Bajern kampion i Evropës Roben prish mallkimin

redaktor

 Arjen Roben prishi mallkimin e finaleve dhe u bë heroi i Munihut, duke shënuar një minutë para fundit të kohës së rregullt për t’i dhënë Bajernit triumfin e pestë evropian. Skuadra e Jup Hajnkes arrin një fitore të merituar në “Wembley”, duke mundur 2-1 Borusian e Dortmundit pas një pjese të dytë superiore dhe me raste të shumtë. Favoriti i madh i finales u pa në vështirësi në 15 minutat e para, kur Borusia luajti në mënyrë mjaft agresive dhe nuk u la bavarezëve mundësi organizimi, duke ushtruar presing të fortë ndaj Havi Martinez e Bastian Shvajnshtajger, zemra e lojës së kampionëve të Gjermanisë. Po ashtu, verdhezinjtë e goditën disa herë portën e Manuel Nojerit dhe dy raste ishin vërtet të rrezikshme, nga Blashçikovski dhe Bender, në të dy rastet me pritje vendimtare nga portieri i Bajernit. Bavarezët reaguan dhe krijuan një rast të mirë, kur Manxhukiç gjuajti me kokë, portieri Vajdenfeler në kundërkohë arriti të grushtonte topin në goditje nga këndi, i ndihmuar edhe nga trau. Rastet më të mira të ndeshjes i erdhën Robenit, i cili doli dy herë përballë portierit, duke goditur trupin e tij, ndërsa në një moment tjetër nuk ishte në gjendje të pasonte te Manxhukiç. Borusia kërcënoi përsëri më pas me Levandovskin, por ndërkohë finalja e kishte marrë rrjedhën e parashikimeve, pasi ishte Bajern që përherë e më tepër këmbëngulte. Spektaklit të pjesës së parë i mungoi vetëm goli, ndërsa e dyta nisi më e qetë, pasi çdo gabim mund të ishte fatal. Loja u nxeh shpejt, por tashmë Bajern tregoi gjithë superioritetin fizik dhe kompaktësinë si skuadër, duke e shuar pothuajse plotësisht manovrën sulmuese të Dortmundit. Goli erdhi pas një pasimi të bukur nga Riberi për Roben, i cili nga fundorja e ktheu te Manxhukiç dhe kroati shënoi me portën bosh. Manxhukiç pati edhe një mundësi tjetër, pas një pasimi të saktë nga Alaba, por goli i radhës erdhi nga Borusia. Një faull i marrë nga Dante në dëm të Rojs dhe penallti. Gjuan Gyndogan dhe barazim. Me një kundërsulm fantastik, Dormund mund të kishte shënuar të dytin vetëm tri minuta më pas, por Humels gjuajti mbi tra. Më pas, disa goditje radhazi nga Bajerni dhe grushtime pa fund nga Vajdenfeler. Ndërkaq, trajnerët nuk kanë bërë asnjë ndërrim, dukshëm në pritje të shtesës. Për fatin e bavarezëve, Roben rregullon shënjestrën, me goditjen e tij të 25-të në portë gjatë tri finaleve Champions. Pasim i Riberi, holandezi e merr mirë dhe hyn fort në zonë, sheh daljen e portierit dhe gjuan nga e majta e tij, top i lehtë, por që nuk mund të kapet nga askush. Bajern është kampion i Evropës, për të pestën herë.

 

 

Deklaratat

Jup Hajnkes: “Komplimente skuadrës sime, e cila edhe një herë u shfaq kompakte dhe besoi tek vetja edhe në ato momente kur Borusias na vuri në vështirësi. Skuadra u shfaq më mirë në pjesën e dytë dhe mendoj se fitorja ishte e merituar. Jam i lumtur edhe për Roben, i cili la pas disa finale të humbura. Një finale gjermane që nderoi futbollin tonë”.

Arjen Roben: “Ishte ndeshje e ekuilibruar, ne patëm raste, ata patën raste. Ende nuk po e ndiejmë efektin, por do ta ndiejmë. Jam shumë i emocionuar, nuk arrij ta besoj”.

Jurgen Klopp: “Para së gjithash, urime për Bajernin. Pas ndeshjes, duhet të respektosh rezultatin. Nuk e pashë për herë të dytë golin e fitores, ishte një goditje e lirë dhe ne nuk ishim në pozicionin e duhur. Ishte vonë në ndeshje, ishte një sezon i vështirë dhe e pashë që po vinte nga minuta e 75-të. E merituam finalen, këtë e treguam edhe sonte. Kjo nuk është gjëja më e rëndësishme, por megjithatë ka rëndësinë e saj”.

Roman Vajdenfeler: “Jemi krenarë që i dhamë një ndeshje të fortë Bajernit sonte. Luajtëm mirë, por nuk ishte e thënë”.

Mats Humels: “Loja ishte e ekuilibruar, por Bajerni e meritoi. Ishin skuadra më e mirë në pjesën e dytë. Ne ishim më mirë në 25 mintuat e para, por nuk mundëm të shënonim golin që na duhej. Në minutat e fundit u lodhëm, ata morën kupën ndërsa ne jo. Ishte ndeshja më e vështirë që mund të humbësh”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *