Babai si tiran privat

redaktor

Diku-diku mund të quhet edhe terrorist privat dhe, disa familje e kanë në shtëpi. Nuk gjendet vetëm tek ne, por kudo. Në Gjermani qindra fëmijë në vit u merren prindërve nga Byroja e Rinisë dhe vazhdojnë rritjen nën tutelë të shtetit. Fëmijët e dalë nga ato familje, do të vuajnë me dekada derisa ta rimarrin veten. Traumat e shkaktuar nga i ati, janë më të rënda se ato, që mund të pësohen nga një rend diktatorial, ose pushtues, sepse despoti gjendet brenda mureve, prej nga fëmija nuk mund të çlirohet. Këtë baba tiran në mënyrë më eksplicite skicon Franz Kafka tek Letër babait, ku ia numëron atij në rreth dyzetë faqe të gjitha të zezat, që kanë ndikuar në dëmtimin e personalitetit të tij si fëmijë. Letra niset me: Shumë i dashur baba,

Herën e fundit më pyete, pse po pohoja se unë kisha frikë prej Teje. Si zakonisht, nuk dita të të jap asnjë përgjigje. Pjesërisht pikërisht nga frika, që kam unë para Teje, pjesërisht sepse për ta arsyetuar atë frikë, nevojiten më shumë detaje, se sa do të kisha mundur t’i përqas deri diku gjatë një bisede.”1

Stepje para babait. Këtë e njohin shumë fëmijë. Jo respekt dhe dashuri, por druajtje. „Nëse unë them se bora është e zezë, edhe ju duhet të thoni e zezë“, u thotë një tiran shqiptar fëmijëve dhe shoqes. Ishte dhe është aty-këtu zakon fëmijës t’i imponohet me autoritet frika, tmerri, t’i mbyllet goja dhe t’ i ndalohet të menduarit. Ajo dhunë, ai shpartallim i shpirtit të fëmijës, arsyetohet edhe me fjalë të urta, që tiranët në mungesë të dijes, i përtypin. Aty raporti baba – fëmijë nuk është i shëndoshë dhe nuk ka për bazë dashurinë. Kur fëmija nuk arrin të përfitojë dashuri në shtëpi, këtë mungesë nuk mund ta rikompensojë kurrë dhe askund tjetër. I ati ka për detyrë vetëm mirësinë. Ai duhet të mbrojë familjen. Ai duhet të kujdeset për mirëqenien e tyre. Ai duhet të jetë shtylla vertikale e familjes. Ai nuk duhet të zbusë bisha, por ai duhet të edukojë fëmijë. A ndodh mirëpo kudo kështu? Jo kudo! Për fat të keq.

Tirani shqiptar dallon shumë nga tiranët tjerë, por qëllimin kanë të njëjtë, dallojnë vetëm bindjet kulturore. Tirani perëndimor mund të jetë ashtu rigoroz dhe i ashpër me fëmijët, por jo aq dendur me gruan, kurse tek ne, futja nën sundim, pra poshtërimi, palosja, thyerja në dysh, nisë pikërisht tek gruaja, për të vazhduar pastaj tek të tjerët në familje. Tek ne ka edhe një renditje hierarkike, që bazohet në moshë dhe gjini. Në të njëjtën shtëpi ka dy lloj edukata: njëra për djemtë, tjetra për vajzat. Tek djemtë ngulet këmbë t’u imponohet guximi, vajzave u mësohet nënshtrimi! Me dashuriçkat e djemve mburren, me të vajzave i mbulon turpi.

