Bajerni i Mynihut është kampioni zyrtar i Bundesligës gjermane. Skuadra e Jup Hejnkes fitoi në transfertë ndaj Eintraht Frankfurt falë golit të shënuar nga Bastian Shvajnshtajger në minutën e 53 të takimit.
Fitorja u siguroi bavarezëve shpalljen matematikore kampionë të Gjermanisë në kohë rekord, gjashtë javë para mbylljes së kampionatit. Si rrallëherë një trofe i tillë në palmaresin e Bajernit mungonte që prej tre vitesh.
Me këtë kampionat, bavarezët vazhdojnë të vendosin rekordet në Bundesligë duke e shndërruar në skuadrën që ka fituar plot 23 herë këtë kampionat në 50 vite histori që ka.
Tashmë përqendrimi i klubit kampion të Gjermanisë, do të përqendrohet në Ligën e Kampioneve ku të mërkurën do të udhëtojë për në Torino për t’u përballur me Juventusin për të mbrojtur fitoren 2-0 që arriti të martën që kaloi në Alianz Arena.
Edhe Dortmundi i saposhkurorëzuar si kampion i Gjermanisë fitoi ndaj Augsburgut me rezultatin 4-2, një fitore që përforcon pozitat e vendasve për një vend në zonën Champions. Skuadra që bëri hapin më të madh drejt katër vendeve të para, këtë javë ishte Shalke 04, që mposhti 0-2 Verder Bremenin.