundërshtoi kur ajo kërkoi të lajmëronte zjarrfikësit. E marrë në pyetje për verifikime, gruaja më vonë u lirua dhe iu lejua që të qëndronte pranë fëmijëve të saj, të cilët kanë vonesa në zhvillimin mendor dhe fizik. Edhe ata ndodhen të shtruar në spital për të marrë kurat e domosdoshme. Për thellime të mëtejshme hetuesit kanë marrë në pyetje edhe vajzën e pestë të familjes, e cila prej kohësh ishte larguar nga prindërit e saj.
Kur zjarrfikësit u futën në apartamentin e pozicionuar në një kompleks banimi, gjetën mure të mykura, tavane të nxira nga lagështia dhe anën e jashtme të portës të mbyllur me disa dryna.
Sipas dëshmive të ndryshme të fqinjëve, familja ka jetuar në këtë gjendje për një periudhë dy ose trevjeçare. Një grua që jetonte ngjitur me shtëpinë në fjalë tha se nuk e kishte parë Kristinë Berrataun dhe fëmijët e saj prej më shumë se dy vitesh dhe kishte menduar se mund të ishin transferuar në ndonjë vend tjetër. Ajo gjithashtu shtoi se herë pas here takohej me kryefamiljarin Dominik, i cili mbante veshur gjithmonë një kapuç dhe nuk e ngrinte kurrë shikimin.
Shërbimet sociale të zonës e njihnin familjen, por nuk kishin pasur asnjë dijeni për atë që mund të kishte ndodhur me të./Dorina gjuzi