Tirani privat detyron fëmijën të bëhet gënjeshtar, ta ndrydhë ndjenjën e dashurisë, ose e rrahë për t’ia shuar, për t’ ia topitur duke i mbushur mendjen, se ajo dukuri emocionale, nuk është asgjë tjetër pos degjenerim. Aty fëmijës i jepet me vete një aberracion, një psikozë përballë dashurisë si ndjenjë e domosdoshëm për jetën e njeriut. Tirani privat mendon se çdo gjë po funksion si duhet sepse varësia dhe nënshtrimi i tyre, e lumturon, e qetëson atë. Ai nuk vëren kurrë se nga shoqja dhe fëmijët ka krijuar robot gënjeshtarë, që detyrohen të gënjejnë për t’i ikur keqtrajtimeve. Familja që posedon tiranin e vet, është e tëra e traumatizuar. Ajo familje, kur del jashtë despoti, gëzohen të gjithë, kur ai kthehet, bie një zymtësi brenda dhe flitet sipas kufijve që ai zakonisht duron. Ai është kolerik, shpërthyes, emocional dhe agresiv. Tirani privat ushtron dhunë psikike dhe me piskama, u kallë tmerrin gjithë anëtarëve të familjes. Ai mund edhe me shpërfillje të terrorizojë. Ai pret nga shoqja dhe fëmijët ta kuptojnë se çfarë mendon, çfarë kërkon dhe çfarë ka ndërmend. Kur fëmijët apo shoqja nuk parakuptojnë se çfarë dëshiron, ai sillet me egërsi.

Ai mund të ushtrojë dhunë sporadike ose të rregullt. Dhunën dhe anulimin e lirive të të tjerëve në shtëpi, e përkthen si kujdestari të domosdoshme, edhe atë, gjoja plot brengë e dashuri. Ai rrah vetëm kur e “kërkon” nevoja. Ai mburret se nuk e bën për vete, se e bën vetëm kur dikush kërkon të rrihet dhe se tirani, vetëm kap çastin e domosdoshëm, kur duhet nisur seanca e poshtërimit fizik dhe torturave. Dhe, i rrah për të mirën e tyre. Kjo është bindja më e përhapur, më skizofrenike sepse depersonalizimi dhe shkaktimi i dhembjeve, perceptohen prej tij si ekuivalente të dashurisë dhe kujdestarisë. Aty fëmijët nuk mësojnë dashurinë. Aty mësohet vetëm dhembshuria. Fëmijët nuk kanë të drejtë të shprehin mendimin kundër autoritetit sipëror. Me kërcënimet e vazhdueshme, u mbillet frika në palcë. Këtë vuajtje të padurueshme shpirtërore, që i bëhet fëmijës me kanosje, ja si e ka përjetuar kolosi i letërsisë botërore, Franz Kafkar:

Është gjithashtu e vërtetë se Ti gati nuk më ke rrahur. Por ulërima, skuqja e fytyrës tënde, heqja e nxitueshme e tirandave (Rripa, që kalojnë mbi supe, mbërthyer prapa në pantallona) në gjendje të gatshëm mbi mbështetësen e karriges, për mua ishte pothuajse tmerr. Është ashtu si kur një njeri duhet varur. Nëse vërtetë varet, atëherë ai vdesë dhe merr fund çdo gjë. Por në qoftë se ai për t’ u varur detyrohet të përjetojë krejt parapërgatitjet dhe vetëm kur t’ i tundet laku para fytyrës mëson faljen e dënimit, atëherë tërë jetën ai do të vuajë për këtë.” 2

Tirani privat që rrah, mund t’ ua vrasë edhe nënën fëmijëve të vet. Me mbytje, ai u kërcënohet shpesh edhe fëmijëve. Ai din çfarë dëshiron saktësisht dhe për të plotësuar dëshirat e tija, krejt familja mobilizohet dhe jeton në tension të përditshëm. Për ta ushtruar dominimin e rregullt, nëse nuk ka arsye, atëherë e sajon një. Këta tiranë tek gruaja kontrollojnë sjelljen, veshjen, gjestet, lëvizjen, lirinë dhe qëllimi kryesor është, thyerja e personalitetit dhe kontrollimi i të menduarit. Tirani madje zakonisht fajëson gruan, kur ai harron një gjësend; pse ajo nuk është kujdesur të jetë përkujtuesi elektronik i tij, pse ajo nuk ia dha celularin me vete, pse nuk e pyeti a e ka marrë, e nëse e pyet, ai din të mërdhezet. Nëse shoqja tij është e sëmurë, ai kërcënohet me Shtëpinë Publike. Kur ai është i sëmurë, shoqja duhet t’ i rrijë tek koka si infermiere dhe nuk guxon të pretendohet gjë prej tij. Tirani tradhton gruan sa herë të kenë mundësi, por për moralin, llaps çdo ditë. Gruaja aty nuk guxon të refuzojë epshin e tij. Nëse e bën, ai e përdhunon. Seancat e tij qortuese zgjasin me orë dhe shtëpia pllakoset për disa ditë në trishtim dhe ankth. Tiranët privat ose janë linear, ose jetojnë me faza periodike: me ngritje dhe rënie.

