Bajerni ka blinduar mesfushorin David Alaba, duke rinovuar kontratën me të deri në vitin 2018. Kontrata e 21-vjeçarit skadonte më 2015, por bavarezët i kishin nisur prej kohësh bisedimet e rinovimit, pasi ai ishte ndër lojtarët më të kërkuar në treg. Dëshira e të dy palëve ishte të vazhdonin së bashku, por kishin diferenca të mëdha në pretendimet financiare. Megjithatë, dje është gjetur gjuha e përbashkët dhe lojtari ka firmosur. Futbollisti i kombëtares austriake luan me Bajernin që nga mosha 16 vjeç dhe u thirr në ekipin e parë nga trajneri Luis Van Gaal, ndërkohë që u zhvillua së tepërmi me Jup Hajnkes, kur u bë i pazëvendësueshëm për formacionin e kampionëve të Evropës. Ndërkohë, klubi gjerman është i qetë për sa i përket rinovimit me Arjen Roben, lojtari i momentit për Bajernin. Presidenti Uli Hënes thotë se nuk ka arsye për t’u ngutur, pasi kontrata e Robenit skadon pas 18 muajve. Një hezitim i tillë është parë si shenjë e një largimi të mundshëm në verën e ardhshme, por Hënes nuk shqetësohet se holandezi 29-vjeçar mund të largohet. “Ka edhe një vit e gjysmë të mbetur në kontratë, nuk i kuptoj zërat që qarkullojnë. Arjen e di se çfarë mund të bëjmë ne për atë dhe se çfarë mund t’i japë ai klubit. Nuk po nxitohet për rinovimin, po kështu edhe ne”. Hënes më tej sqaroi se raportet me të atin e Robenit janë normale dhe akordi për kontratën e re të lojtarit do të gjendet në momentin e duhur.