Tirani krejt punën që bën, nuk e kapërdin si obligim të një prindi, që ka sjellë fëmijë në botë dhe duhet t’ i mbajë, por të gjithë i bind se ai po sakrifikohet për ta dhe portretizon veten, si viktimë. Nëse nuk është i kënaqur me fëmijët, ai akuzon fisin e gruas. Ai nuk kujdeset për shkollimin, as për profesionin e fëmijëve. Fëmijët e tij mund të mbeten edhe pa profesion. Në atë rrëmujë fëmijët kanë vështirësi të kalojnë Rubikonin dhe mendojnë për ardhmërinë. Ai bën çdo gjë që është e mundur që djemtë ta duan atë, por jo aq shumë nënën dhe mos të marrin tipare të saja. Me ashpërsinë dhe agresivitetin në fillim të martesës, ngjitet sipër bashkëshortes dhe kontrollon, vështron, përcjell dhe komandon nga lartë. Ai nuk është edukuar, ai është mësuar ashtu: ai mendon se të gjitha gratë janë kurva. Dhe, e dënon gruan jo pse ka bërë vepër të ulët, por se në mendjen e tij, shfaqen filma të tillë. Ai buzëqeshet rrallë apo fare. Ai kur rrah, akuzon të rrahurin se e detyroi ta bëjë. E bëri mavi, për të mirën e tij. Po të gjykonin mjekët si ata, atëherë pas dere do të mbanin një hu gardhi dhe zhdëpnin pacientët që janë infektuar apo që tymosin. Për të mirën e tyre. Në fakt tirani nuk është në gjendje të kontrollojë veprimet e veta dhe ndërsehet lehtë. Në vend se t’ i shpjegojë. Në vend se ta mësojë. Në vend se të flasë me fëmijën. Në vend se ta përqafojë, ai godet. Në familje të tillë dashuria e ndërsjellë, e vërtetë, përqafimi, puthja, konsiderohen shtirje, ndërsa qëndrimi egërshan, sinqeritet dhe mirësi. Për këtë akuzon edhe Kafka babin e vet në letrën e tij. Në familje të tillë, nuk ekziston dashuria, por vetëm empatia, dmth. ndjenja e bashkëvujatjes në çaste dramatike.

A kanë ndjenjat trup, pyeste studentët e vet sociologu gjerman Wolfgang Eßbach. Jo, përgjigjen ata. A mbushin emocionet një hapësirë? Studentët heshtin. Po, përgjigjet profesori: një hapësirë mund të mbushet me njerëz, por një hapësirë mund të mbushet edhe me emocione, edhe nëse janë vetëm dy veta. Merreni mend se si mbushin ato një hapësirë, kur futemi në një odë ku priten ngushëlluesit për vdekjen e një anëtari të familjes. Hapësira është e mbushur rrastë me emocione melankolike, plot pikëllim dhe ndjesi ndrydhëse. Dhjetëra pyetje dhe asnjë përgjigje. Në shtëpitë e terroristëve privat, është shpesh ashtu. Edhe aty ku sundojnë diktaturat, vendi është i mbushur me emocione të tilla: me dëshpërimi dhe rezignacion.

Për tiranin gruaja nuk është asgjë tjetër, pos një shërbëtore: një nënë që kujdeset për burrin foshnje. Një skllave, që duhet t’ i shërbejë nevojave dhe kënaqësive të tija. Ai për ta mbajtur përditshmërinë e trysnisë, fajëson për çdo dështim të vetin gruan. Ai mund t’ i ketë 20 apo 60 vjet, por gruaja është kujdestarja e tij, mu si ishte nëna me shishe qumështi në dorë, kur ishte ai bebe. Ai mplaket, por nuk rritet kurrë. Ai nuk bën as dy hapa vet për të marrë një gotë ujë. Ai nuk merr as një fetë bukë për vete. Atij duhet t’ i afrohet pranë dorës si foshnjës shtrirë në djep. Ai është njeri i varur për çdo gjë dhe për çdo send. Shkurt e shqip, ai nuk është rritur kurrë dhe nuk është pavarësuar kurrë. Mu si invalid. Mu si ata me të meta mendore, që kanë nevojë për kujdestari orë e çast. Ashtu si e ka llastuar dhe përkëdhelur mami në vitet e para të jetës, atë kujdestari kërkon me forcë edhe nga bashkëshortja.

Tirani privat adhuron lirinë dhe demokracinë, por kurrë për gruan dhe fëmijët. Vetëm për vete. Ai din më shumë se Kuvendi, që ka aprovuar Liritë dhe të Drejtat e Njeriut të vitit 1789. Ai nuk pranon ato liri dhe të drejtat për të tjerët, por nëse i shkelen atij, ai rebelohet dhe çaraveshet sa të dëgjohet larg. Familja në një vend demokratik, që duhet të respektojë ligje private, jo ato shtetërore, gjendet në një përleshje permanente me demokracinë dhe demokracia aty, është komedi me humor të trashë. Aty fëmija nuk mësohet të respektojë ligjet e vendit, por ligjet private dhe edukata në shtëpi, është në kolizion dhe përleshje me Kushtetutën. Prandaj, rendi demokratik, pa demokraci brenda familjes, është më shumë improvizim, se sa sistem..

Krejt atë dramë që ai prodhon kundër shoqes, fëmijët e përjetojnë live, sepse ai është shumë i interesuar nëpërmjet njërit, të shtypë të tjerët. Nëse kthehet i dëshpëruar nga puna, e paguan gruaja tutën e tij për t’u përballur me eprorin apo shefin e vet. Ai mendon se është i përkryer, por nuk vëren defektet e veta. Ai nuk kërkon kurrë ndjesë, sepse këtë e kupton si degradim. Gratë që kanë fat të keq dhe kanë rënë në qelinë e tyre, pas disa viteve, tregojnë simptomat e para të ndonjë sëmundjeje: shtypja e gjakut, pagjumësia, ankthet dhe pastaj goditet edhe ndonjë organ: lukthi, zemra etj. Diku 90 për qind e sëmundjeve janë psikosomatike, dmth. kur gjendja shpirtërore sëmur trupin. Kur shihen këto gra në rrugë, në fytyrë kanë të vizatuar hidhërimin dhe zhgënjimin me jetën.

Ky tiran mëson fëmijën të përbuzë gratë, edhe motrat, aty këtu edhe nënën. Ai nuk i përqafon fëmijët dhe gruan. Djemtë përqafon vetëm kur i dërgon jashtë shtetit, që ka bindur se ata duhet të jenë sigurimi pensional i tij. Ai, derisa të rriten, gati dy dekada, do të manipulojë fëmijët për dobi të veten. Ai vazhdimisht do t’i rikujtojë se ka punuar tërë jetën për ta, se i ka lindur dhe se kjo lindje, duhet paguar. Dhe, fëmijët paguajnë. Duhet paguar ato tre minuta sakrificë. Rritja është obligim. E në fakt, fëmija nuk ka dashur të lindet, por prindërit vendosin ta lindin, e nëse vendosin, atëherë kanë për detyrë të shenjtë ta rrisin me shpirtmirësi. Vetëm shpirtmirësi, pa dhunë dhe keqtrajtim shpirtëror. Se a do të krijojë personalitet të vetin fëmija, varet nga jeta që bën dhe dituritë që përvetëson, por do ta zgjasë tepër shumë, derisa të kuptojë se duhet ta jetojë jetën e vet, sipas bindjeve të veta, jo sipas normave të tiranit privat. Dhe, nëse profilizohen, traumat e përjetuara në fëmijëri, do t’i shoqërojnë deri në vdekje. Plagët shpirtërore e trupore të marra aty ku duhet absorbuar vetëm dashuri dhe mirëkuptim, janë plaga të përjetshme, që pengojnë zhvillimin dhe ekuilibrin më vonë. Mund dhe duhet të falen, por nuk mund të harrohen kurrë. E ati duhet mbajtur mend për dashurinë dhe përkujdesjen, jo për pashpirtësinë dhe brutalitetin.

Tirani privat është në gjendje të terrorizojë familjen me orët të tëra për një shkarje. Ai kur dëgjon për vete mendime se është i sertë, i rreptë, kategorik dhe që nuk njeh mirëkuptim, ai mburret me këto atribute. Ai kur dërgon gazetën në shtëpi, shqyen faqet që mund të ndikojnë në emancipimin e gruas. Jashtë ky njeri respektohet. Është shumë i sjellshëm dhe nuk bën vepra penale, rrallë kundërvajtje. Sillet si qengji sepse ka frikë, sepse ka komplekse. Ata zakonisht kalojnë kohën deri natën vonë jashtë, kafene apo diku tjetër. Ata mund të jenë edhe intelektual, por jashtë shihen në një tarracë lokali pa gra. Sepse nuk janë mësuar të duan, por të ngujojnë, të izolojnë. Ata luftojnë edhe për demokraci qytetare, por vet diskriminojnë në shtëpi.

Derisa një diktator përpiqet të zotërojë apo dominojë një vend, tirani privat përpiqet të sundojë dhe dominojë gruan dhe fëmijët, vatrën e tij. Atyre që duhet t’u falë dashuri, pikërisht ata përdhunon ai. Aty fëmijët nga empatia krijojnë në fillim në heshtje një aleancë emocionale më nënën, më vonë familja shkapërderdhet. Poezitë kushtuar nënës në letërsinë shqipe, shpesh nuk janë dëftues të dashurisë amtare, por më tepër të atij koalicioni dhe vuajtjeje të përbashkët. Në shumë poezi dhembshuria ndaj nënës shpalos çnjerëzimin dhe tiranizimin nënës. Shpesh aty dashuria ndaj nënës nuk është normale, jo amnore, por është shpërthim i traumave marrë në fëmijëri nga i ati.

Derisa diktatori ka një ideal, një pritshmëri, apo një motor ideologjik, doktrinar që e shtynë të veprojë, tirani privat ka vetëm një synim: të ruajë dominimin, ta tregojë dominimin jashtë, të palosë anëtarët e familjes dhe të duket para tyre si autoritet pa dhembje dhe pa shpirt. Ky ka bindje fikse për nënshtrimin e familjes së vet dhe të gjithë, grua apo djalë, vajzë apo gjyshe, e paguajnë me terror. Ai në shtëpi vazhdimisht përpiqet të duket burrë hijerëndë: nuk qanë edhe kur duhet, sepse fshehjen e ndjeshmërisë, konsideron burrëri. Ai nuk din të edukojë fëmijë, por duke u imponuar rregulla, krijon robot që duhet të zbatojnë vendime. „ Mos i tregoni babit!“, dëgjohet shpesh aty, pra, të mos vihet në dijeni organi i akuzës, që njëkohësisht është dhe gjykatës. Në familjet e tilla gënjeshtra është normë. Fëmijët mësohen të mos e tregojnë të vërtetën nga frika. Pas gënjeshtrës pason hipokrizia. E ndjejnë edhe si obligim, sepse për manipulimin e shpirtit të tyre, ai ka investuar shumë dhe ata fëmijë, pa lejen e tij, nuk janë në gjendje as të mendojnë. Në një farë mënyre ata janë shndërruar në persona pa zotësi veprimi. Janë fëmijë që një kohë të gjatë do t’u shërbejë tutori. Ai u ka rrëmbyer, shlyer dhe asgjësuar dinjitetin dhe integritetin vetjak.

Ai është kolerik. Ai është xheloz deri në kupë të qiellit, jo pse ka shoqen të përdalë potenciale, por sepse frika e tij është kronike. Një burrë i tillë nuk i duhet askujt, as gruas, as fëmijëve si baba. Në fakt ai është vetëm fekondues dhe gardian, por ai nuk përmbush si duhet as detyrat e burrit, as të atit. Ai mund të jetë psikopat, alfa kafshë e tërbuar, por edhe thjesht depresiv kolerik, shoqëruar me çrregullime tjera dhe pa dyshim, rol shumë të madh luan ndikim kulturor dhe kontrolli social.

Ai është mësuar të jetojë me dinamizmin e kërcënimit dhe krejt atë mllef, krejt atë zemërim, që nuk guxon ta shpalosë jashtë, shkarkon brenda shtëpisë. Në fakt ai është frikacak i madh. Frika dhe droja irracionale e shtyjnë drejt agresivitetit. Ai është e keqja e vetvetes, por dëmtuesi më i madh i fëmijëve dhe gruas. Gruaja tinëzisht ia dëshiron edhe vdekjen, por ai nuk vdes, sepse i ligu kujdeset për veten, sepse ushqimi tij kryesor është zhbërja, shpërbërja dhe demontimi i individualiteteve tjera. Ai nuk mundet pa nënshtrim. Ai nuk mundet nëse nuk përbuzë njeri. Ai ekzistencën e vet përligj vetëm duke e matur me nënshtrimin, që i ka shkaktuar familjes. Familja në fillim gjallon falë aleancës sekrete me nënën – si shtyllë e vetme e shëndoshë apo si njeri, që ka nevojë për mbështetje, por fëmijët, nuk mund t’i dhurojnë, sa ndjen ajo nevojë në atë rrëmujë – më vonë zhbëhet.

Aty mësohet diskriminimi. Aty mësohen fëmijët se të qenit grua është pafatësi dhe fatkeqësi. Aty mësohet se dominimi dhe diskriminimi i një pjesëtari të familjes është levë e harmonisë. Ata kërkojnë lumturinë e vet dhe nuk perceptojnë dëmin që shkaktojnë rreth vetes. Ata nuk motivojnë fëmijën për të shkuar para, për të mësuar një profesion pse i duhet, por duke e nxitur të mësojë për inat të tjetrit. Ata edhe në tryezë kanë nën kontroll çdo gjë. Ata u përzihen fëmijëve dhe në martesë, edhe në veshje, edhe në mendime. Nëse ata janë të shtypur nga një pushtues, sapo të çlirohen, përdorin të njëjtat metoda kundër grave të veta, që ka përdorur pushtuesi kundër tyre. Nëse ata fitojnë lirinë, nuk e fitojnë për të gjithë, por për burrat. Demokracia aty mund të jetë mashkullore; të vlejë për burrat, por jo për gratë. Kur më shumë se 42 për qind të grave kosovare aprovojnë dhunën si procedurë edukative, atëherë është fjala për çrregullime të mëdha dhe mungesë vetëdijesimi, arsimimi dhe emancipimi.

 

Ps.: Të jesh prind i pa gabime është e pamundur. Të rritesh i pa gabime, është e pamundur. Të dënohesh për gabime nga babai, është tmerrdhe plagë jetësore. Ky shkrim nuk është llogari për tiranët, por lutje për t’u penduar, për të kërkuar ndjesë, por edhe thirrje për të zëvendësuar dhunën dhe keqtrajtimin psikik me dashuri dhe për të jetuar vetëm sipas Kushtetutës, që kemi ëndërruar. Shtëpia nuk është kazermë, ajo duhet të jetë vatër e dashurisë, frymëzimit dhe mbështetjes së ndërsjellë. Asgjë më shumë, asgjë më pak.

1.Franzk Kafka, Brief an den Vater, Sämtliche Werke, Suhrkamp Quatro, fq. 1289

2 Po aty fq. 1302

 

Share This Article
4 Comments
  • Te lumte Naser Aliu!
    Shkrimi yt eshte nje RADIOGRAFI e sakte e shoqerise dhe familjes shqiptare ne ditet e sotme vecanerisht ne Kosove dhe ne Veri te Shqiperise!!
    Nga familje te tilla lindin dhe formohen vetem KRIMINELE,HAJDUTE,etj,qe nuk duan as prinderit e tyre e jo me shoket!
    Shembulli me i sakte i nje NJERIU TE FORMUAR NE NJE MJEDIS TE TILLE ESHTE SALI RAM BERISHA,nje KANIBAL i ndyre aq sa edhe kafsha me e eger eshte me paqesore se ai!!!

    • o feniks, bashke me kete naser aliun qe familjen e tije e ka cop cop, e njoh se jeton afer meje ky dhe kete naserin e ka pseudonim, i ka ngelur nga pseudonimet qe i kishte vene sigurimi ketij…pra ju te dy, meqenese jeni te pa pune, eshte hapur nje vende ketu ne portin e Duresit, tek peshorja e madhe, i mungon koqja e kandarit, ju te dy e beni mire kete pune……

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *